Ilir Meta

Ato ditë kur presidenti ngjizte lobing me 700 mijë dollarë

22 Qershor 2022, 09:58| Përditesimi: 22 Qershor 2022, 10:01

  • Share

Para 13 ditësh, në 7 qershor, ish deputeti Halit Valteri ka kallëzuar në SPAK presidentin Ilir Meta për veprën penale të korrupsionit me 700 mijë dollarë si lobim në SHBA me qëllim që të influencojë mbi presidentin Donald Trump. Vepra e kallëzuar si ‘krim korrupsioni’, më çon në ditët kur krimi po ngjizej në sytë tanë, herë me trumbeta heroizmi, herë me lutje nëpër selitë e kulteve fetare e shtetërore  ku lëvrinte Meta. Ato ditë po shkruaja librin me titull “Vjen Trump”. Nëpër ngjarjet e librit më hyri natyrshëm ajo atmosferë kur presidenti Meta po e ngjizte aktin e kallëzuar sot në SPAK.

Histerizmi i opozitës që e kërkon pushtetin nga dora e Trump, është thjesht një patologji, jo një realitet. Vetë liderët e opozitës në Shqipëri janë aq anti- Tramp sa edhe kushdo në këtë botë ;por shtiren sikur janë pro doktrinës së tij.

Edhe anti- Trampistët e fshehur, tani janë shfaqur në radhët e opozitës. Presidenti Meta, që de facto është kryetar i njërës nga partitë në opozitë, LSI, por i fshehur pas postit kushtetues të presidentit të republikës, ka një mllef të madh kundër natyrës dhe politikave të presidentit Trump; por i duhet që të shfaqet pranë tij me qëllim që të ndikojë në publikun shqiptar. Që prej ditës kur presidenti i ri u vendos në Shtëpinë e Bardhë, Meta nuk la gur pa lëvizur me qëllim që të hynte në njërën nga kthinat e ‘White House’. Aktivizoi kë mundi e çfarë mundi, sidomos lobin grek në Amerikë. Këtë e bëri duke u mbështetur te deputetë të tij nga minoriteti grek në jug të Shqipërisë, të cilët mburren haptazi se kanë lidhje të afërta me rrethin e ngushtë të Donald Trump.

Presidenti i republikës, Meta, nisi manovra pa fund me qëllim që të afrohej me enturazhin e Donald Trump. Duke e parë që Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë e drejtuar nga kryepeshkopi Anastas Janullatos- një figurë mjaft popullore dhe e besueshme për grekët kudo në botë, ishte vënë në shënjestër dhe nën breshërinë e britmave nacionaliste nga segmente ‘intelektualiste’ dhe politike shqiptare, këtë e kapi Meta si shpëtimtar. Meta e shfrytëzoi pozitën ‘nën sulm’ të kryepeshkopit të kishës ‘greke’, dhe e ‘mori në mbrojtje’. Qëllimi ishte që ta përdorte për t’u afruar me Trump përmes lobit grek në Amerikë. Meta iu afrua kryepeshkopit deri edhe familjarisht, me foto të përbashkëta, me meshë e pritje në Kishë, me shfaqje televizive. Brenda pak ditësh, Meta i dha Hirësisë së Tij, Janullatos edhe nënshtetësinë shqiptare. Prej vitesh e dekadash është zhvilluar polemikë e egër ‘pse prifti grek kërkon nënshtetësi shqiptare’; por këtë e zgjidhi Meta me një të rënë të lapsit. Qëllimi ishte afrimi me Donald Trump përmes influencës së kryepeshkopit mbi lobin grek në Amerikë…

Kur presidenti Trump e refuzoi autoritetin e presidentit Ilir Meta me rastin e dëbimit nga Tirana të ambasadorit të Iranit, këtu edhe presidenti i bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’, u ndal! Jo vetëm që nuk u duk më në krah të Janullatos, por u egërsua më shumë dhe nisi të tregojë kthetrat ndaj qeverisë së ligjshme dhe ndaj Kushtetutës së Republikës. Edhe këtë e bëri me qëllim që të afrohej me Donald Trunpin, por me sens të kundërt: Nëse në Tiranë do të shpërthenin trazira, sipas idesë së Metës, atëherë presidenti Trump ‘do ta kthente vëmendjen nga Meta’, për të gjetur zgjidhje. Domethënë  Amerika do të kërkonte që presidenti ‘të ndërmjetësonte’ konfliktin civil në Shqipëri. Kjo ide i ka hipur në kokë opozitës këtu sipas modelit të opozitarit Guadio në Venezuelë, që po kërkon pushtet përmes konfliktit.

Taktika e aplikuar disa herë në shtetin tonë ballkanik, se ‘kur Amerika nuk të ka në vëmendje, atëherë ndiz një zjarr në shesh’, u praktikua edhe nga presidenti aktual. Shqipëria hyri në një lëngatë konfliktesh të kryesuara nga presidenti dhe gruaja e tij, që ditën kur humbën shpresat se mund të kishin një lidhje të drejtpërdrejtë me presidentin amerikan, Trump.

-Cili nga ne do të jetë Juan Guaido?…

Shtetarët presin se cilit do t’i vërë gishtin Donald Trump e t’i thotë ‘ti je lideri i ri i Shqipërisë!’.

Tani Meta dhe gruaja e tij, që mban oborrin e pushtetit politik të presidentit, po presin që të  ndodhë ngjarja e tretë në raport me presidentin Trump. Ngjarja  e tretë (pas ushtrimit të influencave nga lobi grek në Amerikë dhe pas afrimit me Hirësinë e tij, Janullatos), pritet kjo skenë: Trump, siç ‘i preu kokën’, presidentit Maduro në Venezuelë, të njëjtën gjë do të bëjë edhe me Edi Ramën- kryeministër në Tiranë. Dhe siç bëri me opozitarin venezuelas, Juan Guaido, Trump do të shtrijë dorën e do të ngrejë Ilir Metën (!)….

Histerizmi për marrjen e pushtetit u ka hedhur rërë syve ‘Juan Guaidove’ në Tiranë.

( *Fragment nga libri me titull ‘Vjen Trump’, i autorit Frrok Çupi, faqe 192, 193, botuar në vitin 2019).   

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?