Në zemër të Athinës, kur termometri prek 43 gradë dhe asfalti duket sikur dridhet nga nxehtësia, ekziston një pjesë e qytetit – gjithnjë e më pak periferike – që po mëson të freskohet vetvetiu. Pa ndonjë iluzion futurist, pa infrastrukturë gjigante. Vetëm pemë, gurë, ujë dhe një planifikim i kujdesshëm i mikroklimës urbane që redukton varësinë nga ajri i kondicionuar. Këtu, në një nga lagjet më të dendura dhe më të vjetra të kryeqytetit grek, beteja kundër "ishullit të nxehtësisë" ka nisur në heshtje më shumë se dhjetë vjet më parë.
Quhet Rethink Athens dhe nuk është thjesht një projekt për këmbësorët. Është një nga shembujt e parë në Evropë të rigjenerimit klimatik të udhëhequr nga të dhëna shkencore, modelime termike të avancuara dhe zgjedhje të qarta mjedisore. Në zemër të projektit është rruga Panepistimiou, një arterie nevralgjike mes Parlamentit dhe Universitetit, ku hija dhe avullimi i bimësisë kombinohen me materiale natyrore dhe sisteme freskimi pasiv. Në total, janë ndërhyrë në njëmbëdhjetë rrugë dhe sheshe, duke përfshirë dhjetëra mijëra banorë, udhëtarë dhe turistë.
Rezultatet, të matura në terren dhe të simuluara me programin ENVI-met, janë domethënëse: temperatura e ajrit është ulur të paktën me 1.5 gradë në pikat kulmore të verës, sipërfaqja e rrugës është bërë 5 për qind më e freskët dhe komoditeti termik është rritur me 20 për qind. Vetëm përmes vendosjes së pergolave, rreshtave me pemë dhe sistemeve që spërkasin ujë, është reduktuar me 20 për qind koha kur nevojitet ajri i kondicionuar. Më pak energji, më pak stres termik, më pak ndotje. Dhe një hap i vogël, por domethënës, drejt një qyteti më të ajrueshëm.
Në themel të këtyre masave është një modelim mikroklimatik i realizuar me ENVI-met, një software tredimensional që simulon ndërveprimin midis atmosferës, tokës, vegjetacionit dhe arkitekturës urbane në shkallë lokale. Çdo skenar mbështetet në të dhëna reale: shpejtësia dhe drejtimi i erës, lagështia relative, rrezatimi diellor, llojet e tokës dhe materialeve. Simulimet, të verifikuara me matje në vend gjatë verave më të nxehta, kanë lejuar testimin e kombinimeve të ndryshme të hijes, avullimit dhe reflektimit, deri në përcaktimin e konfigurimit më efikas.
Një nga treguesit kryesorë është PET (Temperatura Fiziologjike Ekuivalente), që merr parasysh jo vetëm temperaturën e ajrit, por edhe lagështinë, rrezatimin diellor, ventilimin dhe metabolizmin e trupit. Është një matës i komoditetit real që ndien një person në hapësirën publike. Pas ndërhyrjes, PET ka rënë mesatarisht me 4–5 gradë, me kulme mbi 10 gradë në zonat e hijëzuara gjatë orëve më të nxehta. Për shtresat më të cenueshme të popullsisë, si të moshuarit, kjo nënkupton mundësinë për të lëvizur në qytet pa rrezik të menjëhershëm.
Fondacioni Onassis, që ka promovuar projektin, nuk ka kërkuar efekte speciale, por zgjidhje sistematike. Është pikërisht kjo qasje inxhinierike e përmbajtur ajo që e veçon modelin e Athinës. Qasja është e integruar, por edhe e riprodhueshme. Një kombinim i ekuilibruar i elementëve klimatikë dhe sjelljeve njerëzore, i mbështetur në të dhëna të sakta dhe në një vizion operacional: të projektohet mikroklima për të përmirësuar shëndetin publik, jetueshmërinë urbane dhe efikasitetin energjetik.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, çdo gradë më pak gjatë valëve të të nxehtit ul me 3–5 për qind vdekshmërinë e lidhur me ngjarjet ekstreme. Në një qytet si Athina, ku verat po zgjasin dhe kulmet e temperaturave po bëhen më të shpeshta, ndërhyrja nuk është më një opsion estetik, por një domosdoshmëri shëndetësore. Nuk është rastësi që kryeqyteti grek ka qenë ndër të parët që ka emëruar një Zyrtar të Lartë për Çështjet e Nxehtësisë (Chief Heat Officer).
Eleni Myrivili, aktualisht në detyrë, ka si mision të koordinojë të gjitha strategjitë kundër të nxehtit në qytet: nga hartëzimi i lagjeve më të ekspozuara, te zgjerimi i "Stacioneve të Ftohjes" (Cooling Stations), deri te zhvillimi i një aplikacioni publik që udhëzon qytetarët dhe turistët drejt rrugëve më të sigurta nga pikëpamja termike. Ajo është gjithashtu këshilltare e Kombeve të Bashkuara për përshtatjen urbane ndaj klimës dhe punon që politikat ndaj të nxehtit të jenë të aksesueshme, të drejta dhe konkrete. “E nxehta vret në heshtje. Qytetet nuk mund të reagojnë më, ato duhet të parandalojnë,” ka deklaruar ajo në një intervistë disa vite më parë. Është edhe falë kësaj vizioni strategjik e njerëzor që Athina sot përpiqet të mbrojë ata që nuk mund të mbrohen vetë.
Rethink Athens nuk është një prototip, por një realitet urban i konsoliduar. Infrastruktura e krijuar – nga hijëzimet bimore te materialet reflektuese, nga sistemet avulluese te shtrimet e reja të rrugëve – funksionon prej vitesh dhe jep rezultate të matshme në klimën urbane, në komoditetin termik dhe në efikasitetin energjetik. Këto rezultate, tashmë të konfirmuara në terren, përbëjnë bazën për strategji të reja si programi ASCEND, i cili zgjeron qasjen mikroklimatike në lagjet më të ekspozuara të kryeqytetit. Në këtë mënyrë, Athina po përpiqet të përballet me krizën klimatike.
Komente
