Foto ilustruese

Opinion

Augustin Palokaj: Çfarë duan dhe nuk duan partitë politike në Kosovë?

25 Gusht, 15:21| Përditesimi: 25 Gusht, 15:26

  • Share

Nëse dikush vë bast se Kosova nuk do të ketë qeveri të re deri në shkurt të vitit që vjen, gjasat janë të mëdha që të fitojë. Por edhe për të vënë bast nuk është lehtë. Fundi i fundit, në Kosovë bastoret janë të ndaluara. Dikush mund të thotë se është tepër pesimiste të thuash se vendi do të jetë pa qeveri me legjitimitet të plotë edhe 5 muaj. Por kush ka mundur ta paramendojë para shtatë muajsh se Kosovën do ta gjejë vjeshta pa institucione të reja. Dhe e gjeti. Sepse Kosova ka politikanë që kanë mungesë kronike të ndjenjës së përgjegjësisë. Të cilët vetëm kalkulojnë interesin partiak, e me këtë edhe atë personal. Dhe ka një Gjykatë Kushtetuese e cila në përpjekje për të dhënë udhëzime se si të dilet nga kriza, vetëm sa e zgjat krizën.

Ndoshta do të ishte e kuptueshme, dhe deri diku normale, po të kishte ndodhur ky ngërç në tentimin e formimit të qeverisë. Sepse rezultatet e zgjedhjeve, ndonëse e nxorën Vetëvendosjen si fituese të madhe të tyre, nëse krahasohet me partitë e tjera, ato nuk ia dhanë mundësinë që ta formojë qeverinë sipas dëshirës pa kompromise ndaj partive të tjera. Mbi 40 për qind e votave në ndonjë vend tjetër do të ishte rezultat i shkëlqyer në zgjedhje. Për shembull në Kroaci, HDZ-ja pa problem qeveris me stabilitet tash e 10 vjet me 10 për qind më pak vota sesa që i ka marrë Vetëvendosja në Kosovë. Por Vetëvendosja sikur nuk e ka kuptuar se megjithatë ka problem me numra. Se pasi nuk i mori ato votat e pritura, është dashur që nga nata kur dolën rezultatet e zgjedhjeve ta ndryshojë qasjen, t’u afrohet partive të tjera, dhe ta rritë kapacitetin negociues për ndërtimin e koalicionit. 

Partitë e tjera në Kosovë, që përkundër se shënuan një rritje, i humbën zgjedhjet. Ato është dashur po ashtu të reflektojnë dhe të tregojnë më shumë gatishmëri për të ecur drejt formimit të institucioneve të reja. Refuzimi i tyre për ta votuar Albulena Haxhiun si kryetare të Kuvendit, pastaj edhe të Donika Gërvallës, e pastaj edhe të Hekuran Muratit, Arbërie Nagavcit e Dimal Bishës, i kanë dhënë më shumë argumente Vetëvendosjes që të thotë se nuk ka gatishmëri për kompromis as nga ana e partive të tjera. Për më tepër, tash nga këto parti thonë se “nuk do ta votojnë asnjë kandidat që ishte pjesë e qeverisë“ e LDK-ja shkon edhe më larg e thotë se “nuk e voton asnjë kandidat të VV-së“. 

Po të kishte vullnet të mirë politik, partitë do të uleshin në konsultime, do të provonin të arrinin kompromis, e pastaj do të hidhej në votim ndonjë emër. VV-ja nuk do të insistonte në të drejtën e saj që ta propozojë këdo që ajo vendos. Sepse në këtë mënyrë nuk do ta arrijë shumicën e nevojshme, që u dëshmua në këto gjashtë a shtatë muaj. Por as partitë e tjera nuk do të duhej të ishin aq përjashtuese siç janë. Kjo sikur vërtet të donin dalje nga kriza. Por pasi nuk duan, mund të mbeten në qëndrimet e tyre kokëforta dhe fundi i fundit e kanë atë të drejtë.

Absurd është përdorimi i deklaratave nga e kaluara e disa politikanëve si arsyetim për të mos i votuar. Në fakt ajo do të ishte e kuptueshme, dhe e arsyetueshme, e besa edhe e dëshirueshme, sikur të ishte standard në politikën kosovare. Sikur vërtet politikanët të kishin përgjegjësi për atë që thonë dhe kujdes se çfarë fjalori përdorin. Në fakt, mungesa e integritetit personal, heqja dorë nga parimet, dhe amnezia e plotë për atë që është bërë dhe është thënë në të kaluarën, ka qenë element dominant në politikën kosovare.

Nuk do të kalonin mirë shumë politikanë, dhe shumë njerëz që e quajnë sot “mik“ njëri-tjetrin, sikur të marrim të gjitha deklaratat në 35 vjetët e fundit dhe të shohim se kush ka thënë çfarë për kënd. Për ne, që pos një memorieje i kemi edhe arkivat e mediave, duket shumë ironike kjo luftë e politikanëve për një të kaluar më të mirë. Nëse vërtet duan t’i kthehen të kaluarës dhe të përdorin si argument kundër kundërshtarëve politikë, atëherë të mos e bëjnë këtë në mënyrë selektive. Në Kosovë gati se nuk ka parti e cila në moment të caktuar nuk ka qenë në koalicion me secilën parti tjetër, apo ka qenë e gatshme për koalicion, por nuk ua ka lejuar Gjykata Kushtetuese. Përjashtim duket se bëjnë vetëm VV-ja dhe PDK-ja. Me këtë sjellje kurrë nuk do të duhej krijuar koalicione dhe duhet pritur një gjeneratë krejt të re politike për ta hequr këtë kriter të “deklaratave nga e kaluara“ për bërje të kompromiseve politike.  

Edhe sikur një ditë Kosova të arrijë ta zgjedhë një kryetar Kuvendi dhe të konsiderohet si i konstituuar Kuvendi, do të pasojnë procedurat për formimin e qeverisë.  Pasi numrat janë ata që janë, edhe për këtë do të duhet shumë kohë. Dhe kështu do të vijnë Kërshëndellat, Viti i Ri dhe do të bëhen një vit që nga zhvillimi i zgjedhjeve të fundit. Ndërkohë, do të zhvillohen ato lokale, dhe edhe në to mund të ndodhin në nivele komunale bllokada. Dhe kaosi në Kosovë do të bëhet edhe më i madh.  

Përshtypja është se pak a shumë dihet se çfarë nuk duan partitë politike në Kosovë, por nuk është e qartë se çfarë duan. Nuk duan themelim të Kuvendit dhe marrëveshje politike e cila do ta zhbllokonte ngërçin. Por çka duan atëherë? Ndërkohë, Kosova i bart pasojat.

Ajo që nuk po ndodh kësaj radhe, e që është risi, është mosangazhimi direkt i diplomatëve të huaj për “ta ndihmuar“ Kosovën që të dalë nga kriza. Për disa muaj Kosova do t’i mbushë 18 vjet si shtet i pavarur. Një person fizik do ta arrinte moshën madhore, kur bëhet zot i vetes dhe vetë merr vendime. Kosova si shtet është dashur ta arrijë këtë nivel pjekurie që pa “ndihmën“ ndërkombëtare të dijë të dalë nga kriza që vetë e krijon. Pos thirrjeve për nevojën që sa më shpejt të krijohen institucionet e reja, vërejtjeve se sa shumë humb Kosova me një situatë të tillë, kësaj radhe nuk pritet të ketë ndërhyrje direkte ndërkombëtare me propozime për emra se kush duhet e kush jo të jetë në cilin funksion shtetëror në Kosovë. Prandaj, qytetarët e Kosovës nuk duhet të presin më që “hajt se tash vijnë këta ndërkombëtarët dhe na i prenë teshat si gjithmonë!“.

Kosova nuk ka qenë shumë e përkëdhelur nga Bashkësia Ndërkombëtare, por pa dyshim se ka pasur ndihmë. Edhe BE-ja që vazhdon ta mbajë nën sanksione Kosovën, do të donte të shihte një qeveri stabile dhe me legjitimitet të plotë në Kosovë. Kjo “në largim“ nuk konsiderohet si legjitime dhe BE-ja po e dëshmon këtë me mënyrën se si i trajton takimet. Në këtë rrethana BE-ja është komode në mbajtjen e masave ndaj Kosovës, të cilat edhe mund të rriten përsëri nëse do të ketë probleme me zgjedhjet lokale në veri, të mos kryejë pagesat e parafinancimit nga Pakoja e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Kosova është e vetmja që i ka përmbushur kushtet, por pagesat nuk mund t’i marrë pa ratifikim të Marrëveshjes në Kuvend. E kuvend që ta ratifikojë nuk ka. Dhe po ashtu nuk do të shqyrtohet as kërkesa për anëtarësim në BE. Ndërkohë, pothuajse është harruar se Kosova ishte në prag të derës për t’u bërë anëtare e plotfuqishme e Këshillit të Evropës e tash nuk  mund të hyjë as në agjendë për pjesëmarrje në disa takime të Komisioneve, as në cilësinë e mysafirit. Dhe këto janë vetëm disa nga pasojat e krizës politike në Kosovë./Koha 

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kolegji rrëzon Lapajn dhe i jep mandatin Ana Dajkos, si e vlerësoni?