Automjeti tip “Golf 5” që u përdor në atentatin me 2 të plagosur, Kastriot Elezaj dhe Renaldo Metushi në një lokal në Don Bosko, më 3 shtator, ka hyrë në Shqipëri përmes pikës kufitare të Morinës në Kukës.
Mbi këtë informacion që hetimet kanë nxjerrë në pah, autoritetet shqiptare i janë drejtuar homologëve në Kosovë me letërporosi, se kush janë personat që përdorën automjetin, për të rënë në gjurmët e atentatorëve.
Dyshimet e bluve janë se makina e sjellë nga Kosova, t’i jetë shitur në vendin tonë autorëve, enkas për atentatin, por nuk përjashtohet mundësia që të njëjtët ta kenë kaluar në kufi.
Për këtë po punohet edhe me këqyrjen e pamjeve të kamerave kufitare për identifikimin e personave që e sollën të cilët kanë zgjedhur Morinën edhe për shkak të lehtësive nga kontrollet kufitare.
Targat që u përdorën në automjetin e atentatit, i cili u dogj më pas në fshatin Qerekë në dalje të Kamzës, i përkasin një makine në Valias, të cilat dyshohet se janë marrë brenda një garazhi. Blutë po punojnë për të gjetur pronarin e saj, edhe pse ky i fundit nuk i ka denoncuar si të vjedhura.
Dy miqtë Kastriot Elezaj e Renaldo Metushi po pinin kafe bashkë në tavolinë në lokal, kur autorët që mendohet se ishin 3, në pak sekonda shtinë 7 plumba, dhe u larguan me shpejtësi pasditen e 3 shtatorit, duke djegur makinën e krimit. Brenda saj u gjet pistoleta me kalibër të vogël 7.65 mm, e pajisur me silenciator, që u përdor në krim. Shkaku i këtij atentati akoma mbetet i paqartë, por e shkuara kriminale e njërit prej të plagosurve, Kastriot Elezaj, i dënuar më për prostitucion në Itali, vijon të jetë pistë kryesore për hetuesit.
Pronari targave ose i perfshire drejtperdrejt ose nuk jeton ne shqiperi dhe as e di fare qe makines i jane vjedhur targat ne parkim.
Përgjigju