Kur Policia e Tiranës ishte shumë afër finalizimit të provave që e implikonin në atentatin e 12 marsit ku mbeti e vrarë banakierja Mimoza Paja, për Nikoll Sherrnikun kishte nisur gjyqi i themelit në Lezhë për arrestimin e gushtit 2022, pasi u kap me kallashnikov, fishekë dhe 2 radio policie. Hetuesit fillimisht patën dyshime se 28-vjeçari ishte nisur për të kryer një ngjarje kriminale kur u konstatua nga policia, por një gjë e tillë nuk u provua asnjëherë dhe gjykimi për mikun e Brilant Martinajt të vrarë në korrik të vitit të shkuar nisi vetëm për armëmbajtje pa leje.
Bashkë me të në atë kohë u arrestua edhe Flutura Berisha, 35 vjeçe, e cila ishte drejtuese e mjetit "Toyota" dhe përveçse tentoi të largohej, u mundua të fshihte edhe armën kallashnikov, e cila u gjet me fishekë në gojë, gati për qitje, çfarë shtoi me tej dyshimet e hetuesve se ishin përgatitur për vrasje, që nuk u provua dhe vetë dy të arrestuarit nuk rrëfyen asnjëherë mbi një tentativë të tillë.
Por, edhe pse fillimisht Flutura Berisha nga Kurbini u la në "arrest në burg" nga gjykata, rreth 10 ditë më parë, ka mundur të fitojë masë më të butë në gjykatë. Për 35-vjeçaren është caktuar së fundmi "arrest shtëpie" me arsyetimin e shkaqeve shëndetësore, vendim i vulosur nga gjyqtari Artan Hejredinaj, i cili pranoi kërkesën e mbrojtjes për ndryshim mase. Vendimi në fjalë akoma nuk është zbardhur nga gjykata dhe vetëm pas kësaj prokuroria do të vendos nëse do të bëj ose jo ankim në Apel, edhe pse gjatë seancës ku masa u lehtësua mbajti qëndrim kundër.
Policia, më 17 gusht të vitit të shkuar e lokalizoi automjetin tip "Toyota" të parkuar në afërsi të një pallati në Kune të Lezhës dhe ndërhyri për të neutralizuar 3 persona që ndodheshin brenda, të cilët, sapo panë shërbimet duke u afruar, dolën menjëherë dhe tentuan të largohen me vrap. Gjatë tentativës për t’u larguar, Flutura Berisha, drejtuese e automjetit, tentoi të fshehë kallashnikovin në një vend aty afër.
Brenda në makinë në atë kohë ishte edhe një i mitur 15-vjeçar. Nikoll Sherrniku, përveç gjykimit për armët pa leje, tashmë do të hetohet si bashkëpunëtor në atentatin e 12 marsit në "Don Bosko".
Ai u siguroi vrasësve targat që i solli nga Gjermania që u përdorën në BMË-në që u përdor për t'u larguar pas të shtënave te lokali i Fatjon Muratit. Sherrniku njihet për miqësinë që ka pasur më herët me anëtarë të grupit të Ervis Martinajt.
Vrasja në 'Don Bosko', nga sa është mësuar deri më tani është bërë në shenjë hakmarrjeje nga grupi i Ervis Martinaj ndaj Fatjon Muratit, pasi dyshohet e ky i fundit ka marrë pjesë në atentatin në Fushë Krujë në 2022, me 3 të vrarë mes tyre edhe Brilant Martinaj, kushëriri i “bosit të lojërave të fatit”, i cili prej 9 gushtit rezulton i zhdukur.
Mimoza Paja, 58-vjeç u vra nga breshëria e plumbave që persona ende të paidentifikuar hodhën në drejtim të lokalit të Fajton Muratit, një person i botës së krimit, e ndërsa 6 të tjerë mbetën të plagosur, mes tyre dhe 10-vjeçarja.
Nikoll Sherrniku, personi që policia e prokurua akuzojnë se ka siguruar targat e vendosura në makinën që u përdorë në atentatin e "Don Boskos" nuk ka pranuar akuzën gjatë deklarimeve të tij. Ai është marrë në pyetje nga grupi hetimor por ka mohuar të ketë dijeni për atentatin ku mbeti e vrarë banakierja Mimoza Paja dhe u plagosën 6 të tjerë, duke argumentuar se kur ngjarja ndodhi më mars, ai ndodhej në burg. Pavarësisht deklaratës, burime nga policia e prokuroria thonë se ka prova të forta që e implikojnë atë dhe se targat në Gjermani janë marrë para gushtit 2022, kur u arrestua në Kune të Lezhës. Nga veprimet hetimore hetuesit kanë dyshime se targat gjermane janë provizore që 28-vjeçari Sherrniku i kishte pasur në një automjet të blerë në Gjermani në 2020-ën. Kjo makinë me targa provizore ka hyrë në vendin tonë nga 28-vjeçari duke e sjellë nga Kosova përmes pikës kufitare të Morinës. Makina rezultonte në emër të tij.