Atentati ndaj kryeministrit sllovak, Robert Fico! Zv.kryeministri: Operacioni shkoi mirë, do ia dalë

16 Maj, 07:50| Përditesimi: 16 Maj, 10:07

  • Share

SLLOVAKI- Kryeministri sllovak Robert Fico nuk është më në rrezik për jetën, pasi u qëllua disa herë në qytetin Handlova. Kështu thotë zv.kryeministri Tomas Taraba për BBC, duke shtuar se operacioni ka shkuar mirë dhe se “unë mendoj se në fund ai do të mbijetojë". 

Mjekët e spitalit thanë se gjendja e Ficos është stabile, por “serioze” për shkak të dëmtimeve delikate që ka pësuar. Taraba shtoi se kryeministri u qëllua "nga shumë afër" dhe se "një plumb kaloi në stomak ".

"Me sa di unë, operacioni shkoi mirë dhe mendoj se në fund ai do të mbijetojë," tha Taraba.

Kryeministri sllovak kishte shkuar të mërkurën e 15 majit për të zhvilluar një takim me mbështetësit e tij, ku u qëllua me 4 plumba, në gjoks, stomak dhe gjymtyrë dhe në arterie. Ai u dërgua menjëherë në spital ku i është nënshtruar një operacioni, ndërsa autori i plagosjes, një 71-vjeçar, Juraj Cintula, është vënë në pranga.

Ministri i Brendshëm Matus Sutaj Estoka e përshkroi si një atentat të motivuar politikisht.

Fico ka qenë prej kohësh një figurë e diskutueshme në Sllovaki dhe më gjerë, dhe kthimi i tij në pushtet vitin e kaluar me një mesazh pro-rus, anti-amerikan ngjalli shqetësime edhe më të mëdha mes anëtarëve të tjerë të Bashkimit Evropian. 

Qeveria e tij ka bllokuar dërgesat e armëve në Ukrainë dhe kritikët druajnë se kjo do ta shtyjë Sllovakinë – një vend i NATO-s me 5.4 milionë banorë – të braktisë kursin e saj properëndimor dhe të ndjekë gjurmët e Hungarisë së Orbanit.

Mijëra njerëz dolën në rrugë në të gjithë vendin për të protestuar kundër politikave të tij. Sulmi vjen pasi fushata politike nxehet tre javë para zgjedhjeve evropiane dhe ka shqetësime në rritje se populistët dhe nacionalistët mund të fitojnë një pozicion të spikatur në bllokun 27-vendesh.

“Një sulm fizik ndaj kryeministrit është, para së gjithash, një sulm ndaj një personi, por është gjithashtu një sulm ndaj demokracisë,” tha presidentja në largim Zuzana Caputova, rivalja politike e Ficos. "Çdo dhunë është e papranueshme. Retorika e urrejtjes që kemi dëshmuar në shoqëri çon në veprime urrejtjeje. Ju lutemi, le ta ndalojmë atë."

Presidenti i sapozgjedhur Peter Pellegrini, një aleat i Ficos, i quajti të shtënat "një kërcënim të paprecedentë për demokracinë e Sllovakisë. 

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?