Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK për të zgjatur afatin e afatit të paraburgimit për 5 persona: Ramazan Rraja, Genti Nderjaku (alias Kili Nderjaku dhe Ekil Nderjaku), Endrit Sinani, Julian Pjetri dhe Bashkim Haxhija, për një periudhë 3 mujore.
Afati i zgjatur i paraburgimit nis nga data 21 korrik deri më 21 tetor 2024. Brenda 15 ditëve mund të bëhet ankimimi i këtij vendimi në Apelin e Posaçëm. Ramazan Rraja u arrestua në prill të vitit 2023 pas një kohe të gjatë në kërkim për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja në Durrës në vitin 2019.
SPAK pretendon se Ramazan Rraja, bashkë me kushëririn e tij dhe persona të tjerë kanë organizuar atentatit ndaj prokurorit Arian Ndoja më 1 nëntor 2019. Në atentat mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku, dhe u plagos Landi Muharremi “Rrumi i Shijakut” dhe ish-prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja.
'2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenin 264 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 439, datë 16.07.2024, vendosi:
1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
2. Zgjatjen e afati të paraburgimit për një periudhë 3(tre) mujore, për personat nën hetim Ramazan Rraja, Genti Nderjaku (alias Kili Nderjaku dhe Ekil Nderjaku), Endrit Sinani, Julian Pjetri dhe Bashkim Haxhija, duke filluar ky afat nga data 21.07.2024 deri në datën 21.10.2024.
3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaҫme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.', thuhet ndër të tjera në njoftimin e GJKKO-së.