Atentati në Shkodër, telefonata e fundit e babait me 19-vjeçarin vetëm 2 orë para se të vritej: Hajde në shtëpi se po errësohet

20 Shtator 2022, 11:29| Përditesimi: 20 Shtator 2022, 15:42

  • Share

‘Hajde në shtëpi se po errësohet’. Kjo ishte telefonata e fundit e babait me 19-vjeçarin Erjon Xhenje vetëm 2 orë para se të vritej teksa po pinte kafe në një lokal në qytetin e Shkodrës. Ishte i ati që i kërkonte të kthehej në banesë pasi ishte vonë.  

Më parë i kishte kërkuar që të shoqëronte në udhëtimin drejt Malit të Zi, ku do të furnizohej me karburant, por i biri nuk kishte pranuar. Edhe babain, Arben Xhenje e ka penguar diçka dhe nuk është nisur drejt Malit të Zi, por është kthyer në banesë.

Vetëm 2 orë pas bisedës së fundit me të birin, mori telefonatën se e kishin vrarë. Në dëshminë e tij në polici, i dëshpëruar nga dhimbja tha se djali i tij ishte i pafajshëm dhe se në fisin e tyre probleme kanë vetëm nipërit.

Prej një jave babai bletërritës, kishte menduar t’i largonte të dy djemtë e tij dhe bashkëshorten mësuese nga lagjja “Guerrile” dhe ishte vënë në kërkim për një shtëpi me qira në një zonë më të qetë. Ende nuk ka një motiv për vrasjen, por i riu,  rezulton kushëri me Sehar Xhenjën, një person me precedentë kriminal në Shkodër.

Lidhja e viktimës me Sehar Xhenjën, i shpallur në kërkim për tentativë vrasje 

Erjon Xhenje, është djali i xhaxhait të 19-vjeçarit, Sehar Xhenje, me lidhje shoqërore me Asmer Bilalin, i cili është në kërkim për tentativë vrasjeje pasi qëlloi me armë drejt automjetit me të cilin po lëvizte Taulant Pepaj në shkurt të vitit 2021. Për këtë ngjarje janë shpallur në kërkim edhe Eljon (Esmeraldo) Hato, 31 vjeç dhe dhe Shkelzen Xhenja, 29-vjeç.

Si ndodhi ngjarja?

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës, rreth orës 20:10, pranë kryqëzimit të Kirasit, në zonën e njohur si ‘Rruga e Gjerë’. Erjon Xhenja ishte duke pirë kafe, ndërsa u qëllua nga autorët që po lëviznin me motoçikletë qëlluan me breshëri plumbash duke e lënë të vdekur në vend.

Atentati mendohet se është kryer nga dy persona që ishin të maskuar dhe lëviznin me motoçikletë. Njëri ka qëlluar nga distancë e afërt me 8 plumba pistolete. 5 plumba prekën trupin e të riut. Rreth 500 metra larg vendit të ngjarjes, në lagjen 'Guerile' është gjetur duke u djegur motoçikleta së bashku pistoletën që dyshohet se i përket autorëve.

Hetuesit shpresojnë që autorët të kenë lënë gjurmë tek arma e përdorur në krim. Në lokalin ku ndodhi ngjarja janë sekuestruar 5 kamera sigurie.

Ora 12:24
Vrasja e 19-vjeçarit në Shkodër, shpresa e vetme për zbardhjen e ngjarjes analizat laboratorike të motorit dhe armës së autorëve

1663589088_WATERMARKREPORTtv.00425427.Still010.jpg

Hetimet për vrasjen e 19-vjeçarit Erjon Xhenje, duket se janë ende në vendnumëro. Kamerat e sigurisë nuk kanë pikasur dy autorët e kësaj ngjarje të cilët kanë qenë të maskuar dhe të veshur me të zeza. Megjithatë grupi hetimor i policisë së Shkodrës po kontrollon provat e mbledhura në vendin e ngjarjes për të hedhur dritë mbi vrasjen e 19 vjecarit.

7 herë është qëlluar në vendin e ngjarjes me pistoletë nga autorët ndërkohë që 5 predha plumbi pistoletë ka marrë viktima pas atentatit me armë zjarri.

Pikërisht tek arma e krimit dhe motori i djegur në lagjen Guerrila është shpresa e vetme e grupit hetimorë, duke shpresuar në një “gabim” të autorëve duke lënë gjurmë të tyre në mjetin e sekuestruar dhe armën e krimit.

Sa i takon pistave të hetimit, burime pranë grupit hetimorë të policisë së Shkodrës, po punohet në dy drejtime, së pari në konfliktet e djalit të xhaxhait të viktimës Sehar dhe Shkëlzen Xhenje, të cilët janë emra të njohur për policinë e Shkodrës, ndërkohë që pista e dytë ku po hetojnë blutë e Shkodrës është ajo e vrasjes së Ismet Çekorjes.

Edhe pse s’ka një provë konkrete, hetuesit e çështjes dyshojnë se viktima ka qenë i përfshirë në këtë ngjarje, kjo lidhur edhe nga afërsia e banesave të dy familjeve Çekorja dhe Xhenje, banues në lagjen Guerrile në qytetin e Shkodrës.

Megjithatë, pavarësisht dyshimeve dhe pistave të ngritura, në policinë e Shkodrës nuk ka ende asnjë person të shoqëruar për këtë ngjarje, përveç dëshmitareve të cilët natën e se dielës kanë qënë prezent në lokalin ku u ekzekutua 19-vjeçari Erjon Xhenje

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?