Tre autorë hapën zjarr mbi banesën e një 44-vjeçari shqiptar, i cili u kundërpërgjigj me armë. Njëri prej agresorëve mbeti rëndë i plagosur, pas së cilës ai dhe bashkëpunëtorët e tij u larguan me shpejtësi me një Citroën C5.
Mjeti u gjet më pas i djegur në Oudenaarde. Shënjestra 44-vjeçare e atentatit arriti të shpëtojë dhe u largua me taksi drejt Brukselit, ku më pas iku nga vendi. Sipas prokurorisë së Halle-Vilvoorde, burri ishte në kërkim ndërkombëtar, pasi disa muaj më parë kishte kryer një vrasje në Shqipëri.
Sipas prokurorit publik, ngjarja në Zellik ka ndodhur në kuadër të një gjakmarrjeje. Personi që u plagos gjatë përleshjes me armë u paraqit disa orë më vonë në një spital në Holandë. Hetuesit zbuluan se ai ishte transportuar atje nga dy rumunë me një Porsche Cayenne.
Prokuroria tani kërkon 2 vite burg për këtë dyshe. "Roli i tyre ka qenë të gjenin një vend ku të digjnin makinën e arratisjes, dhe më pas të ndihmonin autorët të largoheshin nga vendi", thuhet nga prokuroria, raportojnë mediat belge.
Ndaj autorit të plagosur, i cili u zhduk pasi doli nga spitali dhe nuk u paraqit në gjyq, prokuroria ka kërkuar 10 vite burg. Dy autorët e tjerë të të shtënave nuk janë identifikuar kurrë.
Avokatët e dy të rinjve rumunë kërkuan të premten shfajësimin e plotë. “Ata nuk kanë asnjë lidhje me atë tentativë vrasjeje apo me zjarrvënien,” deklaroi avokati Bart Siffert.
“Ata ishin me pushime nëpër Europë me një Porsche të marrë me qira dhe merreshin kryesisht me blerjen dhe përdorimin e drogës.”
Sipas mbrojtjes, dy rumunët u përfshinë papritur në këtë dosje penale.
“Ato natë po prisnin në Oudenaarde shitësin e drogës, kur dikush trokiti në xhamin e makinës së tyre. Menduan se ishte shitësi, por hyri burri i plagosur. Ai u kërkoi me ngulm ta çonin në një spital në Holandë.”
Avokati Bart Siffert tha se nuk ka asnjë provë që i lidh dy rumunët me ngjarjen.
“Nga të dhënat e kamerave ANPR rezulton se ata mbërritën në Oudenaarde në momentin kur ndodhi përleshja me armë në Zellik. Prandaj, gjykata paraprake i përjashtoi nga ndjekja penale për atë tentativë vrasjeje. Edhe për zjarrvënien nuk po gjykohen. Prokuroria i ka vendosur më pas akuzën për ‘bashkim kriminal’, por nuk ka asgjë që tregon se ata kanë luajtur ndonjë rol të rëndësishëm. Nuk është gjetur ADN-ja e tyre në armë apo në gëzhoja, dhe numrat e telefonit të tyre nuk përmenden askund në hetimin telefonik. Për më tepër, ata janë kthyer sërish në Belgjikë më vonë. Nëse do të kishin qenë realisht të përfshirë në një tentativë vrasjeje, a nuk do të kishin ikur përgjithmonë?”-ka thënë avokati Siffert.
Komente
