Gjergj Cukali

Kronikë

Atentati ndaj biznesmenit Mena, Apeli i GJKKO lë në fuqi 25 vite burg ndaj Gjergj Cukalit, 70 vite pesë të tjerëve! Të penduarit Jamaku i ulet 1 vit dënim

9 Korrik, 15:41| Përditesimi: 9 Korrik, 16:45

  • Share

Gjykata e Posaçme e Apelit lë në fuqi dënimin me 25 vite burgim ndaj Gjergj Cukalit, i cilësuar edhe si "I forti i Myslym Shyrit".

Shkalla e parë e kishte dënuar për ngjarjen e ndodhur në Kamëz, ku Cukali kishte porositur hedhjen në erë me tritol të biznesmenit Gjon Mena në vitin 2021, i cili arriti të shpëtonte, por edhe ndaj Artion Bylykut dhe kanosja e një avokati.

Apeli dënoi gjithashtu edhe Ermond Jamakun, i penduari i SPAK-ut për këtë ngjarje, duke ia ulur një vit izolim, nga 8 në 7 vite burg. I vëllai i tij, Enver Jamaku, u dënua me 8 vite burgim. po si i penduar i drejtësisë.

Gjithashtu ndryshoi vendimi për personin e tretë të pandehur të dosjes, Blendi Dedën, i cili do vuajë 18 vite burgim, nga 20 që ishin dhënë prej shkallës së parë.

I pandehuri Paris Prenga është dënuar me 18 vite dhe Flor Abazi me 19 vite burgim.

Avokatët mbrojtës kishin apeluar çështjen pas dënimeve të GJKKO-së pas verdiktit të vitit të kaluar. Vendimi u dha sot (9 korrik) nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Tereza Merkaj si kryesuese dhe Engert Pëllumbi dhe Igerta Hysi si anëtarë.  

Gjykata e Posaçme dënoi më 31 korrik 2024 Gjergj Cukalin, Enver Jamaku, Ermond Jamaku, Blendi Deda, Paris Prenga dhe Flor Abazi duke i shpallur fajtorë për një sërë akuzash të rënda, nga vrasje me paramendim e mbetur në tentativë, shpërthim me eksploziv dhe grup të strukturuar krimimal.

Mes ngjarjeve për të cilën u shpallën fajtorë të pandehurit janë dy atentate të bujshme me tritol për vrasjen e dy biznesmenëve Gjon Mena dhe Artion Bylyku, të mbetura në tentativë por dhe baza e arsenalit të armëve në Tiranë, si dhe kanosja avokatit Paulin Paplekaj.

Vendimi i Apelit të GJKKO-së:

"Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Tereza Merkaj (kryesuese), Engert Pëllumbi (anëtar) dhe Igerta Hysi (anëtare),  më datë 09.07.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 14 akti, datë 21.01.2025 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga të pandehurit Gj.C., E.J., E.J., B.D., P.(B.)P., dhe F.B., ndaj vendimit nr. 49, datë 31.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:

I.          Lënien në fuqi të vendimit nr. 49, datë 31.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me këtë ndryshim:

1. Në aplikim të nenit 28/7 të K.Penal të pandehurit E.J. në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, i ulet dënimi dhe përfundimisht dënohet me 7 (shtatë) vite burgim.

2. Dënimin e të pandehurit B.D. për kryerjen e veprës penale “Vrasja me dashje”, në dëm të shtetasit A.B., mbetur në tentativë dhe kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 76-22-28/4 të K.Penal dhe në zbatim edhe të nenit 334/1 të K.Penal, me 18 (tetëmbëdhjetë) vjet burgim.

3. Në bashkim të dënimeve, në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, dënimin e të pandehurit B.D. me një dënim të vetëm prej 18 (tetëmbëdhjetë) vjet burgim.

II.         Shpenzimet gjyqësore edhe për gjykimin në nivel apeli i ngarkohen solidarisht të pandehurve.

III.       Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar".

A.Q/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Raporti i KE, si e vlerësoni punën e drejtësisë në Shqipëri?