'Attila' e Verdit premierë në Teatrin e Operës dhe Baletit, Ibrahimi: Një nga veprat më të bukura, shfaqet për 4 net

10 Nëntor 2023, 20:34| Përditesimi: 10 Nëntor 2023, 20:56

  • Share

Opera “Attila” nga Giuseppe Verdi, vjen si premiere absolute në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit për të dëshmuar tragjedinë e shekullit të V të mbretit të Hunëve, Attilës dhe rezistencës së popullit italian.

Etrita Ibrahimi, koncert maestër në TOB, e ftuar në “Studio Live” në Report Tv me gazetarin Arbër Hitaj u shpreh se Attila është një nga veprat më të bukura të Verdit. Mes emocionesh deklaroi se Attila vendoset për herë të parë në skenë në Shqipëri, por edhe në Teatro të mëdha botërore është një shfaqje që vendoset rrallë.

“Është një ndër veprat më të bukura të Verdit. Në fakt i përket periudhës së parë të krijimtarisë së tij është opera e shtatë që ka shkruar dhe ka si argument luftën që Hunët kanë bërë në shekullit 5 pas krishtit për të sunduar. Attila ishte mbreti i tyre.

Jam e lidhur me këtë vepër sepse kam punuar për këtë vepër. Jam koncert maestër. Sigurisht që ka lidhje me mua në kuptimin profesional. Duke punuar për këtë vepër jemi futur në brendësi të saj. Lidhje personale me mua ka koncerti pas Attilas. Në datën 25 nëntor pasi mbarojmë Attilan dhe direkt pas saj kemi një koncert me muzikë shqiptare ku do kemi veprat e kompozitorit Aleksandër Peçit dhe Feim Ibrahimit që është edhe babai im. Kjo është lidhja personale që kam me koncertin. Në këtë koncert do kemi një koncert për violinçelë dhe orkestër dhe një simfoni të babait tim e quajtur simfoni tragjike sepse është shkruar në vitet e tragjizmit shqiptar sepse është shkruar në vitet 1993-1995 që kanë qenë vitet më të vështira të shqiptarëve. Prandaj dhe titulli i simfonisë është simfoni tragjike pasi pasqyron fatin e shumë shqiptarëve”, tha ajo.

“Attila” do të shfaqet para publikut artdashës në datat 15, 16, 18 dhe 19 nëntor. 

"Në datat 15-16 dhe 18-19 nëntor në orën 19. Ka interes sepse ndër të tjera kjo është një opera premierë absolute që vihet në teatrin e operas dhe baletit sepse nuk është vënë asnjëherë. Attila është hera e parë në të gjithë historinë e operas shqiptare. Është një vepër përveçse e panjohur në Shqipëri por është një nga kryeveprat e Verdit. Kur thua Verdi i ke thënë të gjitha.”

Një kast artistësh shqiptarë dhe të huaj do të jenë në skenë në tragjedinë e shekullit të V të mbretit të Hunëve, Attilës, dhe rezistencën e popullit italian, me në krye guximtaren Odabella, ndjekur nga gjenerali Ezio dhe i dashuri i saj Foresto.

Xhuzepe Verdi është kompozitori më i njohur i operës italiane jo vetëm i shekullit të XIX. Ai mbetet si njëri ndër kompozitorët më të njohur të botës në historinë e operës. Akoma të interpretuara në mbarë botën, veprat e Verdit janë ndër hitet më të mëdha të 150 viteve të fundit.

B.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?