Audio e komunikimit të gardistëve më 21 janar, grupi hetimor në shtëpinë e familjarëve të Aleks Nikës! Merren në pyetje babai dhe xhaxhai i tij

25 Janar 2023, 12:15| Përditesimi: 25 Janar 2023, 12:58

  • Share

LEZHË - Grupi hetimor ka mbërritur në shtëpinë e Aleks Nikës për të marrë në pyetje babain dhe xhaxhain e tij pasi kanë deklaruar se kanë në pronësi një audio përgjim të komunikimit të gardistëve më 21 janar 2021, bën me dije gazetarja e Report Tv Keti Banushi. Teksa prokuroria e Tiranës vijon hetimet lidhur me audion e pretenduar për bisedën e gardistëve, familjarët kërkojnë drejtësi për vrasjen e Aleks Nikës, një nga 4 protestuesit opozitarë që mbeti i vdekur nga armët e punonjësve të shtetit.

Një ditë më parë, xhaxhai Mark Nika konfirmoi për Report Tv se kishte zhvilluar një takim me kreun e SPAK, Altin Dumanin, të cilit i kishte kërkuar që çështjen ta marrë Prokuroria e Posaçme.

Në një bisedë ekskluzive për Report Tv, Mark Nika, tha se që prej muajit korrik 2022 ka në dorë audio-përgjimin, në të cilin është komunikimi mes gardistëve në momentin që ata hapën zjarr drejt protestuesve më 21 janar. Mark Nika u shpreh se nuk e dorëzon para drejtësisë nëse kjo çështje nuk i kalon SPAK, pasi nuk ka besim tek Prokuroria e Tiranës. Nika tha se i ka thënë Dumanit se kanë frikë ta dorëzojnë këtë audio-përgjim në Prokurorinë e Tiranës pasi ajo mund të deformojë provat.

“Prokuroria ka bërë një kallëzim dhe do të shërbejë si një indicie për të përshpejtuar tërheqjen e hetimeve nga SPAK. SPAK-u e di. E ka bërë shteti tani kallëzimin. Na ka humbur besimi. Të kemi bindjen që SPAK-u nuk do të bëjë lëshime. Te Prokuroria e Tiranës nuk kemi besim. Ka pasur shumë materiale. Prokuroria e Tiranës ka dijeni se plumbi është gjetur në kokë dhe është deformuar ekspertiza. Kam fol në përgjithësi për çështjen. Takimin e kam kërkuar aq sa lejon procedura, të në ndihmojë dhe të kontribuoje që çështjen të tërheqë SPAK-u. Nuk ka punë me gazetarët”, u shpreh Nika.

Ndërkohë, Mark Nika bëri me dije se ishte ai që i kishte dhënë audio-përgjimin gazetarit Artan Hoxha.  Ndër të tjera kërkoi që SPAK të marrë në pyetje edhe ish-kryeministrin Sali Berisha e ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Basha. Një përgjigje e pati edhe për ish-kryeministrin Sali Berisha, të cilin i kthen përgjigje duke thënë se audio-përgjimi nuk është i manipuluar duke thënë se i përket prokurorisë të bëjë ekspertimin e zërit.

Prej ditës së premte është publikuar transkriptimi i një dialogu të zhvilluar më 21 janar 2011 nëpërmjet radiove, mes komandantit të Gardës të asaj kohe, Ndrea Prendi dhe disa oficerëve dhe pretendohet se bëhet fjalë për një audio-përgjim që e ka në dorë Mark Nika.

Të dielën u bënë 12 vite nga një prej ngjarjeve që ka shënjuar më së shumti historinë e të paktën këtyre 32 viteve demokraci në Shqipëri, krimi i rëndë i 21 janarit 2011, kur u vranë në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ 4 protestues opozitarë: Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?