Plaurent Dervishaj, i cili i shpëtoi mrekullisht një sulmi të mirëorganizuar me armë në Durrës, ka treguar në polici se nuk kishte mundur të njihte autorin që e kishte qëlluar mbi 45 plumba automatiku. Kjo pasi sipas tij, ai së bashku me shokun Julian Meçe, janë sulmuar befasisht më breshëri, dhe për pasojë instiktivisht janë mundur të mbrohen, duke u shtrirë në pjesën e poshtë të kroskotit të makinës.
Teksa policia po vijon hetimet me shpresën se do bjerë në gjurmët e autorëve që kanë organizuar tentativën e vrasjes së Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçe,ky i fundit ende nuk është marë në pyetje, pasi ndodhet në një spital në Tiranë, ku po mer mjekim për tre plagët e mara gjatë sulmit me armë. Nga ana tjetër shoku i Meçes, Dervishaj në dëshminë e tij u ka thënë policëve se ka qëndruar për një çast me trupin ulur në kroskot, derisa sa kanë përfunduar të shtënat e automatikut. Ndërkohë kur kishte ngritur trupin dhe kishte parë për rreth çfarë kishte ndodhur nuk kishte identifikuar asnjë person apo automjet. Dëshmia e anëtarit të bandës së Durrësit, konsiderohet si jo e sinqertë nga ana e grupit hetimor që po meret me këtë çështje, pasi sipas tyre Dervishaj, edhe në ngjarje të tjera ka gënjyer në polici mbi rrethanat e faktit. Burime pranë policisë së Durrësit thanë për gazetën “Shqiptarja.com” se Dervishaj i ka gënjyer edhe në vitin 2015, kur u arrestua në ambjentet e brendshme të bar “Zodiak” në Durrës, ku policia e arrestoi anëtarin e bandës së Durrësit, për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të municioneve”, akuzë për të cilën ai më pas u dënua në Prill 2016 me 40 ditë burgim, dënim i cili u konvertua në 120 orë punë të detyrueshme.
Në atë periudhë policia ka ushtruar kontroll në lokalin “Bar Zodiak” që ndodhet në lagjen Nr.04, Durrës. Në një ambient privat ku ndodhej pronari i lokalit Plaurent Dervishaj, nga kontrolli i ushtruar janë gjetur një çantë me dy xhepa, ku brenda saj ndodhej një krehër pistolete në ngjyrë të zezë dhe brenda tij, ishin 16 copë fishekë të kalibrit 9 mm dhe një sasi prej 107 copë kartëmonedha të llojit euro të prerje 50 euro secila gjithsej 5350 euro. I pyetur si person nën hetim Plaurent Dervishaj ka deklaruar se është e vërtetë se në çantën që mbante me vete i është gjetur një krehër pistolete me 16 fishekë, si dhe një sasi parash. Dervishaj ka deklaruar se në lidhje me krëhërin me fishekët i ka gjetur në rrugë para se të vinte policia dhe do t’i dorëzonte sapo të pinte një kafe në lokal. Lidhur me paratë, ai ka deklaruar se ia kishte dhënë borxh një shtetas i quajtur Selami Cela, për nevoja të rikostruksionit të lokalit, duke paraqitur dhe një prokurë të lëshuar në datë 23 dhjetor 2015.