Një qytetare voton në zgjedhjet lokale në Kosovë

Opinion

Augustin Palokaj: Sfida e kthimit të Listës Sërpska në pushtetin lokal në veri

13 Tetor, 15:18| Përditesimi: 13 Tetor, 15:25

  • Share

Zgjedhjet lokale në Kosovë tregojnë një pjekuri dhe emancipim të madh të votuesve. Dëshmojnë se askush në Kosovë nuk i ka të garantuara votat e qytetarëve dhe se ata nuk votojnë në baza ideologjike, por ua japin votën njerëzve, për të cilët besojnë se do t’i përfaqësojnë më së miri interesat e tyre. Qytetarët i njohin më mirë kandidatët në zgjedhje lokale sesa në ato të përgjithshme. Ndoshta kjo do të duhej të merrej edhe si një motiv për të ndryshuar ligjin zgjedhor dhe për ta ndarë Kosovën në disa qarqe zgjedhore e jo që e tërë Kosova të jetë një njësi zgjedhore. Kështu votuesit do të ishin më afër kandidatëve, të cilët i votojnë e ata që do të merrnin vende në Kuvend do të kujdeseshin edhe për interesin e qytetarëve nga zona e tyre e jo vetëm për interesin e partisë së cilës i takojnë.

Por këto zgjedhje nga bashkësia ndërkombëtare, sidomos nga Bashkimi Evropian, janë parë me rëndësi të veçantë për shkak se ato kanë shënuar kthimin e serbëve në pushtetin lokal në veri të Kosovës.

Për disa vite në katër komuna të veriut të Kosovës, kryetarët kanë qenë me përkatësi etnike shqiptare edhe pse në ato komuna serbët përbëjnë shumicën e madhe të qytetarëve. Kjo situatë nuk ka qenë rezultat i synimit të shqiptarëve që të marrin pushtetin në ato komuna, por pasojë e largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës në veri. Kosova ka organizuar zgjedhje për të mos lejuar vakum të plotë të pushtetit lokal dhe serbët i kanë bojkotuar ato. BE-ja e ka kritikuar edhe largimin e serbëve, edhe shtytjen që ata për një bojkot të tillë e kanë pasur nga Beogradi, por në praktikë nuk ka bërë asgjë që situata të ndryshohet, nuk e ka sanksionuar as Beogradin e as udhëheqësit e serbëve të Kosovës, të cilët e kanë organizuar këtë bojkot, për të dalë në një masë edhe në ilegale, përfshirë edhe duke formuar struktura paraushtarake. BE-ja e ka sanksionuar Kosovën, por nuk ka ndërmarrë masa ndaj Serbisë.

Tash me pjesëmarrjen e serbëve në këto votime shënohet kthimi i tyre në institucionet e Kosovës. Dhe pa marrë parasysh se çfarë thonë, çfarë terma përdorin, edhe me pjesëmarrje në këto zgjedhje bëhet një hap i njohjes de facto të pavarësisë së Kosovës. Deklaratat patetike se “Nuk është përzierje e jashtme ndërhyrja e Serbisë në këto zgjedhje sepse Kosova e Metohija është pjesë e Serbisë“ nuk e ndryshojnë faktin se zgjedhjet janë në Republikë të Kosovës, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës. Dhe edhe BE-ja e saktëson se edhe marrëveshja e dialogut nga viti 2013 e saktëson se zgjedhjet janë në kuadër të ligjeve të Kosovës. Po të ishte Kosova “Pjesë e Serbisë” këto zgjedhje as që do të zhvilloheshin.

Bashkimi Evropian i gëzohet pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet lokale në Kosovë, pasi kishte kritikuar edhe largimin e tyre nga institucionet lokale të Kosovës dhe bojkotin e zgjedhjeve. Por mbetet sfidë për të parë se si dhe me cilin qëllim do ta marrë pushtetin lokal në veri Lista Sërpska. A do të ecin serbët drejt integrimit në Kosovë, të shikojnë interesat e tyre si qytetarë të Kosovës apo do të vazhdojnë të jenë vegël e Beogradit për të sfiduar shtetin e Kosovës.

A do të jetë për serbët e Kosovës me rëndësi që të kenë të siguruara dhe të mbrojtura të drejtat e tyre në Kosovë apo t’i gëzohen tërheqjes së njohjes së Kosovës nga Burundi. A do të integrohen në Kosovë, të normalizojnë raportet e tyre me bashkëqytetarët me kombësi shqiptare apo do të jenë vegël për të “mbrojtur sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën”.

Mënyra se si do të kthehen serbët në pushtetin lokal do të jetë sfidë për të gjitha paritë politike në Kosovë, por edhe për bashkësinë ndërkombëtare. Në këtë kthim të tyre në institucionet e Kosovës sfidë nuk do të jetë vetëm transferimi i pushtetit komunal, as në rastin e kryetarëve të Komunave e as të asamblistëve komunalë. Por edhe më shumë do të jetë fati i strukturave komunale dhe atyre të sigurisë dhe drejtësisë. Kthim me automatizëm të policëve me përkatësi etnike serbe nuk mund të ketë. Sidomos jo të atyre për të cilët ka dëshmi se kanë vepruar sipas urdhrave nga Serbia dhe atyre që kanë marrë pjesë në aktet e dhunës në veri.

Bashkësia ndërkombëtare, e sidomos BE-ja duhet ta dinë po ashtu se ata kanë kontribuar që në mesin e serbëve të Kosovës të mos ketë pluralizëm politik. Vet BE-ja, e besa edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kanë faktorizuar dhe mbrojtur Listën Sërpska për shkak se kanë dashur t’i bëjnë shërbim presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Nuk mjafton që BE-ja në të gjitha raportet të nënvizojë se në mesin e serbëve të Kosovës “nuk ka pluralizëm politik” dhe se ka pasur frikësime dhe kërcënime ndaj atyre që janë kandiduar kundër Listës Sërpska. Por pos këtyre raporteve, në BE nuk kanë dashur dhe nuk duan të ndërmarrin asgjë që kjo të ndryshohet.

Procesi paszgjedhor do të jetë një element shumë i rëndësishëm për të parë edhe në cilin drejtim do të shkojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin e lehtëson BE-ja. Ky dialog ka në qendër pikërisht veriun e Kosovës dhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pa marrë parasysh se palët kanë edhe prioritete të tjera. Prandaj edhe ka një vëmendje kaq të madhe ndërkombëtare për zgjedhjet e së dielës edhe pse një interes i tillë nuk është i zakonshëm për zgjedhjet e nivelit lokal./Koha

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria ndaloi përdorimin e monopatinave, si ju duket vendimi?