Andon Dhima dhe dy personat që pretendon se e ndoqën

Atentati pa krisma ndaj Andon Dhimës, pse u gjet porositësi përpara autorëve

19 Tetor 2020, 13:54| Përditesimi: 19 Tetor 2020, 14:17

  • Share

Një video, në pamje të parë e frikshme, qarkulloi këto ditë në media. Bëhet fjalë për një atentat të dështuar ndaj një biznesmeni. Në pamje duket kur ai hyn në pallat në këmbë, pas tij hyjnë 2 persona me çadër. Nga kamerat e brendshme duken dy personat që tentojnë të kapin ashensorin, njëri prej tyre ka një armë në dorë, (e pretenduar si e tillë, pasi në pamje shihet një send në ngjyrë të zezë i ngjashëm me një armë). Pasi nuk e kapën ashensorin me biznesmenin brenda, largohen, marrin çadrat që kishin lënë te hyrja dhe pas tyre shfaqet një person që duket se ishte roja, që i dëboi.

Sipas disa mediave, ishte kronologji e një atentati të dështuar…

Një kronologji që lë shumë dyshime për të qenë atentat. Dyshon kur sheh se si dy atentatorë, janë aq sqimatarë kur janë nisur për të vrarë një person, sa mbajnë çadra në vend të mushamave me kapuç (mundësisht të Policisë, aq të preferuara janë nga bandat e vogla shqiptare këto të fundit), pastaj dyshon kur njëri nga atentatorët hap derën e pallatit pa doreza, pastaj kur e sheh me armën e dyshuar në dorë duke u shpresuar që biznesmeni nuk do e merrte ashensorin në kohën e mjaftueshme që kishte, por do i priste tek sheshpushimi ta vrisnin, pastaj dyshon kur largohen nga frika e rojes, që megjithëse i paarmatosur, gjen guximin të dëbojë dy njerëz të armatosur dhe t’i shoqërojë deri jashtë.

Ata largohen, pasi roja i ka njohur si fytyra. Nuk shqetësohen nga dëshmitari okular, vetëm tremben prej tij. Kjo kronologji e dyshimtë mund t’i përkasë një atentati amator, por po ashtu mund të jetë një inskenim për atentat nga një njeri që ndihet i kërcënuar. Një atentat unik, pa viktima, pa plagë, pa të shtëna, madje pa asnjë zhurmë.

Në çdo rast, nuk mund të shmanget një hetim i menjëhershëm nga policia që të kursehet jeta e një njeriu nëse është në rrezik, ose të hidhet poshtë fabula e bariut me ujkun.

Andon Dhima është biznesmeni, që u bë i njohur për një mosmarrëveshje biznesi me Ben Blushin. Nuk është mosmarrrëveshja e tij e vetme, por është më e famshmja dhe më oportunia për disa media që prej muajsh janë vënë në një përndjekje të Blushit.

Atentati i supozuar, si rrjedhim, bëri jehonë në këto media, të cilat, nuk kërkuan autorin, nuk kërkuan mbrojtjen e biznesmenit, por gjetën menjëherë porositësin, duke e bërë akoma më të dyshimtë ngjarjen.

Ndërsa policia e ka më të lehtë se kurrë të identifikojë autorët e pamaskuar dhe të përballur me rojen, e gjithë vëmendja e mediave të interesuara, është të denoncojnë “porositësin”.

Për ta, nuk ka interes për rrezikun që mund t’i kanoset vërtetë biznesmenit, që mund t’i ketë ardhur nga drejtime të shumta, nuk ka interes për kapjen e autorëve. Madje kapja e autorëve mund të prishë akuzën që tashmë e kanë ngritur ndaj Ben Blushit.

Nuk është një rrufe në qiell të pastër. Prej disa muajsh tashmë, Blushi dhe dy mediat që po e akuzojnë, janë përfshirë në një luftë që nuk ka kursyer as sulmet familjare.

Një luftë që ka vetëm humbës, që nuk ka viktima, por ka vrarë jetën private të shumë familjeve, ka vrarë paqen e vështirë në ambientin mediatik, besueshmërinë e publikut tek media, ka krijuar llogore të palogjikshme, rreshtime të panevojshme.

Deri në këtë pikë kanë shkuar edhe personazhe të tjerë politike dhe mediatike. Nuk është hera e parë që ndodh megjithëse është hera e parë që zgjat me muaj dhe nuk kursehet askush.

Shpikja e atentatit është një tejkalim i kufijve, një precedent i keq, që i jep fund çdo rregulli. Është një rrugë e rrezikshme, ku media nuk ka hyrë dhe nuk mund të hyjë. Është kriminalizim që zëvendëson polemikën, që, sado e ashpër, mbetet mediatike.

Ndërkohë që media kërcënohet nga një ligj censure, kjo e “atentatit” është më keq se ligji, është ftesë për policinë dhe prokurorinë që të zgjidhin debatet mediatike. Të paktën me ligjin “antishpifje”, këtë kompetencë e kanë gazetarët./Dosja.al

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • silvio: 21/10/2020 10:28

    He mo rrotat e idioteve qe vdisni te jepni komente para kohe inskenim ishte. Rrini shikoni punet tuaja mos i fusni turinjte ne cdo vend per te komentuar.

    Përgjigju
  • Dardan: 19/10/2020 17:12

    Duket paster qe eshte inskenim. Ata qe te vrasin me verte nuk vijne me çader shiu e largohen nga vendngjarja serbes-serbes me kembe. Duhet ta dine shume mire qe ka kamera dhe marrin masa te mos duken ne fytyre e mos lene gjurme duarsh. Ajo gruaja hyri perpara dhe e mban ashensorin hapur me paramendim. Keshtu qe biznesmenin nuk e shpetoi rastesia. Ska agje rastesore aty. Çudi eshte fakti sesi gazetari ekspert investigues A.Hoxha se paska dalluar sa e sajuar eshte kjo si ngjarje. Ishalla po heton policia e te martim vesh te verteten, se mediat e tregojne sipas interesit te tyre.

    Përgjigju
  • Dtv: 19/10/2020 15:52

    Ja bënë muuu që është inskenim, po të shikoni me vëmendje në fillim të videos kur piszesmeni shfaqet në cepin e pallatit hedh një herë syt nga ai drejtim që erdhën dy (atentatorët) dhe këtë e bëri me vemendje të plotë si për tju thënë atyre hajdeni se po hyj në shtëpi, këtë gjë e kam parë që herën e parë që pashë këtë video keq të inskenuar, qofsha i gabuar por për mua personalisht ëahtë sajim i pastër në masën 99.99%..

    Përgjigju
    • @Di leo: 19/10/2020 16:41

      Pa merak Di Leo nuk më rruhet as për politik e as për të punuar në privat TV, nuk jetoj fare në Shqipëri, por më dhemb fakti i përhapjes kot të panikut, se jo për gjë por kur të duhet me të vërtet që të ndërhyjë policia sdo e besoj më njeri këtë piszesmenin.

    • Di leo: 19/10/2020 16:07

      Mos je gje i punesuar i TCH ti?

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?