Kronikë

Atentati me 4 të plagosur në Lundër/ Autorët u panë me kallash në vendin e ngjarjes 18 orë para krimit, gjendet në Mullet motori i djegur! Pistat e hetimit

19 Prill, 11:14| Përditesimi: 19 Prill, 18:44

  • Share

TIRANË- Sa më shumë thellohen hetimet, aq më shumë zgjerohet pista për atentatin me 4 të plagosur mbrëmjen e 17 prillit në Lundër të Tiranës. Shënjestra e atentatorëve bëhet gjithnjë e më e paqartë. Ende pa prova bindëse në duar, hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që objektiv të ketë qene edhe pronari i “Pelicani Security”, 2 fëmijët e mitur të të cilit u plagosën bashkë me shokun e tyre dhe shoferin e familjes. Burimet thonë se nuk përjashtohet dhënia e parave me fajde, por deri në këtë fazë të hetimit, akoma nuk janë gjetur element të plotë për ta mbështetur si pistë të besueshme.

Fillimisht hetuesit dyshuan se atentatorët gabuan shënjestrën dhe se objektiv i tyre mund të ishte bashkëshortja e Roan Brahimit, eksponentit kriminal të vrarë në Athinë në 2024-ën. Automjeti i saj është i ngjashëm me të pronarit të Pelikanit, me vetëm një gërmë ndryshe në targë e të dy palët jetojnë në të njëjtën rezidencë vilash në Lundër. Atentati i afërt në kohë, 1 orë pas vrasjes në Lezhë të vjehrrit të saj, i ngjalli më shumë këto dyshime, si një hakmarrje e mundshme për konfliktet e bashkëshortit të vrarë.

Mbrëmjen e 17 prillit, fëmijët po ktheheshin në shtëpi pasi kishin festuar jashtë Tiranë ditëlindjen e djalit 11-vjeçar të pronarit të “Pelikanit”. Atentatorët nisën të qëllojnë në drejtim të makinës “G Class” që drejtohej nga Arenc Stafa, në lëvizje. Përveç 7 gjurmëve të plumbave në makinë, një plumb ka kapur edhe një automjet që lëvizte në afërsi. Drejtuesi i saj është larguar menjëherë prej frikës, por pak çaste më vonë njoftoi policinë.

Autorët u larguan me një motoçikletë “Ducati” në drejtim të Elbasanit. Policia njoftoi zyrtarisht 2 ditë pas atentatit se gjeti të djegur në afërsi të fshatit Fikas në Mullet, një motomjet të djegur, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët.   

Hetimet e policisë kanë treguar se autorët, dy persona në numër, e studiuan me shumë kujdes vendin ku do të kryhej atentati, ku u plagosën 4 persona, mes të cilëve 2 të mitur. Sipas burimeve, rreth orës 03:30 të mëngjesit të datës 17 prill, afërsisht 18 orë para atentatit, ata janë parë pranë vendit të ngjarjes me kallash në duar, duke vëzhguar terrenin dhe kushtet përreth. Mbi këtë shtohen dyshimet se ruajta e shënjestrës, e cila akoma mbetet mister kush ishte, mund të jetë pritur edhe ditë të tjera para atentatit. Tashmë, analizat e pamjeve nga kamerat e sigurisë janë zgjeruar edhe për ditët para atentatit, me qëllim që të gjurmohen lëvizjet e tyre.

Ora 16:56
Atentat me 4 të plagosur në Tiranë/ Gjendet motori i autorëve në Mullet

1745074631_lunder.jpg

Pasditen e sotme është gjetur në fshatin Fikas, Mullet një motor i djegur, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët. Motori mendohet se është i autorëve që kanë realizuar atentatin me 4 të plagosur disa ditë më parë në Lundër. Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e ngjarjes.

Njoftimi i policisë

Në vijim të kontrolleve të pandërprera dhe të veprimeve hetimore që po kryhen nga grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 17.04.2025, në Lundër, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të një automjeti me të cilin qarkullonin 4 shtetas, shërbimet e Policisë, ditën e sotme, kanë gjetur në afërsi të fshatit Fikas, Mullet, një motomjet të djegur, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët e kësaj ngjarjeje.   

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe sigurimin e çdo prove që do të çojë në identifikimin dhe kapjen e autorëve.

 

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?