Atentati ndaj Arjan Ndojës, SPAK çon për gjykim porositësin Plaurent Dervishaj dhe 8 anëtarët e bandës! Edhe 2 planet e tjera për vrasjen e ish-prokurorit dhe Rrumit të Shijakut

28 Maj, 09:59| Përditesimi: 28 Maj, 17:23

  • Share

TIRANË-  Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe çon në gjyq 9 persona si anëtarë të një grupi të s kriminal që ndër vite kishin planifikuar 3 herë vrasjen e Arjan Ndojës, i cili në atë kohë kishte postin e prokurorit në Prokurorinë e Durrësit. Një nga këto është dhe atentati më 1 nëntor 2019 tek mbikalimi i Shkozetit ku mbeti i vrarë shoferi i tij Andi Maloku.

Përveç Redjan Rrajës që është dënuar me burg për jetë dhe Arjol Halilaj i dënuar me 35 vite burg, SPAK dërgoi për gjykim 9 persona, mes tyre porositësi Plaurent Dervishaj dhe Ramazan Rraja, nipi i ish-deputetit socialit Rrahman Rraja. 

Pjesa më e madhe e dërguarve për gjykim janë ish-anëtarë të bandës së Durrësit, konkretisht, Julian Meçaj, Amar (Dritan) Shkëmbi, Endrit Sinani, Bledar Polovina, Genti Nderjaku (Kili), Bashkim Haxhiaj dhe Julian Pjetri. 

Zbërthimi i komunikimeve në aplikacionin “SkyECC”, si dhe dëshmia e  të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani kanë ndihmuar SPAK për të zbardhur të plotë atentatin dhe rolin e secilit në këtë krim, ndërkohë në njoftimin e SPAK zbulohet se grupi i Plaurent Dervishaj kishte planifikuar edhe 2 plane të tjera për të vrarë prokurorin Arjan Ndoja dhe Aleksandër Lahon (Pëllumb Muharremin)

Një plan ishte planifikuar para atij të 1 nëntorit 2019 dhe pasi Ndoja dhe ‘Rrumi i Shijakut’ i shpëtuan atentatit në mbikalimin e Shkozetit, grupi i Plaurent Dervishaj kishte planifikuar një tjetër plan për t’i hequr qafe edhe pas 1 nëntorit 2019. Por, këto dy plane nuk u konkretizuan.

I vetmi plan që u vu në jetë ishte më 1 nëntor 2019, në mbikalimin e Shkozetit, ku grupi i Dervishajt qëlloi me armë zjarri në drejtim të automjetit me të cilin udhëtonin Arian Ndoja, Aleksandër Laho dhe shoferi Andi Maloku, i cili mbeti i vrarë. Pasi i vranë të birin, grupi i Dervishajt donte të vriste edhe babanë e Andi Malokut, Genci Malokun, i cili kërkonte drejtësi. Po ashtu në shënjestër, sipas SPAK kishin vënë edhe vëllanë e Rrumit të Shijakut, Vullnet Muça (alias Muharremi).

Dervishaj e donte kokën e Rrumit të Shijakut, Aleksandër Laho, sepse dyshonte se ai kishte organizuar sulmin me armë ndaj tij dhe dy miqve, Julian Meçes  Bashkim Haxhisë në 20 qershor 2019. Por mbetet e paqartë se pëse donte të vriste edhe ish-prokurorin Ndoja, i cili shoqërohej me një person me precedent penal si Laho. 

SPAK thotë se ka evidentuar rolet e secilit prej të pandehurve, si organizatorë, financues, ekzekutorë dhe ndihmës në këto ngjarje. Të pandehurit kanë ngritur infrastrukturën e nevojshme, duke siguruar armët e zjarrit, automjetet dhe targat (e vjedhura) madje kanë siguruar dhe informacion mbi lëvizjet e tyre nga bazat e të dhënave shtetërore

“Të pandehurit ka rezultuar se kanë ngritur infrastrukturën e nevojshme me qëllim ekzekutimin e personave të targetuar për t’u vrarë, duke siguruar armët e zjarrit, automjetet dhe targat (e vjedhura) që do të përdornin për të ndjekur viktimat, të cilët nëpërmjet bashkëpunëtorëve të tyre, kanë mundur që të sigurojnë informacione për lëvizjet e tyre edhe nga bazat e të dhënave shtetërore”, njoftoi sot SPAK.

Përpos kësaj, pasi SPAK zbardhi tentativën për të vrarë prokurorin në 2019, grupi i Dervishajt u kishte kërkuar të arrestuarve që të mos zbulonin detaje të tjera dhe mos të implikonin bashkëpunëtorët në krime duke iu premtuar se do t’u lehtësojnë pozitat në përballjen me drejtësinë.

“Nga aktet e administruara ka rezultuar e provuar se të pandehurit janë angazhuar për lehtësimin e pozitës së personave të arrestuar, kundrejt garancisë që këta të fundit të mos i implikonin bashkëpunëtorët e përfshirë në këto krime”, njofton SPAK.

Ku janë të pandehurit

Koka e këtij grupi, Palurent Dervishaj dyshohet se fshihet në Dubai bashkë me Amar Shkëmbin, ndërsa Julian Meçaj është i arrestuar në Dubai dhe Bledar Polovina i arrestuar në SHBA. 5 anëtarë të grupit janë në pranga në vendin tonë, Ramazan Raja, Genti Ndërjaku, Endrit Sinani, Julian Pjetri dhe Bashkim Haxhija, ndërsa hetimet janë pushuar për Marsel Deçka.

Gjatë hetimeve SPAK ka zbardhur edhe një ngjarje tjetër kriminale ku dalin të përfshirë anëtarët e këtij grupi, të cilët i kanë vendosur tritol hotelit të babait të Ervin Matës, duke marrë të pandehur Ramazan Rrajën, Plaurent Dervishaj dhe Juljan Mecaj.

Ndërsa, Genti Nderjaku gjatë harkut kohor 04.09.2020 – 30.01.2021, ka siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasjen e shtetasit Mitri Prifti, në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar. SPAK njofton se ka veçuar aktet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë, të cilët kanë marrë pjesë në këto ngjarje kriminale.

Për çfarë akuzohen anëtarët e grupit kriminal

1-Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Bledar Polovina, Amar Shkëmbi (alias Dritan), Ramazan Rraja dhe Endrit Sinani, të akuzuar për kryerjen e veprave penale të mëposhtme:

· “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 80 dhe 28/4, të Kodit Penal, në dëm të viktimave Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho (Pëllumb Muharremi), për periudhën para ngjarjes së datës 01.11.2019 (sipas episodeve respektive);

·  “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/1/2, i Kodit Penal, si dhe

· “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334/1, i Kodit Penal.

2. Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Bledar Polovina, Amar Shkëmbi (alias Dritan), dhe bashkëpandehurit në një procedim të lidhur Redjan Rraja dhe Ariol Halilaj, të akuzuar për kryerjen e veprave penale të mëposhtme:

· “Vjedhja”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 134, paragrafi i parë dhe 28/4, të Kodit Penal (sipas episodeve respektive);

· “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 278, paragrafi i parë dhe 28/4, të Kodit Penal;

· “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenit 278, paragrafi i tretë i Kodit Penal;

· “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, në dëm të viktimës Arjan Ndoja, për episodin e datës 01.11.2019, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/a e 22 dhe 28/4, të Kodit Penal;

· “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, me pasojë vdekjen e të ndjerit Andi Maloku dhe mbetur në tentativë në dëm të viktimës Aleksandër Laho (Pëllumb Muharremi), për episodin e datës 01.11.2019, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79, shkronja “dh” dhe 28/4, të Kodit Penal;

· “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/1, i Kodit Penal, si dhe

· “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334/1, i Kodit Penal.

3. Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Genti Nderjaku (alias Kili, alias Ekil), Ramazan Rraja, Bashkim Haxhija dhe Julian Pjetri, të akuzuar për kryerjen e veprave penale të mëposhtme:

· “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 80 dhe 28/4, të Kodit Penal, në dëm të viktimave Arjan Ndoja, Aleksandër Laho (Pëllumb Muharremi), Vullnet Muça (alias Muharremi), Genci Maloku dhe Arben Mërkuri (Maneci), për periudhën pas ngjarjes së datës 01.11.2019 (sipas episodeve respektive);

· “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/1/2 të Kodit Penal, si dhe

· “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga neni 334/1 i Kodit Penal.

4. Ramazan Rraja, Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj, të akuzuar për kryerjen e veprave penale të mëposhtme:

· “Shkatërrimit të pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 152/1 dhe 25, të Kodit Penal (lidhur me episodin e datës 30.05.2020, ndodhur në Tiranë) dhe

·  “Prodhimi dhe mbajtje pa leje e armëve shpërthyese”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 278/5 dhe 25, të Kodit Penal (lidhur me episodin e datës 30.05.2020, ndodhur në Tiranë).

5. Ramazan Rraja, akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal (armë zjarri e cila i është gjetur me vete gjatë momentit të ekzekutimit të masës së sigurimit personal më datë 19.04.2023).

6. Genti NDERJAKU (alias Kili, alias Ekil Nderjaku), akuzuar për kryerjen e veprave penale të mëposhtme:

· “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 80 dhe 28/4, të Kodit Penal, në dëm të viktimës Mitri Prifti, për periudhën ndërmjet datave 04.09.2020-30.01.2021;

· “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi i parë i Kodit Penal, si dhe

· “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334/1, i Kodit Penal.

Njoftimi i SPAK

"Ky procedim penal ka të bëjë me ngjarjen e ndodhur më datë 01.11.2019, ku rreth orës 16:00, në autostradën Durrës-Tiranë, në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, ku persona të armatosur të cilët po udhëtonin me një automjet benz, ngjyrë gri, që kishte të vendosura targat AA 342 LM, kanë qëlluar më armë zjarri në drejtim të automjetit me targa AA 333 ZD, me të cilin udhëtonin shtetasit Andi Maloku, Arian Ndoja dhe Aleksandër Laho.

Nga të shtënat me armët e zjarrit, shtetasit të cilët udhëtonin në mjetin me targë AA 333 ZD, kanë marrë plagë në pjesë të ndryshme të trupit. Si pasojë ka gjetur vdekjen në spital shtetasi Andi Maloku, kurse shtetasit Arian Ndoja dhe Aleksandër Laho, kanë marrë plagë me armë zjarri dhe i janë nënshtruar mjekimit në spital.

Nga veprimet hetimore të kryera për interesa të këtij procedimi penal janë identifikuar paraprakisht dy nga autorët që kanë marrë pjesë në këtë ngjarje, konkretisht të pandehurit Redjan Rraja dhe Ariol Halilaj, të cilët janë marrë të pandehur dhe ndaj tyre, aktualisht po vijon gjykimi pranë Gjykatës së Posaçme, ndërsa janë veçuar aktet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë, të cilët kanë marrë pjesë në këto ngjarje.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera për interesa të këtij procedimi penal, bazuar dhe në analizën e komunikimeve të kriptuara, janë administruar prova të cilat kanë evidentuar rolet e secilit prej të pandehurve, si organizatorë, financues, ekzekutorë dhe ndihmës në këto ngjarje. Të pandehurit ka rezultuar se kanë ngritur infrastrukturën e nevojshme me qëllim ekzekutimin e personave të targetuar për t’u vrarë, duke siguruar armët e zjarrit, automjetet dhe targat (e vjedhura) që do të përdornin për të ndjekur viktimat, të cilët nëpërmjet bashkëpunëtorëve të tyre, kanë mundur që të sigurojnë informacione për lëvizjet e tyre edhe nga bazat e të dhënave shtetërore. Nga aktet e administruara ka rezultuar e provuar se të pandehurit janë angazhuar për lehtësimin e pozitës së personave të arrestuar, kundrejt garancisë që këta të fundit të mos i implikonin bashkëpunëtorët e përfshirë në këto krime.

Më konkretisht është bërë e mundur identifikimi i autorëve të tjerë që kanë marrë pjesë në ngjarjen e datës 01.11.2019, shtetasit: Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Bledar Polovina, Amar Shkëmbi (alias Dritan) si bashkëpunëtorë të të pandehurve Redian Rraja dhe Ariol Halilaj (të cilët po gjykohen në Gjykatën e Posaçme të Apelit, për ngjarjen e datës 01.11.2019), ku ka rezultuar se kanë marrë pjesë në episodin e datës 01.11.2019, për kryerjen e veprave penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit Arjan Ndoja; “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, me pasojë vdekjen e shtetasit Andi Maloku dhe mbetur në tentativë në dëm të shtetasit Aleksandër Laho (Pëllumb Muharremi); “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”; “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim dhe më tepër se një herë; “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 79/a-22; 79/dh-22; 278/1,2; 134/2; 28/4; 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal.

Hetimet e mëtejshme kanë bërë të mundur identifikimin edhe të disa të pandehurve të tjerë, të cilët kanë marrë pjesë si para ashtu dhe pas ngjarjes së datës 01.11.2019, periudha gjatë të cilave të pandehurit kanë ndërmarë një sërë veprimesh për konsumimin e veprave penale.

Më konkretisht, gjatë hetimit janë grumbulluar prova që provojnë se të pandehurit Julian Meçaj, Bledar Polovina, Amar Shkëmbi (alias Dritan), Ramazan Rraja dhe Endrit Sinani, kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga nenet 80, 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal, në dëm të shtetasve Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho (alias Pëllumb Muharremi), vepra të kryera para datës 01.11.2019.

Gjithashtu, provat e mbledhura gjatë hetimit kanë evidentuar faktin penal se shtetasit Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Genti Nderjaku (alias Kili, alias Ekil), Ramazan Rraja, Bashkim Haxhija dhe Julian Pjetri, kanë konsumuar elementët e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 80, 333/a/2 dhe 334, të Kodit Penal, në dëm të shtetasve Arjan Ndoja, Aleksandër Laho (Pëllumb Muharremi), Vullnet Muça (alias Muharremi), Genci Maloku dhe Arben Mërkuri (Maneci), për periudhën pas ngjarjes së datës 01.11.2019 (episod i konsumuar pas ngjarjes së datës 01.11.2019).

Gjithashtu ka rezultuar se i pandehuri Ramazan Rraja, është njëri nga personat që ka kërkuar dhe siguruar një automjet, tek njohjet e tij shoqërore në Durrës, dhe në vijim ka dërguar një nga të afërmit e tij me qëllim për ta marrë këtë automjet, dhe për të realizuar hedhjen e sasisë së lëndës eksplozive, në hotel “Victoria” Tiranë, në pronësi të shtetasit Luan Mata, ngjarje e ndodhur më datë 30.05.2020, ora 22:35. Lidhur me këtë episod i pandehuri Ramazan Rraja akuzohet se e ka kryer veprën penale në bashkëpunim me të pandehurit Plaurent Dervishaj dhe Juljan Mecaj.

Po kështu i pandehuri Genti Nderjaku (alias Kili, alias Ekil Nderjaku), në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar gjatë harkut kohor 04.09.2020 – 30.01.2021, ka siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasjen e shtetasit Mitri Prifti, duke konsumuar në këtë mënyrë elementët e veprave penale të parashikuara nga nenet 80, 28/4, 333/a/1 dhe 334/1 i Kodit Penal.

Sa i përket të hetuarit tjetër Marsel Deçka, Prokuroria e Posaçme, ka konkluduar se nuk ka kryer elementët e veprave penale të parashikuar nga nenet 80, 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal, sa i përket episodeve pas ngjarjes së datës 01.11.2019, për rrjedhojë, i jemi drejtuar gjyqtarit të seancës paraprake pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me kërkesën për pushimin e hetimeve ndaj tij.

Me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të të pandehurve që kanë marrë pjesë në këto ngjarje, kemi proceduar me ndarjen e akteve të procedimit penal Nr.184/1 të vitit 2021, numërtimin si procedimi penal Nr.184/2 i vitit 2024, dhe vijimin e hetimeve."

Ora 14:28
Donin ‘kokën’ e ‘Rrumit të Shijakut’, grupi i Plaurent Dervishaj plan për t’i vrarë edhe vëllanë

1716899395_laho.jpeg

Aleksandër Laho (Rrumi i Shijakut)

Grupi i Plaurent Dervishaj kishte bërë plan të vriste edhe vëllanë e Rrumit të Shijakut. Nga hetimet e SPAK dhe pas zbërthimit të aplikacionit Sky ECC është zbuluar edhe një plan për të hequr qafe Vullnet Muçën, vëllai i Rrumit të Shijakut (Aleksandër Laho)

Rrumi i Shijakut i shpëtoi atentatit të 1 nëntorit 2019, teksa udhëtonte na makinë me ish-prokurorin Arjan Ndoja. Plaurent Dervishaj donte ‘kokën’ e Rrumit të Shijakut, pasi dyshonte se kishte qenë organizatori i një atentati ndaj tij dhe dy miqve të tij më 20 qershor 2019.

Dervishaj kishte planifikuar edhe 2 plane të tjera për të vrarë Rrumin e Shijakut dhe ish-prokurorin dhe pasi dështoi më 1 nëntor 2019, kërkonte të vriste edhe vëllanë e Rrumit të Shijakut.

Ora 14:17
Kërkonte drejtësi për vrasjen e të birit, grupi i Plaurent Dervishaj donte të eliminonte edhe të atin e Andi Malokut, shoferi që u vra në atentatin ndaj ish-prokurorit Ndoja

Andi Maloku, i vrarë në atentatin e 1 nëntorit 2019

Pas zbërthimit të bisedave në aplikacionin Sky ECC, SPAK zbardhi tentativën për vrasjen e ish-prokurorit Ndoja dhe Rrumit të Shijakut. Atentati i 1 nëntorit 2019 i mori jetën shoferit Andi Maloku.

Për vrasjen e të birit, Genci Maloku kërkonte drejtësi dhe kishte insistuar disa herë në dyert e prokurorisë të mësonte kush fshihej pas vrasjes së djalit.

Për këtë arsye, duket se grupi i Plaurent Dervishajt kishte planifikuar të hiqte qafe edhe të atin e Andi Malokut.

Ora 11:16
Grupi i Plaruent Dervishajt donte të vriste 'juristin' Mitri Priftin! Në 2021 tentoi të ekzekutonte Edison Begajn në sy të fëmijëve, ndryshoi dëshminë për Shullazin

1716892391_page.jpg

SPAK ka zbuluar dhe një tjetër ngjarje kriminale që ka të bëjë me një tentativë për të eliminuar juristin Mitri Prifti.

SPAK informon se ndaj tij i është organizuar dhe një plan për ta vrarë.Ndërkohë Genti Ndërjaku alias Kili Ndërjaku pjesë e grupit të strukturuar kriminal të drejtuar nga Plaruent Dervishaj në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar gjatë harkut kohor 04.09.2020 – 30.01.2021 kanë tentuar ta vrasin.

 I pandehuri Genti Nderjaku (alias Kili, alias Ekil Nderjaku), në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar gjatë harkut kohor 04.09.2020 – 30.01.2021, ka siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasjen e shtetasit Mitri Prifti, duke konsumuar në këtë mënyrë elementët e veprave penale të parashikuara nga nenet 80, 28/4, 333/a/1 dhe 334/1 i Kodit Penal.

Nderjaku i shpëtoi një atentati me snajper më 12 shtator 2022 në Durrës.

Mitri Prifti është arrestuar në shtator 2021 pasi ishte shpallur në kërkim, për tentativën e vrasjes së Edison Begajt në maj të po 2021 në fshatin Kaninë.

Atëherë u tha se Mitri Prifti  me profesion jurist, banues në Tiranë, i maskuar dhe i veshur si polic, qëlloi me armë në drejtim të 41-vjeçarit në sy të fëmijëve. Në hyrje të banesës së tij Begaj u qëllua me 4 plumba dhe mbeti i plagosur. Policia njofton se Mitri Prifti ka tentuar të vrasë me armë zjarri Begajn për motive të dobëta, cili si pasojë e të shtënave ka mbetur i plagosur.Dyshohet se Prifti e ka plagosur Begajn pas një konflikti që kanë pasur në një lokal në zonën e Lungomares

Po kështu emri i juristit u lakua në 2016 kur përflitej se ka shërbyer si ndërmjetës gjatë një konflikti mes Emiljano Shullazit e kushëririt të tij Jani Zaka për një parking 1200 m katrorë. Atëherë Mitri Prifti deklaroi se kushëriri i tij, ndërtuesi Zaka, ishte kërcënuar nga Emiljano Shullazi, i cili donte t’i merrte një parking nëntokësor, në rrugën “Sali Butka” por më pas  në një intervistë për Report TV se jo vetëm që nuk e ka takuar kurrë, por as nuk e njeh Shullazin.

Ora 10:14
SPAK identifikon autorët e shpërthimit tek hotel 'Victoria', Tiranë, pronë e babait të Ervin Matës! Nipi i ish deputetit PS Rraja bashkëpunoi me Dervishaj e Meçaj

SPAK zbulon dhe autorët e hedhjes së eksplozivit në hotel “Victoria’ në Tiranë ngjarje e ndodhur në më 30 maj 2020.

Hoteli është në pronësi të Luan Matës, babai të akuzuarit si bosi i kokainës Ervin Mata, i shpallur në kërkim pasi akuzohet si pjesë e një grupi kriminal që trafikonte drogë dhe planifikonte vrasje, ku u arrestua dhe ish zv/drejtori i policisë së Tiranës, Erzen Breçani

Sipas SPAK Ramazan Raja, nipi i ish deputetit të PS-së, Ramazan Rraja akuzohet se ka kryer veprën penale në bashkëpunim me të pandehurit Plaurent Dervishaj dhe Juljan Mecaj.

Gjithashtu ka rezultuar se i pandehuri Ramazan Rraja, është njëri nga personat që ka kërkuar dhe siguruar një automjet, tek njohjet e tij shoqërore në Durrës, dhe në vijim ka dërguar një nga të afërmit e tij me qëllim për ta marrë këtë automjet, dhe për të realizuar hedhjen e sasisë së lëndës eksplozive, në hotel “Victoria” Tiranë, në pronësi të shtetasit Luan Mata, ngjarje e ndodhur më datë 30.05.2020, ora 22:35. Lidhur me këtë episod i pandehuri Ramazan Rraja akuzohet se e ka kryer veprën penale në bashkëpunim me të pandehurit Plaurent Dervishaj dhe Juljan Mecaj.

Nga shpërthimi i 30 majit për fat të mirë nuk pati të lënduar vetëm dëme materiale.

Ish-anëtari i bandës së Durrësit, Julian Meçaj, është arrestuar në shkurt 2024 nga policia në Dubai.

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • eno: 28/05/2024 21:09

    si e ka emrin hoteli...

    Përgjigju
  • Taf: 28/05/2024 11:05

    Para krimit janë! Pse SPAK nuk je sekuestron hotelin këtyre kriminelëve?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?