Foto Ilustruese

Opinion

Augustin Palokaj: Në BE ka nisur beteja më e madhe, ajo për para

21 Korrik, 15:47| Përditesimi: 21 Korrik, 15:52

  • Share

Më një mungesë te paparë të transparencës, duke e injoruar edhe Parlamentin Evropian, edhe shumicën e vendeve anëtare, edhe mediat, Komisioni Evropian të mërkurën e shkuar ka propozuar atë që quhet “Kornizë shumëvjeçarë financiare” për periudhën pas vitit 2027. Ky pa dyshim është dokumenti më i rëndësishëm për BE-në dhe për funksionimin e saj.

Propozimi në fjalë ishte tema numër një në BE, duke e lënë në hije edhe luftën në Ukrainë, edhe krizën në Gaza, edhe tensionet ne Siri, madje edhe luftën tregtare mes BE-së dhe SHBA-së që pritet ose të eskalojë më 1 gusht, ose të arrihet një marrëveshje.

Për asgjë vendet anëtare të BE-së dhe institucionet nuk grinden aq shumë sa për para. Javën e shkuar me propozimin e një buxheti prej 2 trilionë (apo 2.000 miliardë) euro, për periudhën shtatëvjeçare, ka nisur kjo betejë. Kjo i bie që pas vitit 2028 buxheti vjetor i BE-së të jetë mbi 280 miliardë euro. Menjëherë ata që paguajnë më shumë kanë thënë se “është pajustifikueshëm shumë i lartë”, ndërsa ata që marrin më shumë se “është i vogël për t’i zbatuar prioritetet”. Në dy vjetët e ardhshëm duhet ndjekur këtë betejë, sepse buxheti i BE-së flet për prioritetet e vërteta politike më shumë sesa cilado deklaratë publike.

Fjalia që shumë shpesh e ka përdorur ish-presidenti amerikan Biden, autori i parë i së cilës nuk dihet saktësisht, është ajo: “Ma trego buxhetin tënd e unë do të them se për cilat vlera dhe politika angazhohesh”.

Bashkimi Evropian gjatë historisë ka funksionuar duke vendosur prioritete politike e pastaj i ka gjetur paratë për t’i zbatuar ato. Dhe sa herë ka gjetur prioritete të reja, nuk ka hequr dorë nga ato të vjetrat. Dhe dy prioritetet e përhershme të BE-së kanë qenë bujqësia dhe zhvillimi rajonal. Bujqësia, për shkak se pas Luftës së Dytë Botërore janë zotuar se në Evropë nuk do të ketë varfëri. Prandaj gjithmonë bujqësia ka qenë fuqishëm e subvencionuar, aq shumë saqë edhe sot në supermarketet në Evropë mund të kushtojë qumështi më lirë sesa uji. Ndërsa politika rajonale, ajo e kohezionit, ka për qëllim që ta zvogëlojë dallimin mes rajoneve më pak të zhvilluara dhe atyre më shumë të zhvilluara. Për këto dy politika prioritare të BE-së janë ndarë dy të tretat e buxhetit.

Por, me rritjen e prioriteteve, në një botë të ndryshuar në mënyrë dramatike, BE-ja e ka gjetur veten në pozitë, në të cilën duhet ta rrisë buxhetin për çështje, si mbrojtja, zhvillimi digjital, inovacionet, ruajtja e mjedisit dhe energjia, prandaj nuk mund ta bëjë këtë pa i zvogëluar mjetet financiare për politikat e tjera, sidomos për bujqësi dhe për kohezion. Dhe kjo tashmë e ka krijuar një grindje të madhe në BE. Sepse rreth kësaj nuk ka aleanca të natyrshme, miqësi dhe lidhje tradicionale, ka vetëm interesa. Dhe në bazë të interesave tashmë janë formuar edhe grupet brenda BE-së, që bëjnë lobim në njërën apo anën tjetër.

Siç ishte edhe e pritur, vendet si Gjermania, Holanda, Austria dhe Suedia e kanë quajtur propozimin për 2 trilionë euro buxhet shtatëvjeçar si “tepër të lartë dhe të pajustifikueshëm”. Këto vende janë neto kontribuuese në buxhet. Kjo do të thotë se shumë më tepër paguajnë sesa që marrin nga buxheti i BE-së. Në anën tjetër janë “miqtë e kohezionit”, diku rreth 14 vende anëtare, të cilat kur mblidhen dhe ndahen mjetet që i paguajnë në buxhet dhe ato që i marrin nga ai, dalin dukshëm neto përfituese.
Dhe pastaj janë institucionet e BE-së, sidomos Parlamenti Evropian. Pos që ndihet i përjashtuar nga loja, ani pse në fund nuk mund të miratohet buxheti shtatëvjeçar pa pëlqimin e tij, Parlamenti është kundër dhënies së më shumë kompetencave për shpenzimin e buxhetit qeverive nacionale në dëm të rajoneve.

Sa është e rëndësishme politika e kohezionit dhe sa është e suksesshme ajo nëse përdoret si duhet, e dëshmon dhe shembulli i Kroacisë, akoma vendit më të ri anëtar të BE-së, ndonëse e ka stazhin prej 12 vjetësh ai anëtar.

Kur Kroacia kishte hyrë në BE, ajo e kishte Bruto Prodhimin Vendor për kokë banori në nivel prej 60 për qind të mesatares së BE-së, ndërsa tash e ka 80 për qind. Papunësia në Kroaci ishte mbi 17 për qind, ndërsa tash është nën 4 për qind. Kroacia për 12 vjet i ka përfituar më shumë se 17 miliardë euro pa kthim. Kur u anëtarësua në BE, Kroacia ishte vendi më i varfër, pos Bullgarisë e cila ishte para saj. Sot Kroacia i ka tejkaluar disa vende. Madje edhe Rumania sot është me standard më të lartë sesa Greqia, që dëshmon se sa mund të përfitojë një vend nga anëtarësimi në BE nëse zbaton politika të zgjuara.

Tash Komisioni Evropian ka propozuar që bujqësia dhe kohezioni, krahas disa politikave të tjera, të bashkohen në një “zarf financiar” në “Partneritetin nacional dhe rajonal”. Kjo është shitur si “lehtësim” dhe “thjeshtëzim” të zbatimit të buxhetit. Por kjo gjithsesi e shënon një ndryshim dramatik nga politikat e deritashme tradicionale të BE-së.

Vendet si Kosova dhe të tjerat nga procesi i zgjerimit, duhet ta analizojnë mirë këtë propozim, sepse ai do të ketë ndikim të madh edhe në to. Nga ky propozim mund të shihet se është rritur shifra për procesin e zgjerimit. Por programet do të dizajnohen ndryshe dhe do të bashkohen në një, jo siç është tash me disa programe, si “Plani i Rritjes” apo “Plani i Investimeve në Ballkanin Perëndimor” krahas “Mjeteve të Paraanëtarësimit”. Të gjitha pritet të bashkohen në një program të vetëm dhe ai për vendet e zgjerimit dhe ato të fqinjësisë pritet të jetë 42,6 miliardë euro, diku 12 miliardë më shumë sesa që ishte në periudhën e mëparshme.

Presidentja e Komisionit Evropian, von der Leyen, ka thënë gjatë prezantimit të këtij plani se me këtë kornizë buxhetore e kanë caktuar edhe zgjerimin si prioritet kyç.

“Zgjerimi është prioritet kyç. Nuk është vetëm qëllim politik, por investim strategjik në stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës. Prandaj, ne po e hapim në tërësi edhe instrumentin “Global Europe” edhe për vendet kandidate, jo vetëm për asistencë teknike, por edhe për reforma dhe projekte konkrete”, ka thënë ajo.

Komisioni ka sqaruar, po ashtu se vetëm për Ukrainën do të ndahen 100 miliardë euro, por ato do të jenë para të veçanta dhe nuk janë përfshirë në buxhet. Kështu që vendet tjera nuk do të kenë zvogëlim të mjeteve, për shkak të nevojave të mëdha që do të ketë Ukraina.

Menjëherë është vërejtur se ky propozim buxhetor nuk ka llogaritur se BE-ja do të rritet ndërkohë me më shumë vende anëtare, që mund të kuptohet si një porosi jo edhe aq ambicioze e BE-së kur është zgjerimi i saj në pyetje. Presidentja e Komisionit Evropian e ka sqaruar edhe këtë duke thënë se, nëse ndërkohë në periudhën prej 2028 deri në vitin 2034, ndonjë vend i ri anëtar do të hyjë në BE, atëherë do të rishikohet dhe ndryshohet edhe korniza shumëvjeçare financiare. Do të negociohen edhe aspektet financiare të anëtarësimit të vendit përkatës në bazë të madhësisë së vendit kandidat dhe efektit që do ta ketë në BE, siç janë pagesat për politikën e kohezionit dhe bujqësisë.

Nuk do të jetë problem nëse ndërkohë në BE hyn një vend si Mali i Zi, apo madje edhe Shqipëria, të vetmet vende që realisht kanë gjasa. Nuk do të duhej tepër shumë të rritej buxheti i BE-së për t’i plotësuar nevojat e tyre. Por nëse do të hynte Ukraina, e cila është dy herë më e madhe sesa të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor së bashku, dhe për nga zhvillimi shumë prapa mesatares së BE-së, atëherë ngarkesa financiare për BE-në do të ishte shumë e madhe. Kur vendet si Kosova apo vendet tjera të rajonit, të mendojnë për qasjen e BE-së ndaj tyre, duhet ta kenë parasysh se prioritetet në BE tash janë në buxhetin e tyre e jo diku tjetër./Koha

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si po menaxhohet situata me zjarret?