Ati, Inva e vajza Nina! Mulajt, tri breza në art! Gjithçka ndodhi me ‘Karnavalet’, sopranoja: S’është koincidencë, babai më dha bekimin para se të shuhej!

4 Mars 2023, 20:47| Përditesimi: 4 Mars 2023, 21:03

  • Share

Në "Opera", ajo shënjoi gjurmët e para si soprano. Në '87-ën erdhi si Shega tek "Nëna e trimave", që i ati, artisti i ndjerë Avni Mula kompozoi. Dy vjet më vonë si Filomena tek "Paja", apo në '90-ën me shkëlqimin e saj në rritje si Leila tek "Peshkatarët e perlave". Por, kujtimet e Inva Mulës me këtë teatër, janë të kahershme e lidhen, në mënyrë të pashmangshme, përpos dashurisë së saj për muzikën klasike, me dy prindërit artistë, sopranon Nina dhe baritonin e kompozitorin Avni Mula, që i dhuruan momente magjike kësaj skene.

“Është një familje e rëndësishme, sepse në ketë teatër, është ndërtuar një memorie e imja që prej fëmijërisë. Unë kam qenë në këtë teatër ne çdo provë dhe kur këndonin prindërit e mi, dhe kur këndonin të tjerët. Isha kaq e lidhur me këtë teatër, saqë çdo cep dhe qoshe, çdo klasë, pavarësisht se teatri tani është rinovuar ka diçka qe lidhet me qenien time. Impakti që me jep ky teatër është shumë i madh”, thotë sopranoja Inva Mula, kësaj here në rolin e regjisores për “Karnavalet”- thotë ajo.

Ka qenë vetëm 14 vjeç, kur në këtë Teatër vihej opereta "Karnavalet e Korçës", që Avni Mula kompozoi bazuar në komedinë e Spiro Çomorës e me libret të Luigj Gurakuqit. Tanimë si regjisore rikthen veprën në skenë 45 vite pas premierës, si shenjë homazhi për të atin në këtë 95-vjetor të lindjes, kur mungon prej më shumë se dy vitesh fizikisht.

Inva rikthehet pas në kohë, e kujton prej kompozimit të operetës, te duartrokitjet e para të publikut. Një sukses që do të inspironte komedinë televizive me të njëjtin titull.

“Mbaj mend punën disa vjeçare që babi ka bërë për të vënë në skenë ‘Karnavalet’. Temat e arieve dhe koraleve të bukura unë i kam pasur vazhdimisht në mendje se i dëgjoja çdo ditë në piano. Duhet të them se në ato vite ne kemi jetuar në apartamente shume të vogla. Aty hanim ushqim, bënim muzikë dhe prisnim miq. Kështu që të gjitha temat e karnavaleve janë në memorien time që fëmijë. Pastaj kam qenë në të gjitha provat që janë zhvilluar, deri në shfaqje. Mbaj mend se ka pasur shumë publik dhe kërkesa për të ardhur në shfaqje, sepse të gjitha janë luajtur në një sallë plot. Ky është kujtimi im më i bukur. Pastaj kanë qenë dhe interpretuesit këngëtarë të shkëlqyer, saqë më vonë, kur u realizua dhe filmi kanë ngelur disa imazhe. Fatmirësisht ka qenë një film i tillë që shihet dhe sot dhe që njerëzit e mbajnë mend”, tregon Mula më tej.

Prej disa vitesh e ruante në zemër, idenë për rivënien në skenë të "Karnavaleve". E rrëfen se këtë dëshirë e pat ndarë edhe më atin, pak kohë para ndarjes nga jeta të artistit Avni Mula.

“Mbaj mend një bashkëbisedim me babin, ndoshta në ditët e fundit të jetës së tij, kur u kam folur për ‘Karnavalet’. I thashë: Një dite babi unë do të vendos ‘Karnavalet’ në skenë, por a do të me lejosh që të bëj disa ndryshme ne konceptin tim, të një jete aktuale, sesi mund ta shikoj pas 100 vitesh këtë histori të viteve ’30?. Babi më ka thënë: "Vepra është e jotja, bëje siç e mendon, se çfarëdo që të bësh, e di që do ta bësh mirë!". Ka qenë një bekim kaq i madh për mua, sepse e dija që shpirtërisht do të ma jepte gjithmonë lejen, por një leje e tillë me plot gojën më ka dhënë shtysë”, shprehet Mula.

Ndonëse regjia nuk është në pikësynimet e saj, ky rol, që siç thotë, mbart përgjegjësi të madhe, nuk vjen rastësisht.

“Përherë, i kam bërë pyetje vetes, në të gjithë teatrot që kam vënë shfaqje nëpër botë: "Si do ta bëja unë spektaklin, nëse do isha në petkun e regjisorit apo të një drejtuesi". Këto kanë qenë kërkesat e mia përherë. Asnjëherë nuk jam kufizuar në të qenët interpretues, por e kam parë veten përtej kësaj. Kështu që kjo dëshirë për të kontribuuar në krijimin e një produksioni është diçka që nuk ka lindur sot. Por, sot më vjen më shumë se asnjëherë tjetër, për arsyen se janë pjekur të gjitha kushtet pas një eksperience kaq të madhe skenike, saqë do të doja që të gjithë mendimet ti shikoja të realizuar në skenë”, thotë më tej sopranoja.

Momenti erdhi gjatë muajit shkurt që përkon edhe me vënien e parë skenike në '78-ën të operetës. Provat për realizimin e "Karnavaleve të Korçës" kanë qenë intensive në Teatrin e Operas. Artistët ishin entuziast e të angazhuar maksimalisht, për të dhënë më të mirën, që Inva si regjisore ka ditur të zgjojë tek ta.

“Këtë punë ne e kemi nisur në tavolinë, siç bëjnë aktorët. Dhjetë ditë kemi punuar vetëm në tavolinë. Përgjatë këtyre ditëve e kemi quajtur veten aktor, se nuk këndonim, vetëm aktronim dhe hidhnim tekstet, dialogët me njëri-tjetrin. Është bërë një punë kaq e bukur saqë kur erdhëm në skenë e duhet të këndonim, dukej sikur vërtetë kishim përballë aktorë që duhet të këndonim. Ky ishte qëllimi im, që të arrinim në këtë nivel, madje ju kam thënë këngëtarëve, që i dua dhe vlerësoj shumë se "duhet të arrimë në atë pikë, që nëse do kemi aktorë të teatrit në sallë të na admirojnë, të thonë: sikur të dinim të këndonim dhe ne", rrëfen artistja.

Me bekimin e të atit, sopranoja e shndërron për katër mbrëmje radhazi në një festë të madhe skenën e 'Operas', duke të shpënë në Korçën e gati një shekulli më parë. E ndihmuar nga imazhet grafike të skenografisë që e gjejnë inspirimin , te fotografi Gjon Mili, krijohet atmosfera  e familjeve borgjeze të viteve ’30.  Veshjet e muzika, japin impaktin e parë magjik, në paradën e Karnavaleve. Pas 'Peshkatarëve të perlave', Inva   ia beson sërish kostumografinë Elva Bellos, e cila i bën të duken artistët në skenë si të dalë prej tablove të klasikëve. Në krahë të saj, për të dhënë më të mirën e muzikës shqiptare klasike, janë Elda Laro e Dritan Lumshi, që udhëheqin Orkestrën e Korin e Teatrit.

“Kam dashur që të mbeten të paprekur të gjithë numrat muzikorë që janë lajtmotivet e kësaj vepre. Aria e Nastas, tregimi i Nënës, është një nga momentet më të bukura, që e kam kënduar në repertorin tim. Apo lajtmotivet ‘Çeli molla’, ariet e bukura të tenorit, koralet e bukura, këto janë të vendosura në skenë siç kanë qenë, se janë pikat kryesore te veprës”, thotë më tej. 

Në aspektin estetik, Inva e asistuar nga Ada Gurra, sjell një panoramë ndryshe.

'Kam marrë më të mirën që është bërë në mënyrën e të jetuarit me elegancë në Korçë, që kemi dhe sot shtëpi që tregojnë si është jetuar në Korçë në ato vite. Kam dashur ta sjell. Këtë e kam pas qëllim në vetvete, për t'i bërë homazh mënyrës së jetesës në atë kohë. Madje Olimbia (nëna) thotë "sjellje prej europianke", jo më kot. Tregon, që dhe pse ajo vet nuk kishte shkuar në Evropë, tregon se shumica e borgjezisë korçare vinin të formuar nga një shkollë franceze, austriake, italiane.'- tha Mula.

Kërkon të evidentojë, Korçën si djep kulture përmes elementëve specifikë. Artistët ruajnë dialektin tipik, ku batutat ndihmojnë për të gjallëruar publikun, e në mbrëmjen e parë të premierës, Vikena Kamenica në rolin e Olimbisë dominon skenën.

“Në aktin e tretë kam dashur të sjell një ballo që nuk ka qenë e tillë më para, por vjen më komplekse, duke shtuar dhe një tango franceze të viteve 30”, shton më tej.

Homazhi i sopranos, për artistët e traditës, ngaherë pjesë e çdo nisme artistike të Mulës në vend, nuk mungoi as kësaj here. Ajo fton në festën e familjes Samarxhi, sopranon Tefta Tashko.

“Kam dashur të fus dhe figurën e një këngëtareje shqiptare që ka mbaruar shkollën në Francë, në Konservatorin e Parisit, që ka debutuar në opera komike, si dhe ka jetuar e lindur në Korçë. E përse mos të ketë ardhur në ato vite në familjen e vet dhe të jetë prezente në këtë ballo. Atë e kam quajtur zonjusha Tefta”, tregon artistja.

"Karnavalet e Korçës", u përcollën gjatë kësaj premiere përmes tri brezave të familjes Mula. Inva dhe bashkëshorti i saj, Hetem Ramadani, mes radhëve të publikut, ndoqën edhe performancën e të bijës, pjesë e korit të fëmijëve. Por, siç rrëfen sopranoja, Nina e vogël, ndryshe nga vëllai Antoni nuk e shikon muzikën si të ardhmen e saj, ndonëse është e apasionuar pas artit.

“Djali është i angazhuar në muzikë, ndërsa vajza pëlqen teatrin. Është shumë e pasionuar, aq sa kur e pyesin çfarë do të bëhet, thotë: ‘Do të bëhem aktore!’. Tani të shikojmë, se arti kërkon një sakrificë shumë të madhe, sakrificë për personin, që i përkushtohet, për njerëzit që janë përreth artistit dhe nuk mbaron asnjëherë. Kur je artiste, je vërtetë shumë ndryshe nga të tjerët. S’ke vetëm nje jetë, ke shumë, dhe përjeton shumë histori! Por, pavarësisht këtyre nuk ka gjë më të bukur se të bëhesh artist!”, shprehet Mula. 

E në fakt dashuria e pasioni për artin e muzikën e familjes Mula, premiera e "Karnavaleve të Korçës", mblodhi mes spektatorëve personalitete të artit e kulturës, diplomatë e përfaqësues të shtetit. Salla plot e duartrokitjet e ngrohta, e mbushin çdo artist me emocione pozitive, veçmas kur lidhja me veprën është edhe shpirtërore...

“Pjesa shpirtërore është shumë e bukur. Nuk ka koincidenca! Edhe në botë si gjen këto koincidenca, që vajza të vendosë në skenë pas 45 vitesh, operetën e babait. Ndaj them se këto janë shenjat që na jep jeta, apo krijuesi, dhe ne këto shenja duhet t’i rimarrim, t’i rishijojmë dhe rijapim një këndvështrim të gjere që të gjithë njerëzit të na bashkohen në këto festa”, thotë Mula.

Por kjo operetë, ishte një mundësi ritakimi për publikun edhe me artistin Avni Mula, përmes veprës së tij. Mungesa e Mjeshtrit, babait, gjatë këtyre netëve është vetëm fizike. Kujtimi i tij në skenë, është përqafimi që Inva me sytë e përmalluar i dhuron, pas më shumë se dy viteve mungesë.

“Me këtë pyetje tuajën unë jam komplet e rren gjethur. Në fakt, nuk ka gjë më të bukur sesa të kujtohet prindi artist me veprën e tij. Unë mendoj se kjo është dhe magjia e artit, se arti nuk vdes kurrë. Vepra e babait tim nuk vdes kurrë, kujtimi i artistëve të mëdhenj që kanë mbajt këtë teatër nuk vdes kurrë dhe kjo është dhe bukuria e artit, qe nuk ka moshë, nuk ka vulë, nuk ka datë, por ka vetëm kujtime të bukura. Sigurisht që do doja qe prindërit e mi të ishin në sallë dhe të shihnin punën time. Por, a ka gjë më të bukur për një prind që atje ku janë të shikojnë se artistët sot po e rimarrin, po e rikëndojnë, po e rivlerësojë veprën e ‘Karnavaleve’, shprehet artistja.

Por Teatri i Operas, gjatë kalendarit të këtij viti, krahas "Karnavaleve të Korçës", ka menduar të nxjerrë nga pluhuri i harresës edhe të tjera vepra shqiptare, dhe t'u dhurojë dritën e skenës krijimeve më të afërta shqiptare.

“Unë mendoj se kjo është një iniciativë e shkëlqyer e drejtueses së TKOB, Abigela Voshtinës, pasi ftesa u bë prej saj. Mendoj se për një teatër kombëtar, identitetin e jep edhe krijimtaria, dhe jo vetëm interpretuesit. Kjo operetë apo baleti "Halili dhe Hajria" janë vepra që vetëm në TKOB mund t'i shikojmë, se ky është identiteti i këtij teatri. Publiku ndihet krenar, kur sheh një vepër që luhet në gjuhën shqipe. Një vepër ku tematikat e libretit dhe temat e shfaqjes të kujtojnë diçka, janë të lidhur me ADN-n e shqiptarit. Prandaj, s'ka gjë më të bukur, ky teatër duhet të mbahet fortë jo vetëm me repertorin klasik, por dhe me repertorin kombëtar. I tillë duhet të jetë TKOB sa i përket ruajtjes se identitetit kombëtar”, thotë ajo.

Ndonëse nga emrat më të vlerësuar të muzikës klasike edhe në skenat më prestigjioze botërore, për forcimin e identitetit kombëtar Inva Mula ka qenë ngaherë e angazhuar, duke kënduar muzikën shqip jashtë, e në rikthimet e saj edhe në kulminacionet artistike në vend. Tashmë këtë mision e kultivon përmes spektakleve si "Virtuozët", apo ngjarjeve artistike si "MIK festival", por edhe në bashkëpunimet me të tjerë artistë të njohur vendas, ku synimi është promovimi i muzikës vendase.

“Absolutisht, arti është pasaporta më e mirë që mund të ketë dhe një komb. Pasi, përmes tij, arrin që të depërtojë dhe në kultura të tjera dhe duhet të dimë se kultura shqiptare është shumë pak e njohur në botë, por njëherazi është shumë e pasur dhe shumë interesante. Nëse flasim për muzikën, muzika shqiptare është shumë e pasur në vetvete dhe ka pika të përbashkëta me atë Ballkanike, por ka një personalitet, ka një individualitet që nuk i ngjan dikujt tjetër. Mendoj se këto janë kërkesat që i kanë artistët kur kanë arritur disa maja të skenave botërore, kur spektatori ka dëshirë që t'i shikojë dhe në petkun e tyre kombëtar. Unë të kënduarit në gjuhën time, e kam parë ngaherë si një pikë shumë të fortë që ne kemi. Prandaj unë të gjithë artistët shqiptarë që dalin në skenat botërore i ftoj që ta bëjnë një gjë të tillë, sepse nëse dikur na është dukur si diçka që na frenonte, pasi është një kulturë e gjuhë e pa njohur, në vetvete ajo është pika më e fortë që mund të ketë një artist shqiptar. Edhe me trion që ne krijuam, por që funksionoi shumë bukur, bashkë me Genc Tukiçin dhe Olen Cezarin ne e quajtëm "Një udhëtim nëpër botë". Ky udhëtim mund të ishte me muzikë. Na janë hapur dyer të teatrove që ne nuk i kemi imagjinuar dhe kemi ftesa të vazhdueshme që në të shkojmë dhe ta shpalosim përmes muzikës kulturën e vendit tonë”, rrëfen artistja.

Dashurinë për muzikën vendase e ka përçuar edhe gjatë punës në këto javë. Në përgatitjet e "Karnavaleve" me dy breza artistësh në Teatër, Inva thotë se u gjend mes vlerave artistike, që ky vend i ka të domosdoshëm. Veçmas për të rinjtë, sopranoja është një model frymëzimi, prej së cilës mësojnë se si ëndrrat e mëdha mund të preken duke iu përkushtuar çdo pjese, e duke nderuar çdo skenë ku performojnë.

“Unë mendoj se s’ka asgjë të pamundur, veçmas sot që për një artist është shumë e lehtë. Në kohën e rinisë sime unë s'kam pasur pasaportë për të shkuar jashtë. Sot të gjithë botën e ke brenda një telefoni. Ke aty, komunikimin dhe informacionin. Mendoj se një artist që mbaron Universitetin e Arteve’ duhet patjetër që të formohet në këtë teatër. Unë kam punuar në këtë teatër, tre vitet e para. Kjo më dha forcë! Mendoj se ky teatër ka shumë prurje në kor dhe të solistë.

Mos të nxitojnë të rinjtë që të ikin, se teatrot atje janë, por të vijnë të japin njëherë kontributin këtu, si dhe të mësojnë. Skena kudo është e njëjtë! Të dridhen këmbët kur futesh në skenë, si në skenën e TKOB-së në "Garnier" të Parisit apo Teatrin Metropolitan. Skena është e njëjtë! Nëse i hedh hapat e sigurt këtu, mund t'i hedhësh ngado. Prandaj suksesi i një artisti vjen nga një punë dhe përkushtim i madh. Asnjëherë nuk duhet të dorëzohen, pasi çdo rrëzim ka një mësim, dhe të ndihmon të bëhesh dhe më i fortë”, përfundon artistja.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?