Augustin Palokaj: Mali i Zi mes BE-së dhe botës serbe

5 Gusht, 17:51| Përditesimi: 5 Gusht, 17:55

  • Share

Në stereotipat që kanë ekzistuar për popujt e Ballkanit, dhe që përdoren nëpër barsoleta, malazezëve u është ngjitur epiteti i përtacëve, njerëzve të ngadalshëm. Dhe janë të pafund barsoletat në ketë temë, shumë prej të cilave i kanë bërë vetë malaziasit. Por ja një garë ku Mali i Zi tash e një kohë të gjatë është më i shpejt se të gjithë të tjerët që janë pjesë e kësaj gare. Mali i Zi prinë si i pari në garën për anëtarësim në BE.

Pra është prijës (Front runner) në procesin e zgjerimit të BE-së. Mund të thuhet se në këtë garë, nëse e krahasojmë me vrapimet në shtigje të gjata në lojërat olimpike, është disa rrathë para Serbisë. Apo disa vjet para Serbisë. Shumë para Shqipërisë dhe Maqedonisë. Dikush mund të përdorë analogjinë me barsoleta dhe të shtron pyetje se sa i shpejtë mund të jetë një proces, si ai i zgjerimit, në të cilin Mali i Zi është më i shpejti.

Por lënë anash humorin, Mali i Zi vërtet është vendi më i përparuar në procesin e zgjerimit të BE-së dhe realisht vendi për të cilin në Bruksel besohet më së shumti se mund të bëhet vend anëtar në një të ardhme të afërt. Ka shumë argumente, rrethana dhe faktorë që shkojnë në favor të Malit të Zi. Së pari është shtet jo i madh me numrin e banorëve dhe për BE-në nuk do të ishte ndonjë problem ta absorbojë si vend të ri anëtar.

Kjo nuk do të ishte ndonjë barrë e BE-së as në aspektin financiar e as në atë institucional. Me numrin e deputetëve të Parlamentit Evropian, votave në Këshill dhe parave që do t’i takonin nga fondet e kohezionit, Mali i Zi pa problem do të mund të bëhej anëtar edhe me rregullat ekzistuese të BE-së, pra pa pasur nevojë të priten reformat e brendshme të bllokut që janë të domosdoshme për pranimin e vendeve të reja anëtare. Për nga numri i banorëve Mali i Zi është diku sa një paralagje e Kievit, kryeqytetit të Ukrainës që po ashtu është futur në garë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Nga ana tjetër, për BE-në do të ishte një mesazh shumë i rëndësishëm sikur ta pranojë Malin e Zi si vend të ri anëtar. Me këtë do të dëshmonte se përkundër lodhjes nga zgjerimi dhe rezervave e frikës që ekziston për këtë proces, integrimi është i mundshëm. Dhe nuk ka asgjë më të lehtë sot për BE-në sesa ta pranojë Malin e Zi.

Në të kundërtën BE-ja do të mbetej duke folur për zgjerimin si prioritet duke bërë hapa aty-këtu me ndonjë shtet kandidat, por pa ndonjë rezultat konkret. E rezultat konkret në procesin e zgjerimit është vetëm kur një vend bëhet anëtar formal dhe kur numri i vendeve anëtare rritet. Kanë kaluar plot 11 vjet prej kur Kroacia është bërë vend anëtar i BE-së dhe akoma mbetet si vendi më i ri anëtar.

Kurrë në historinë e BE-së nuk kanë kaluar kaq shumë vjet pa pasur ndonjë zgjerim. Për ironi ndërkohë ka ndodhur ngushtimi i BE-së, e kundërta e zgjerimit pasi Britania e Madhe është larguar. Pra kemi në një anë si rezultat zvogëlimin e BE-së, e flitet se prioritet është zgjerimi. Në këtë situatë pranimi i Malit të Zi në një të ardhme jo të largët, diku pas tre deri pesë vjetësh, do të ishte një fitore e dyanshme edhe për BE-në edhe për Malin e Zi. Dhe kjo do t’u dërgonte sinjal të mirë edhe vendeve të tjera të rajonit se anëtarësimi është i mundshëm dhe si pasojë do të ndihmonte dhe procesin e reformave e edhe procesin e ndërtimit të fqinjësisë së mirë.

Pikërisht në kohën kur në BE u rrit gatishmëria për të bërë një hap gjigant në procesin e negociatave të anëtarësimit me Malin e Zi, ky vend u fut në një test të madh politik. Kur Komisioni Evropian miratoi dhe publikoi raportin për përmbushjen e kritereve kalimtare në kapitullin 23, që përfshin fushën e rendit dhe ligjit, të njohur me shkurtesën IBAR, u prit që shumë shpejtë të mbyllen disa kapituj të negociatave.

Sepse pikërisht ky raport ishte kusht që të mund të mbyllen edhe kapitujt e tjerë negociues. Por në vend që të fokusohet në mbylljen e kapitujve, Mali i Zi ndërmori disa hapa për të dëshmuar afërsinë me Serbinë dhe për të treguar se faktori proserb në këtë moment ka fuqi të madhe në Mal të Zi. Pasi Mali i Zi mbështeti Rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë në OKB, për të balancuar në raporte me Serbinë, u propozua një Rezolutë në Kuvendin e Malit të Zi për gjenocidin në Jasenovc gjatë luftës së dytë botërore. Asnjë lidhje mes këtyre dy ngjarjeve nuk mund të bëhej në atë moment.

E para askush relevant në Kroaci nuk e mohon gjenocidin në Jasenovc. Për më tepër, kreu shtetëror në Kroaci secilin vit shënon përvjetorin e këtij krimi ndaj hebrejve, serbëve dhe të tjerëve që ishin kundërshtarë të regjimit fashist kroat. Dhe Kroacia e sotme është distancuar në të gjitha mënyrat nga regjimi fashist i Luftës së Dytë Botërore, ndërsa edhe në vetë Kushtetutën e Kroacisë së sotme thuhet se shteti bazohet në luftën dhe vlerat antifashiste. Edhe presidenti i parë i Kroacisë, Franjo Tugjman, ishte oficer ushtarak partizan në luftë e pas luftës, ushtarak i Armatës Jugosllave.

Përpjekja për të ndërlidhur krimet në Jasenovc me ato në Srebrenicë, prandaj u kuptua si një ofendim i rëndë ndaj Kroacisë. Për më tepër, pasi vjen nga Mali i Zi, nga i cili në luftën e fundit ishte sulmuar Dubrovniku dhe ishin kryer krime të rënda ndaj kroatëve kur Mali i Zi ishte pjesë e Jugosllavisë së Millosheviqit. Propozuesit, edhe ata që votuan për Rezolutën për Jasenovcin, thjesht kryen një detyrë të sugjeruar nga Beogradi dhe të proceduar nga forcat proserbe në Mal të Zi, të cilat duket se më së shumti i përfaqëson kryetari i Kuvendit Mandiq.

Pos që ndërmori hapa bilateralë, duke i shpallur persona non grata tre politikanë proserbë nga Mali i Zi, Kroacia edhe në BE ndikoi që të mos mbetet pa u regjistruar ky episod i Malit të Zi. U anuluan disa vizita të nivelit të lartë nga BE-ja në Mal të Zi. Po ashtu, u hoq nga deklarata e samitit të BE-së fjalia përmes së cilës do të përshëndetej avancimi i Malit të Zi në procesin e anëtarësimit. Dhe tash nuk flitet më për një përparim të shpejtë të Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian.

Por akoma realisht Mali i Zi, sado larg të jetë, mbetet vendi i cili më se shpejti mund të bëhet anëtar i BE-së. Por ky shtet po kalon tash një test për të dëshmuar a është më afër BE-së apo botës serbe dhe ruse. Të dyja nuk shkojnë bashkë. Ndoshta qëllimi i forcave proserbe dhe proruse në Mal të Zi është pikërisht ta ngadalësojë Malit të Zi drejt BE-së. Sepse Serbia nuk do ta përjetonte aq lehtë që ajo të mbetet e bllokuar e dikush tjetër nga rajoni të hyjë në BE. Nëse Mali i Zi ndërkohë arrin të mbetet jashtë lojërave të botës serbe dhe botës ruse, atëherë rrugën drejt BE-së do ta ketë të hapur.

Por pa lojëra të dyfishta siç kanë bërë politikanët në pushtet në dy muajt e fundit duke tentuar të balancojnë mes Beogradit-Moskës e Brukselit. Sepse BE-ja ia njeh vetëm Serbisë të drejtën për t’u ulur njëkohësisht në dy apo më shumë ulëse. Të tjerëve nuk do t’u tolerohet ajo që i tolerohet Serbisë. Kjo nuk do t’i tolerohet as Malit të Zi. E fundi i fundit, siç thuhet në të gjitha deklaratat e BE-së për procesin e zgjerimit, “qëllimi për anëtarësim në BE është vendim i pavarur i secilit shtet, por kjo duhet të dëshmohet edhe me vepra”. E këtë duhet tash ta dëshmojë Mali i Zi pasi për herë të parë është krijuar dyshimi edhe për orientimin e këtij shteti.            

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?