Foto Ilustruese

Opinion

Augustin Palokaj: Serbia përdor dialogun, të painkuadruarit dhe orientimin perëndimor të Kosovës kundër njohjeve

31 Mars, 15:19| Përditesimi: 31 Mars, 15:25

  • Share

Njohja e Kosovës nga ana e Kenias është e para pas shumë vjetësh, pas asaj që kishte ardhur nga Izraeli si fryt i asaj që u quajt “Marrëveshje e Uashingtonit”. Ndërkohë Serbia ka pretenduar se ka siguruar “së paku 28 tërheqje të njohjes së Kosovës”.

Tërheqjet e njohjes së Kosovës nuk është lehtë të verifikohen ndërkohë që njohjet janë transparente pasi janë akte formale. Gjasat janë që Serbia nuk e thotë të vërtetën, sepse nëse një vend tërheq njohjen e Kosovës, atëherë duhet ta njoftojë vetë Kosovën e jo Serbinë. Por, nuk mund të mohohet se ka pasur tërheqje të njohjeve, ka pasur vota kundër Kosovës në organizatat ndërkombëtare edhe nga vendet që e kanë njohur dhe ka qenë shumë e pasuksesshme përpjekja e Kosovës për të siguruar njohje të reja. 

Reagimi i Serbisë pas njohjes nga Kenia, duke e quajtur si “akt armiqësor” dhe duke paralajmëruar masa kundër këtij shteti, dëshmon se fushata e Serbisë kundër Kosovës është e përhershme dhe nuk është ndalur asnjëherë. Serbia në këtë fushatë zakonisht përdor këto argumente:

Dialogu i Brukselit

Nga shumë diplomatë të vendeve nga kontinenti i Afrikës dhe ai i Azisë dëgjohet se Serbia si argument kryesor kundër njohjeve të Kosovës përdor dialogun e Brukselit. Dhe këtë e ka bërë me shumë sukses. Përderisa Kosovës i ishte thënë se përmes dialogut mund t’i arrijë aspiratat e saj, deri më tash ky proces është dëshmuar si i dëmshëm për Kosovën në aspektin e njohjes. Serbia në komunikim me vendet e Afrikës dhe Azisë, por edhe të disa pjesëve të tjera të botës, thotë se dialogu i Brukselit është dëshmi se statusi i Kosovës nuk është i përmbyllur. Se po të ishte statusi çështje e kryer, nuk do të ndodhte dialogu.

Dhe fakti se BE-ja nuk shpreh qëndrim për statusin e Kosovës e ndihmon këtë argument të Serbisë. Dhe nga disa diplomatë dëgjohet se “pse vendi i tyre ta njohë Kosovën, e cila është në Evropë, përderisa ajo nuk njihet nga BE-ja dhe nuk është as anëtare e Këshillit të Evropës”. Faj të madh për këtë kanë edhe Kosova edhe BE-ja. BE-ja nuk e ka thënë qartë se çështja e statusit të Kosovës është e mbyllur. Dhe nuk po e mbron as marrëveshjen e fundit, sipas së cilës edhe Serbia duhet ta respektojë integritetin dhe sovranitetin e Kosovës e lëre më t’i atakojë vendet që e e njohin Kosovën se kinse po e shkelin integritetin territorial të Serbisë.

Lëvizja e të painkuadruarve

Diplomacia e Serbisë po vazhdon ta paraqesë veten si pasardhëse të ish-Jugosllavisë së Titos, tek ato vende të botës të cilat e vlerësojnë lëvizjen e të painkuadruarve. Një lëvizje që e kishin themeluar së bashku liderët e ish-Jugosllavisë, Indisë dhe Egjiptit, e ku ishin shtetet që nuk donin të ishin as me bllokun sovjetik komunist e as me atë perëndimor të NATO-s. Ato vende janë pak të njohura me realitetin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, krimet e kryera nga regjimi i Serbisë dhe kanë nostalgji për të kaluarën.

Edhe në reagimin kundër Kenias, Ministria e Jashtme e Serbisë u shpreh se me këtë dëmtohen edhe “raportet e mira tradicionale që nga lëvizja e të painkuadruarve“. Serbia kishte siguruar tërheqjen e njohjes dhe mosnjohjen e Kosovës nga disa vende edhe duke ua hequr vizat për ardhje në Serbi. BE-ja pati pasoja për këtë, sepse shumica e tyre vinin si “turistë” në Serbi e pastaj kalonin në Kroaci duke hyrë në BE dhe kërkonin azil. Serbia me këtë i shpërblente për kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës.

Orientimi properëndimor i Kosovës

Edhe pse vetë pretendon se do që të jetë pjesë e BE-së, Serbia me diplomacinë e saj bën një fushatë të madhe antiperëndimore. Te shumë shtete, sidomos ato që janë me popullatë shumicë myslimane, e që nuk kanë raporte të mira me Perëndimin, Serbia e paraqet Kosovën si një “projekt të perëndimit kundër së drejtës ndërkombëtare”. Bile edhe hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Serbia, sipas disa diplomatëve, e ka shfrytëzuar për të lobuar kundër Kosovës te disa vende myslimane.

Për çudi, SHBA-ja nuk e ka qortuar Serbinë pse ajo nuk e ka ambasadën në Jerusalem, edhe pse edhe ajo ishte obliguar për këtë me Marrëveshjen e Uashingtonit. Nga Irani e deri te Sudani, Serbia thuhet se e ka përmendur këtë argument. Serbia ka mjeshtëri të jashtëzakonshme për të përdorur argumente të kundërta sipas nevojës. Përderisa te vendet me shumicë myslimane e përdor si argument kundër Kosovës se Kosova “është vegël e Perëndimit“ tek e djathta ekstreme në Evropë, Serbia përdor faktin se Kosova ka shumicë myslimane dhe “paraqet rrezik për Evropën”. Për Kosovën si “shtet islamik në zemër të Evropës” dëgjohet edhe nga goja e deputetëve të ekstremit të djathtë në Parlamentin Evropian, disa prej të cilëve janë mbështetës të mëdhenj të Serbisë.

E drejta ndërkombëtare

Serbia vazhdon ta quajë pavarësinë e Kosovës dhe njohjen e saj si “shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe të Rezolutës 1244“. Këtë e bën përkundër faktit se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e kishte dhënë mendimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e kishte shkelur as të drejtën ndërkombëtare e as Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Por, Serbia vazhdon me propagandën e saj.

Kosova pat humbur rastin që menjëherë pas këtij mendimi pozitiv të GJND-së ta rrisë fushatën për njohje, pasi u rrëzua argumenti se ata që nuk e njohin po e respektojnë të drejtën ndërkombëtare. Në vend të kësaj, i gjithë fokusi u bart te dialogu i Brukselit. Dhe njohja u bë “e parëndësishme”. Kosova tash ka mbetur peng e dialogut, sepse ai nuk po e ndihmon, por po e pengon njohjen dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Dhe BE-ja hesht kur Serbia përmend “të drejtën ndërkombëtare”, kur bën fushatë kundër njohjes së Kosovës dhe tërheqjes së njohjeve./Koha

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e keni vendosur se për kë do të votoni më 11 maj?