Foto ilustruese

Auditimi publik në këndvështrimin europian

22 Tetor 2022, 22:40| Përditesimi: 22 Tetor 2022, 22:45

  • Share

Raporti i progresit i Komisionit Europian për vendin tonë i publikuar para do kohe i ka kushtuar një vëmendje të veçantë kapitullit mbi “Kontrollin Financiar” duke e vlerësuar këtë atë si një komponent i rëndësishëm për të përmirësuar përgjegjshmërinë menaxheriale dhe menaxhimin e shëndoshë financiar të burimeve publike. Në përgjithësi raporti ka nënvizuar se në këtë drejtim është bërë një “progres i moderuar” në të gjitha fushat. Në fakt termi progres i moderuar në këndvështrimin tim është disi evaziv dhe nuk më entuziazmon dhe përdoret më tepër si një ton pozitiv i raportit, me qëllim për të inkurajuar aktorët, për progres substancial, që në këtë fushë duket se është i munguar.

Në këndvështrimin e një lexuesi të zakonshëm raporti duket pozitiv por ai ka evidentuar disa dobësi themelore të këtij sistemi, që venë në dyshim frytshmërinë e strukturave dhe institucioneve përkatëse dhe duhet të japë një alarm për ndërmarrjen e masave serioze për përmirësim.

Raporti përmend disa përparime që janë bërë në fushën e kuadrit ligjor dhe metodologjik të kontrollit të brendshëm, si dokumentin e politikave për kontrollin e Brendshëm Financiar Publik, Manualin e procedurave të auditimit të performancës, udhëzimet për auditimin e detyrimeve të prapambetura etj. Ndërkohë kur i kthehet realitetit të zbatimit të sistemit të kontrollit brendshëm financiar Publik, bën konstatime të forta si; “Kontrolli i brendshëm nuk është siguruar ende në njësitë buxhetore dhe ai duhet të rritet nëpërmjet një angazhimi më të fortë, ndërmjet Kontrollit të Lartë të Shtetit, Kuvendit dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë”. Kjo do të thotë pikërisht se ka një hendek të madh midis kuadrit metodologjik të hartuar me ndihmën e ekspertëve dhe në kuadrin e programeve të asistencës së tyre, me zbatimin në praktikë. Një konstatim i tillë është alarmant që vë në dyshim dhe minon tërësisht besimin për një menaxhim të shëndoshë financiar në njësitë shpenzuese dhe tregon se aktorët kryesorë përgjegjës, si Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Ministria e Financave nuk janë koordinuar mes tyre dhe me Kuvendin e Shqipërisë, për të siguruar implementimin e një sistemi efikas të Kontrollit Brendshëm Financiar Publik në të gjitha njësitë shpenzuese buxhetore.

Në vazhdim të arsyetimit të mësipërm dhe për të mbështetur konkluzionin përkatës raporti sjell faktin se “Përgjegjësia menaxheriale nuk është ende plotësisht e mishëruar në legjislacion dhe praktikë administrative” që do të thotë se menaxherët e sektorit publik të të gjitha niveleve në veprimtarinë e tyre nuk respektojnë në një shkallë të konsiderueshme parimet e menaxhimit të shëndoshë financiar, të ligjshmërisë e të transparencës në administrim, si dhe nuk përgjigjen për veprimet e tyre dhe rezultatet që burojnë prej tyre përpara organit që i ka emëruar ata ose të cilëve u ka deleguar përgjegjësinë.

Menaxhimi i rrezikut, që është edhe një nga elementët e përgjegjësisë menaxheriale nënvizon raporti, është ende në një fazë të hershme në të gjitha nivelet dhe duhet të përfshihet më mirë në menaxhimin e proceseve financiare dhe operacionale. Kjo do të thotë se menaxhimi i burimeve publike nuk bazohet në vlerësime sistematike të risqeve por të lë të kuptohet se i nënshtrohet spontanitetit.

Sa më sipër mjafton, për të zeruar të gjitha “përpjekjet” dhe “progresin e moderuar” të strukturave përkatëse të angazhuar me menaxhimin e financave publike për një menaxhim të shëndoshë financiar ashtu siç edhe janë kërkesat dhe standardet europiane.

Auditimi i brendshëm

Auditimi i brendshëm është një nga shtyllat e kontrollit të Brendshëm Financiar Publik. Auditimi i brendshëm në standardet e auditimit por edhe në ligjin përkatës është përkufizuar si “një veprimtari e pavarur që jep siguri objektive dhe ofron këshillim për menaxhimin, e projektuar për të shtuar vlerën e për të përmirësuar veprimtarinë e njësisë publike. Auditimi i brendshëm ndihmon njësinë publike për të arritur objektivat, nëpërmjet një veprimtarie të disiplinuar dhe sistematike, për të vlerësuar e përmirësuar frytshmërinë e menaxhimit të riskut, si dhe proceset e kontrollit e të qeverisjes” Më thjeshtë, disa syeresh e përkufizojnë auditimin e brendshëm “si një funksion i krijuar brenda subjektit për të vlerësuar veprimtarinë e tij në formë shërbimi”

Po cili është këndvështrimi europian i shprehur në raport, lidhur me performancën e auditimit të brendshëm ? Raporti pasi evidenton faktin se kuadri ligjor është në përputhje me standardet europiane, lëshon bombën se “Funksioni i auditimit të brendshëm ende nuk jep opinione auditimi për efektivitetin e sistemeve të kontrollit të brendshëm në njësitë buxhetore”. Kjo do të thotë se ky funksion nuk e kryen rolin parësor për të cilin është krijuar, i cili konsiston në vlerësimin e sistemit të kontrollit brendshëm. Me sa duket pavarësisht kuadrit metodologjik, qasja e auditimit ka mbetur akoma në format e vjetra të kontroll revizionit ose të evidentimit të pasojave të ndodhura dhe jo të parandalimit të shkaqeve dhe mundësive të ardhjes së pasojave siç e kërkojnë edhe standardet europiane të auditimit të brendshëm. Duke u përpjekur të depërtojë në shkaqet e kësaj prapambetje Raporti evidenton faktin se “Procedurat e kontrollit të cilësisë së auditimit të brendshëm ende duhet të jenë në përputhje me standardet dhe të bëhen plotësisht funksionale”

Një konkluzion i tillë i raportit përputhet edhe me gjetjet e raporteve të Njësisë Qendrore të Harmonizimit në Ministrinë e Financave e cila me gjithë përpjekjet e saja, nuk ka gjetur terren për zbatimin e metodologjive dhe standardeve europiane të auditimit brendshëm të pranuara dhe emetuara prej saj. Ajo vlerëson se vetëm 36 përqind e veprimtarisë së auditimit të brendshëm përputhet pjesërisht ose plotësisht me qasjen e standardeve të auditimit të Brendshëm.

Auditimi i jashtëm

Auditimi i jashtëm në sektorin publik përfaqësohet kryesisht nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Ai është një organ i pavarur në veprimtarinë e tij audituese dhe i raporton Kuvendit të Shqipërisë.

Edhe për këtë institucion Raporti ngre disa shqetësime serioze të cilat duhet të jenë në fokusin e legjislativit por edhe të vetë institucionit. Pikës së pari theksohet nevoja e “rritjes së kontrollit parlamentar të organeve të audituara në zbatimin e rekomandimeve të auditimit të jashtëm, nëpërmjet dëgjimeve më të shpeshta parlamentare dhe krijimit të një kuadri monitorues parlamentar për të vlerësuar rregullisht veprimet vijuese të qeverisë” .Nga ky konkluzion kuptojmë se Komisioni Europian vlerëson se prezenca e Kontrollit të Lartë të Shtetit në organet parlamentare nuk është e mjaftueshme. Në dijeninë time, nuk kam evidentuar ndonjë rast që ky organ me kërkesë të tij të dëgjohet në Kuvend apo komisionet parlamentare, ndërkohë që ligji organik i tij përcakton se ; Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit mund t’i kërkojë Kuvendit, Komisionit për Ekonominë dhe Financave, apo ndonjë komisioni tjetër të Kuvendit, që të dëgjohet dhe të raportojë, për çështje që ai i çmon si të rëndësishme në funksion të veprimtarisë së tij”.

Praktika botërore e marrëdhënieve të këtij institucioni me Kuvendin flet për një prezencë të lartë të këtij institucioni në Kuvend. Ndërkohë që edhe Parlamenti rekomandohet të ngrejë instrumente për të mbikëqyrur veprimtarinë e tij. Kontrolli i lartë i shtetit konsiderohet si agjent i parlamentit dhe si i tillë ai duhet të ketë një komunikim të vazhdueshëm me këtë organ.

Raporti evidenton edhe nevojën e “ndryshimeve ligjore për të forcuar qëllimin e mandatit të auditimit për të mbuluar të gjitha entet publike”. Një pozicion i tillë i institucionit të KLSH-së veçanërisht për të shtrirë mandatin në të gjitha entet publike duket se nuk është në përputhje me standardet ndërkombëtare veçanërisht me Deklaratën e Limës. Rrjedhojë e një vendimi gjykate absurd këtij institucioni i është mohuar e drejta për të audituar të ardhurat nga tatimet dhe doganat.

Nga ana tjetër mendoj se ndryshime të thella ligjore kërkohet të bëhen në formën e qeverisjes së këtij institucioni. Besoj se është i vetmi institucion në Europë që ka një qeverisje tërësisht monokratike, ndërkohë që institucionet të tilla homologe qeverisen në mënyrë kolegjiale me bord ose së paku me kryesi. Kjo nuk është në vëmendjen e Komisionit Europian dhe nuk evidentohet si mangësi në raport, për shkak se format e organizimit dhe të qeverisjes së institucioneve nuk janë subjekt i vlerësimit të tyre por përgjegjësi e vendeve përkatëse.

Problemi i përmirësimit të cilësisë së auditimeve mbetet një shqetësim i vazhdueshëm i raporteve të progresit për këtë institucion. Kjo është paralel me nevojën për përmirësimet e integritetit profesional të audituesve gjë e cila dikton nevojën e çertifikimit të tyre profesional.

Zbatimi i rekomandimeve është gjithashtu një problem i vazhdueshëm i punës audituese të këtij institucioni. Raporti ngre shqetësimin se ka një diferencë të madhe midis rekomandimeve të pranuara (90%) dhe atyre të zbatuara (50%). Pa hyrë në cilësinë e rekomandimeve por duke e njohur praktikën e punës audituese të KLSH-së, mund të themi me bindje se moszbatimi i rekomandimeve, pavarësisht nga shifrat e raportuara, është “thembra e Akilit” e punës audituese. Ashtu siç e kemi ngritur edhe kohë më parë, këtij procesi i mungojnë mekanizmat ligjorë për të mundësuar zbatimin e rekomandimeve. Mungesa e një ligji kaq shumë të artikuluar “Për përgjegjësinë financiare të punonjësve publike” i shëndrron këto rekomandime në slogane pa vlerë.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?