Pushteti i Aleksandar Vuçiqit në Serbi është duke u lëkundur. Nuk mund të injorohen pamjet e protestave masive që për më shumë se katër muaj po zhvillohen nëpër qytetet e Serbisë. Kulminacioni ishte të shtunën, më 15 mars kur në Beograd u zhvilluan protestat më të mëdha të mbajtura ndonjëherë në këtë qytet. Këto protesta e kanë bërë nervoz Vuçiqin, i kanë irrituar shumë bashkëpunëtorët e tij dhe kanë mobilizuar masat në Serbi, sidomos të rinjtë. Por përkundër kësaj, do të ishte ekzagjerim të konstatohet se pushteti i Vuçiqit me këtë ka marrë fund.
Përderisa një faktor është pa dyshim kundër Vuçiqit, dy të tjerë janë akoma në anën e tij. Vuçiqi ka pësuar disfatë të rëndë në përballje me studentët. Por në anën tjetër, në favor të tij është opozita e dezorientuar, e paorganizuar dhe me plot iluzione. Në favor të tij është edhe mbështetja e madhe që ai gëzon nga bashkësia ndërkombëtare, sado e pakuptimtë të dukej një gjë e tillë.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq po përballet me sfidën më të madhe të brendshme ndaj pushtetit të tij. Ai për protesta po tenton t’ua bartë fajin “faktorëve të jashtëm”. Por realiteti është ironik. Ai gëzon një mbështetje të madhe si nga BE-ja e SHBA ashtu edhe nga Rusia, Kina dhe Irani.
Vuçiqi dhe bashkëpunëtorët e tij, qëkur nisën protestat e studentëve, vendosën që të përballen me ta duke i akuzuar si “agjentë të huaj”. Në kërkim të “armiqve të jashtëm” pushteti vendosi që t’i akuzojë “shërbimet e zbulimit nga Kroacia”, ndërsa nuk ka precizuar se cilat janë “shërbimet e caktuara të jashtme”. Këto, sipas narrativit të Vuçiqit dhe medieve të tij, kanë për qëllim të realizojnë “Revolucionin e ngjyrosur në Serbi”. Dhe Vuçiqi jo vetëm se konstatoi se ai “E ka mposhtur revolucionin e ngjyrosur”, por paralajmëroi se do të shkruajë edhe libër se si e ka bërë këtë duke pretenduar se ai libër do të jetë një “best seller”, sidomos në Kinë ku, sipas medieve të Vuçiqit, presidenti i Serbisë është jashtëzakonisht i popullarizuar nga qindra miliona njerëz.
Pos “shërbimeve sekrete kroate” prapa protestuesve kundër Vuçiqit qëndrojnë edhe “mediet e Kurtit nga Kosova”. Kosova dhe Kroacia janë zgjedhur si “armiq të jashtëm”, për të cilët punojnë “armiqtë e brendshëm” të Serbisë. Me gjasë Kroacia dhe Kosova janë zgjedhur pasi duke i përmendur ato është më së lehti të nxiten ndjenjat nacionaliste në Serbi. Për nacionalistët në Serbi nuk ka armik më të madh sesa Kroacia dhe Kosova. Për habi Shqipërinë nuk e përmendin asnjëherë, as në tabloidët e Vuçiqit. Sepse pushteti i Vuçiqit vazhdon narracionin se “me Shqipërinë Serbia ka raportet më të mira ndonjëherë në histori”.
Vuçiqi e di se ai e ka mbështetjen nga jashtë, prandaj edhe përmend rrezikun nga jashtë duke e ditur se nuk do të ketë pasoja për propagandën e tillë. Është e pakuptimtë pse hesht, sidomos Bashkimi Evropian. Nga BE-ja prononcohen me përgjigje të përgjithësuara, me thirrje “për dialog”, vetëm kur u bëhen pyetje dhe atë përgjigjet priten disa ditë, përderisa të bëhen të sigurt se gjuha e përdorur nuk do të ketë pasoja për pushtetin në Serbi.
Vetë përmendja e termit “Revolucion i ngjyrosur” nga ana e pushtetit në Serbi është antiperëndimore. Sepse ky term u vu në përdorim pas protestave proevropiane në Maidan në Ukrainë, kur u rrëzua diktatori prorus Viktor Yanukoviq. Ky u quajt “Revolucioni i portokalltë”. Pra ky revolucion ishte pro-BE e jo antidemokratik. Sikur Vuçiqi të ishte i sinqertë se dëshiron integrimin e Serbisë në BE dhe përqafimin e vlerave të lirisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit, të cilat janë në themelet e BE-së, atëherë revolucionet e ngjyrosura do t’i përmendte në kontekstin pozitiv, e jo në atë negativ.
Mbështetja për Vuçiqin nga BE-ja ka qenë aq e madhe saqë nganjëherë disa liderë evropianë këtë e kanë shndërruar në admirim. Një ish-president i Këshillit Evropian aq shumë e kishte lavdëruar Vuçiqin saqë punën e tij e kishte krahasuar me “Precizitetin e Nikolla Teslës” dhe “efikasitetin e Novak Gjokoviqit”. Tesla është një prej shkencëtarëve më të mëdhenj që ka dhënë njerëzimi, ndërsa Gjokoviqi tenisti më i suksesshëm në planet.
Mbështetësit e Vuçiqit në BE janë shumë të fuqishëm. Ata janë edhe nga vendet anëtare, por edhe nga zyrtarët në institucionet e BE-së: Ursula von der Leyen. Sado që të kenë kërkuar diçka nga Serbia, që Beogradi nuk e ka bërë, BE-ja ka siguruar që nga kjo të mos ketë pasoja. Ja për shembull, vetë BE-ja e ka quajtur sulmin në Banjskë si “sulm terrorist” dhe vazhdimisht ka bërë thirrje që përgjegjësit të nxirren para drejtësisë. Por Serbia ka vazhduar t’i mbrojë këta dhe nuk ka asnjë kundërshtim nga BE-ja. Në anën tjetër, BE-ja po i mban masat ndëshkuese kundër Kosovës.
Këtu qëndron dallimi i madh mes Vuçiqit sot dhe regjimit të Millosheviqit, i cili u rrëzua në vitin 2000. Bashkësia ndërkombëtare, sidomos BE-ja, në atë kohë ishin kundër pushtetit në Serbi dhe në anën e protestuesve. Sot është e kundërta. BE-ja e ka partner pushtetin në Serbi, e përkëdhel atë dhe nuk mbështet protestuesit.
Kjo mund të ketë qenë edhe arsyeja pse në protestat në Serbi nuk ka pasur flamuj të BE-së. Po të kishte, Vuçiqi do t’i akuzonte se punojnë kundër vendit të tyre. Por në anën tjetër ato që kërkojnë protestuesit janë pak a shumë të njëjtat gjëra që kërkon edhe BE-ja: Demokraci, llogaridhënie, pavarësi të administratës publike, pavarësi të sistemit gjyqësor, transparencë në përdorimin e parasë publike. Po t’i përmbushë këto kërkesa të studentëve, Serbia do të bëjë edhe një hap drejt integrimit në BE në të njëjtën kohë. Prandaj është ironike se si BE-ja dhe pjesa tjetër e bashkësisë ndërkombëtare vazhdon ta mbështesë Vuçiqin.
Por prapë në këtë moment nuk mund të pritet që protestat e studentëve ta rrëzojnë Vuçiqin. Sepse opozita është e dobët. Studentët nuk marrin pjesë në zgjedhje si subjekt politik. Ata nuk duan që opozita t’u bashkohet. E opozita ka problem sepse është shumë heterogjene. Në mesin e tyre ka edhe proevropianë, edhe nacionalistë, edhe të tillë që duan ta rrëzojnë Vuçiqin se “E ka shitur Kosovën”. Në këto kushte Vuçiqi është i goditur nga protestat më shumë se kurdoherë më parë, por është akoma herët që të thuhet se pushteti i tij po bie./Koha
Komente
