Lulzim Basha

Politikë

'Aty ku futet Vis Roshi, Meta, Pëllumb Shullazi e Arian Ndoji, s'ka vend për demokratët', Basha: Rama do votën për të nxjerrë shokët nga burgu, ne për t’i çuar para drejtësisë

17 Prill, 18:24| Përditesimi: 17 Prill, 18:31

  • Share

Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, zhvilloi një komunikim në Facebook, ku iu përgjigj edhe pyetjeve të qytetarëve.

Në një përgjigje të gjatë ndaj një qytetari, Basha foli për vendosmërinë e tij për të luftuar korrupsionin dhe për të ofruar një alternativë të pastër për demokratët shqiptarë.

“Kam qenë dhe do të jem gjithmonë përballë demokratëve të ndershëm, atyre që nuk e kanë shitur idealin për karrige apo pazare politike,” u shpreh Basha.

Ai akuzoi drejtpërdrejt kundërshtarët politikë për bashkëpunim me të korruptuarit dhe të inkriminuarit.

“Po kush t’i dalë para ty? Ilir Meta? Vis Roshi? Apo Pëllumb Shullazi e Arian Ndoja? Këta nuk përfaqësojnë demokratët, por një tranzicion të deformuar që i ka bërë dëm Shqipërisë,” theksoi Basha.

Sipas tij, Koalicioni Euroatlantik përfaqëson të vetmen alternativë të pastër për demokratët dhe qytetarët që duan ndryshim të vërtetë.

“Te numri 4 i Koalicionit Euroatlantik janë demokratët e vërtetë – ata që kanë sakrifikuar, që kanë qëndruar, që kanë luftuar kundër regjimit të Edi Ramës.”

Ai e mbylli përgjigjen me një thirrje për reflektim dhe bashkim të demokratëve përballë sfidave që, sipas tij, po kërcënojnë pluralizmin dhe drejtësinë në vend.

Pjesë nga komunikimi:

Qytetari: O Lul, na bëj një nder – mos na dil më para ne demokratëve.

Lulzim Basha: Pse more Ben, mos t’ju dal unë para ju? Ju kam dalë para sot, ju kam takuar në rrugë të gjithëve. Më keni pritur shumë mirë, kemi folur bashkë, kemi ndarë hallet. Po kush do të të dalë para ty? Ilir Meta? Se atë të ka vënë doktori në listë. Apo Vis Roshi? Kush e ka futur Vis Roshin? Apo Pëllumb Shullazi? Apo ato “vezët e qyqes” në Shkodër, që i ka vendosur me dorë Edi Rama me Benet Becin te lista e Rithemelimit? Po si të mos ju dal unë? Unë jam i vetmi që vazhdoj luftën për t’i çuar përpara drejtësisë të korruptuarit. Këta janë bërë njësh. Çfarë pret ti nga këta? Njëri thotë: “Më voto mua që të nxjerr Ilir Metën nga burgu”, kur është nën akuzë për korrupsion, për fshehje pasurie, për pastrim parash.Tjetri thotë: “Më voto mua që të fusësh Vis Roshin.” E mban mend Vis Roshin apo jo? Ky është propozimi që të sjellin sot. Prandaj thuaju këtyre të tjerëve: mos na dilni më përpara, se ua kanë bërë haram sakrificën demokratëve. Luftën, betejën kundër të korruptuarve dhe të inkriminuarve që ne i kemi larguar me ligjin për dekriminalizimin. Prandaj fut çunin e xhajës ai, se me ligjin për dekriminalizimin ia kemi prerë rrugën. Po ku e fut? Jo te Rama, por te lista e Berishës!  Këta janë ata që nuk duhet t’ju dalin përpara ju. Unë i qëndroj besnik asaj që kam premtuar prej fillimit: luftë pa kompromis kundër korrupsionit. Dhe kjo nuk do të thotë ta dredhësh sipas interesit personal. Kur fut shokët e Ramës në burg, është i mirë SPAK-u. Kur merret me të tjerët, s’qenka më i mirë. Kjo nuk është drejtësi. Thirr mendjes, hajde dhe ti me ne! Sepse e vetmja mënyrë për t’i ruajtur fytyrën demokratëve dhe për të mos u kthyer në raja të Edi Ramës, është të bashkoni votën te Koalicioni Euroatlantik – numri 4. Aty i kemi demokratët e vërtetë: Kryetarët e degëve, qëndrestarët, ata që mbajtën PD-në në protesta pa fund kundër Ramës – në 2021, në 2005, në 2001, edhe në ‘97. Po te lista tjetër, e di kë ke? Ke Vis Roshin, Ilir Metën, Arian Ndojin – prokurorin që e kapën me kriminelë në makinë. Pyet pak se i biri i kujt është: i anëtarit të Komitetit të PPSH-së në Krujë. Prandaj, qartësohu, Beno! Demokratët janë këtej. Kush ka ngelur andej, të hapë sytë. Mjafton të shihni se kë ju kanë futur aty, dhe do ta kuptoni. Demokratët e sakrificës, që u dhimbset fati i demokratëve dhe i Shqipërisë, janë te Koalicioni Euroatlantik – numri 4. Te 1-shi ke Ilir Metën, Vis Roshin, Pëllumb Shullazin, Arian Ndojin, vezët e qyqes, komunistët, spiunët e sigurimit, të korruptuarit, të inkriminuarit – të gjithë bashkë. Vëri gishtin kokës – nëse je demokrat siç thua, hajde me demokratët e vërtetë! Hajde me ata që nuk e kanë shitur idealin për karrige. Voto numrin 4 – Koalicioni Euroatlantik.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?