Foto Ilustruese

Opinion

Fatos Çoçoli: Bonuset e shumëfishuara, fillim i mbarë për pensionet?

6 Shkurt, 12:55| Përditesimi: 6 Shkurt, 13:02

  • Share

Dje u zhvillua në Tiranë Konferenca Ndërkombëtare për Reformën në Sistemin e Pensioneve në Shqipëri. Kryeministri Rama solli në vëmendje disa pika të udhërrëfyesit të Bankës Botërore për reformën e pensioneve.

Urdhëresa e parë e Udhërrëfyesit është: mos rregullo një skemë që nuk funksionon, por provo diçka të re dhe anasjelltas, mos provo diçka të re kur një skemë funksionon.

Urdhëresa e dytë është të zgjedhësh mes dhimbjes afatshkurtër dhe dhimbjes afatgjatë, se reformë pa dhimbje nuk ka.

Urdhëresa e tretë ka të bëjë me faktin se reformimi i skemës së pensioneve është maratonë, nuk është sprint.

Qeveria po provon t’i zbatojë në praktikë të trija parimet-urdhëresa të Bankës Botërore. I ka hyrë detit në këmbë dhe është e ndërgjegjshme për këtë.

Turi i tetorit 2024 dhe shpërblimet si pension i rritur

Në tetor 2024, kryeministri ndërmori një tur nëpër Shqipëri, me një pjesë të mirë të qeverisë, për të shpjeguar sfidën e qeverisjes së tij me pensionistët. Reforma e re në pensione do të shpallet së shpejti. Pensioni minimal nga 100 mijë lekë të vjetra në muaj do të kalojë në 150 mijë lekë të vjetra në muaj. Kuptohet, nuk do të rritet që tani në shkurt 2025, por do të ndodhë shpejt. Po sa shpejt?

Rritja e pensioneve 2024-2025
Bonus dhjetor 2024 - 100 milionë euro
Bonusi i pranverës 2025 - 64 milionë euro
Bonus dhjetor 2025 - 105 milionë euro
Totali: 269 milionë euro

Shifra 269 milionë euro e tre shpërblimeve të shumëfishuara dhjetor 2024, mars 2025 dhe dhjetor 2025, parqitet gati dy herë më shumë se shifra 137 milionë euro, dhënë si shpërblime fundviti në pesë vitet 2019-2023. Dje në konferencë, Kryeministri Rama u zotua të rrisë më shumë përfshirjen e pensionistëve në shpërndarjen e fryteve të rritjes ekonomike.

Rritja reale mujore për pension, dhjetor 2024-nëntor 2025
Minimali 10,000 Lek/muaj - 2,800 Lek/muaj
Mesatari 19,900 Lek/muaj - 2,800 Lek/muaj
Pensioni 30,000 Lek/muaj - 1,250 Lek/muaj

Kur nis reforma e dytë e pensioneve?

Kryeministri cilësoi së rekomandimet e konferencës do të shërbenin për të projektuar si duhet reformën e dytë të pensioneve.

Reforma e vitit 2014 që nisi të zbatohej nga janari 2015, pati në themel rritjen e viteve të kontributit për sigurimin shoqëror nga 35 në 40 vite, deri në vitin 2032, si dhe rritjen graduale të moshës së daljes në pension për gratë me dy muaj në vit, për të arritur në 63 vjeç në vitin 2032. Kjo reformë tashmë është e tejkaluar në kohë dhe qasja duhet ndryshuar rrënjësisht.

Reforma e re do të sjellë ndryshime në llogaritjen e pensionit minimal dhe pensionit social, të cilët tani janë në nivele të njëjta. Pensioni minimal do të rritet me 50 përqind, duke u bërë 15,000 lekë të reja në muaj dhe do të shkëputet nga pensioni social, i cili jepet kryesisht në fshat, për të mos lënë jashtë skemës së pensioneve asnjë qytetar të vendit.

Planifikohet të ndryshohet me ulje edhe numri i viteve të punës për pensionin minimal dhe pensionin e plotë, duke rritur efektivisht një pjesë të pensioneve, pasi më shumë pensionistë tek ne do të gëzojnë pension të plotë. Deri tani, me reformën që kemi, numri i pensionistëve me pension të pjesshëm është rritur frikshëm në dhjetë vitet e fundit, nga 28 përqind e totalit në 50.5 përqind.   

Reforma 2 e pensioneve: ulja e viteve të kontributeve?
Vitet për pension të pjesshëm:
2024 - 15 vite
2025 - 12 vite (parashikimi potencial i reformës 2)
Vitet për pension të plotë:
2024 - 38 vite
2025 - 33 vite (parashikimi potencial i reformës 2)

Vitin e kaluar dhe në këtë vit, qeveria ka parë mundësinë e një rritjeje të diferencuar për pensionet e ulta dhe për pensionet e larta, duke favorizuar të parat. Deri tani, kjo është bërë me dy shpërblimet për pensionistët, atë të dhënë në dhjetor 2024 dhe atë që do të jepet, duke nisur nga 1 marsi 2025. Nuk përjashtohet mundësia që i njëjti trajtim i diferencuar në shpërblim të bëhet edhe në shpërblimin e dhjetorit 2025, me të paktën 105 milionë euro për t’u shpërndarë si shpërblime për të 730 mijë pensionistët në atë muaj.

Në bazë të punës së bërë deri tani nga grupi i ekspertëve të Bankës Botërore dhe Ministrisë së Ekonomisë, reforma e dytë e pensioneve është pothuajse gati. Ajo mund të deklarohet edhe në mars apo prill të këtij viti. Do të përbëjë një shpresë dhe ndryshim të madh, por do të dojë të paktën 5-7 vite, që të rrisë ndjeshëm pensionet. Në garë me këtë kohë, qeveria po përpiqet të shtojë sadopak pensionet përmes shpërblimeve. Duket një fillim i mbarë, i kalimit të detit me këmbë, për një pension dinjitoz.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Informaliteti e nëndeklarimi pagave po dëmtojnë pensionet, sa po luftohen?