Augustin Palokaj: Formula gjashtë minus një ndaj Kosovës po zbatohet, por me Gjermaninë duhet pasur kujdes

9 Shtator, 17:28| Përditesimi: 9 Shtator, 17:31

  • Share

Kosova e ka gjetur veten në një realitet mjaft të pavolitshëm. Është në momentin kur po u thotë JO të gjithëve, edhe kundërshtarëve, por edhe miqve. Dhe qeveria duhet të pyesë vërtet veten nëse është e mundur që ajo është e drejtë dhe të gjithë të tjerët e kanë gabim. Sepse me veprimet e Kosovës nuk janë më të zhgënjyer vetëm disa diplomatë amerikanë, por të gjithë, edhe ata që janë në pension.

Nuk janë më vetëm disa vende të BE-së, por shumica dërrmuese. Vetëm 5 vendet që nuk e kanë njohur Kosovën nuk janë të pakënaqur me Kosovën, pastaj Franca dhe Italia, por tani janë edhe Gjermania dhe Britania. Qasja ndaj Kosovës dhe Serbisë është e padrejtë dhe joparimore. Por deri tani kjo qeveri duhet ta kishte kuptuar se në diplomaci nuk mjafton të kesh të drejtë

Gjeneratat e reja, si ndaj punëdhënësve ashtu edhe ndaj partnerëve, kanë mësuar se sa përfitime ka kur thonë JO. Psikologët, këshilltarët dhe shkrimtarët dhe sociologët kanë bërë miliona duke shkruar libra ose disertacione për "Përfitimet e të thënit JO".

Për brezat e rinj është e pamendueshme të qëndrojnë në një vend pune për disa dekada. Është e paimagjinueshme të durosh me shefat apo të pajtohesh me gjithçka thonë të tjerët, vetëm sepse kanë autoritet. Ajo kohë ka kaluar. Një ndryshim i tillë duket se ka ndodhur edhe në Kosovë. Nga një brez politikanësh që ishin mësuar të thoshin PO për çdo gjë kur kërkonin miq ndërkombëtarë, tani kemi në pushtet një brez që po i thotë JO çdo gjëje. Dhe ata që janë në pushtet nuk e pëlqejnë përgjigjen JO, edhe pse mund ta kuptojnë pse dikush e thotë atë.

Kosova e ka gjetur veten në një realitet mjaft të pavolitshëm. Është në momentin kur po u thotë JO të gjithëve, edhe kundërshtarëve, por edhe miqve të Kosovës. Dhe qeveria duhet të pyesë vërtet veten nëse është e mundur që ajo është e drejtë dhe të gjithë të tjerët e kanë gabim. Sepse me veprimet e Kosovës nuk janë më të zhgënjyer vetëm disa diplomatë amerikanë, por të gjithë, edhe ata që janë në pension.

Nuk janë më vetëm disa vende të BE-së, por shumica dërrmuese. Vetëm 5 vendet që nuk e kanë njohur Kosovën nuk janë të pakënaqur me Kosovën, pastaj Franca dhe Italia, por tani janë edhe Gjermania dhe Britania. Qasja ndaj Kosovës dhe Serbisë është e padrejtë dhe joparimore. Por deri tani kjo qeveri duhet ta kishte kuptuar se në diplomaci nuk mjafton të kesh të drejtë.

Grupit të të zhgënjyerve me deklaratën JO çdo gjëje nga ana e Kosovës duket se i është bashkuar edhe Gjermania. Dhe këtë e ka parë qartë në një intervistë për “Interaktiv” në KTV, i dërguari special gjerman për Ballkanin, Manuel Sarrazin. Zhgënjimi i tij ishte aq i dukshëm sa ai e kërcënoi Kosovën me izolim rajonal, duke e fajësuar për bllokimin e CEFTA-s dhe duke paralajmëruar se në rast se Kosova nuk pranon një kompromis, mund të vazhdojë me formulën “gjashtë minus një”. Me fjalë të tjera, do të vazhdojë pa Kosovën.

Sarrazin u shfaq në këtë intervistë si një burokrat i BE-së, edhe pse fliste në emër të vendit të tij. Kjo dëshmon se Kosova nuk ka më vend të llogarisë se dikush do të dalë në mbrojtje të saj. Për shkak se Amerika, Gjermania dhe Britania nuk janë më prapa, pa përmendur Francën dhe Italinë, Kosova nuk mund të pritet të mbrohet nga disa parlamentarë apo analistë të OJQ-ve apo vende të vogla të BE-së. Sepse, edhe nëse pajtohen se Kosova ka të drejtë, dhe në fakt Kosova ka të drejtë në shumicën e rasteve, nuk do të shkojnë kundër vendeve të QUINT-it.

Intervista e Sarrazinit, si dhe bisedat që kanë pasur me të gjatë dy vizitave në Prishtinë, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës duhet ta marrin shumë, shumë, shumë seriozisht. Të mos hyjnë më në aventura spekulimesh në emër të kujt flet, ka apo jo aspirata në diplomacinë e BE-së, është kërcënimi i tij se do të vazhdojë pa Kosovën me pesë vendet e tjera të rajonit apo jo. Sepse Sarrazin po flet me aksionerët e Procesit të Berlinit dhe përderisa qeveria e vendit të tij nuk e zëvendëson, ai flet në emër të Gjermanisë. Nëse Gjermania pajtohet që mund të vazhdojë me iniciativat rajonale pa Kosovën, atëherë Kosova nuk duhet të presë që dikush t'i dalë në mbrojtje. Nuk do të ketë mirëkuptim për Kosovën nga Shqipëria, aq më pak angazhim për të mos e përjashtuar Kosovën.

Mali i Zi gjithashtu pret me padurim t'i bashkohet nismave të udhëhequra nga Beogradi si "Ballkani i Hapur". Sarrazin tha gjithashtu se “Ballkani i hapur” udhëhiqet nga Beogradi. Pra, Shqipëria është atje vetëm në shërbim të legjitimimit të kësaj nisme. Ndërsa nga Bosnja nuk ka asgjë për të pritur. Moldavia nuk e njeh Kosovën. Para ardhjes së kësaj qeverie ata kishin pranuar në CEFTA shumë më pak se sa kërkohet tani. Ata ishin pajtuar që Kosova përmes UNMIK-ut të merrte pjesë, në mënyrë që të përfitonte nga ky treg rajonal dhe të mos mbetej jashtë. Kërkesa e Gjermanisë është kompromis, nuk është në përputhje me aspiratat e Kosovës dhe ndoshta është më e favorshme për Serbinë. Por cila është alternativa.

Kosova ka më së paku interes të vërë në dyshim procesin e Berlinit. SEPSE është i vetmi proces ku Kosova merr pjesë si e barabartë, si në thelb ashtu edhe në simbolikë. Është i vetmi proces ku Kosova merr pjesë si shtet, me flamur dhe ku presidenti dhe kryeministrat e Serbisë shfaqen në foto pa kërkuar që aty të hiqet flamuri i Republikës së Kosovës. Prandaj, Beogradi ka më shumë interes për të promovuar iniciativa si “Ballkani i Hapur”, sepse atje Kosova nuk do të merrte pjesë si e barabartë.

Sarrazin për herë të parë pranoi publikisht atë që e dinë të gjithë në Bruksel, Berlin, Tiranë dhe Beograd, se Gjermania ka qenë kundër nismës “Ballkani i Hapur”. Edhe BE-ja ka qenë kundër, ndërsa mbështetja e shprehur nga komisioneri i BE-së për Zgjerim, Oliver Verhelyi, ka qenë më shumë një shërbim personal për presidentin e Serbisë, Vuçiq, me urdhër të kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban. Prandaj Beogradi do të përfitonte nga çdo dobësim i Procesit të Berlinit.

Sa i përket qasjes “Gjashtë minus një” ndaj vendeve të rajonit, ku Kosova mbetet jashtë, BE-ja tashmë po e zbaton.

Vetëm Kosova ka masa ndëshkuese nga BE-ja, të cilat nuk do të hiqen. Edhe pse aty-këtu flitet se do të donte të hiqeshin masat, as Gjermania nuk i është përkushtuar Brukselit që heqja të ndodhë. Dhe nuk do të ndodhë. Përveç kësaj, mund të shtohen masa. Vetëm Kosova ka mbetur pa status kandidat. Vetëm kërkesa e Kosovës për anëtarësim nuk është shqyrtuar fare. Vetëm Kosova ka mbetur jashtë përfshirjes në Komitetin Politik dhe Social të BE-së, i cili është institucioni i parë i BE-së, i cili ka pranuar pjesëmarrës nga vendet e procesit të zgjerimit.

Vetëm për Kosovën BE-ja pranon dokumente zyrtare të lëshuara nga shtetet tjera me adresa të qyteteve të Kosovës si pjesë e atij shteti. Vetëm në rastin e Kosovës, komuniteti ndërkombëtar pret të thotë PO për çdo kërkesë. Ndërsa kur Serbia thotë JO, atëherë kjo kuptohet si “vendim i një shteti sovran” dhe se BE-ja, Gjermania apo Franca “nuk duan të mbajnë leksione”. Jo vetëm Franca dhe Hungaria, por tani edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania janë të përkushtuara për relativizimin e problemit të marrëdhënieve të mira ndërmjet Serbisë dhe Rusisë.

Kjo u pa kur Sarrazin me shumë arrogancë iu përgjigj gazetarit të KTV-së me një kundërpyetje kur ai u pyet për lidhjet e Serbisë me Rusinë. Ai e pyeti gazetarin se çfarë mendon Qeveria e Kosovës për interesin e Turqisë për të marrë pjesë në BRICS? Një politikan i një shteti demokratik, ku dihet roli i medias së lirë, nuk duhet të bëjë një gabim të tillë që për shkak të pakënaqësisë me një qeveri të vendit të tij t'i bëjë një pyetje një gazetari. Por është e vërtetë se përfitimet që po bën Turqia duke mos mbështetur sanksionet kundër Rusisë janë irrituese për BE-në dhe Turqia po bën më shumë dëm sesa Serbia. Po çfarë faji ka këtu Kosova, e lëre më gazetari kosovar? Por e gjithë kjo duhet lënë mënjanë. Dhe Kosova duhet të kuptojë se ka pasoja të rënda kur të gjithëve u thuhet JO për gjithçka. Tani Kosova është në atë moment.

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?