Diku në pranverën e vitit 1980, ushtarët e Divizionit të Delvinës ishin dërguar në punimet e shumta fortifikuese në afërsi të Malit të Milesë. Ata po hapnin pozicione të reja për baterinë kundërajrorëve, grykat e të cilëve drejtoheshin drejt Ishullit të Korfuzit.
Për disa javë rresht, përveç hapësirave të kundërajrorëve, ushtarët po hapnin edhe një transhe telefonike që lidhte rrjetin e komunikimit ushtarak të Postës së Bogazit me vendstrehimin e komandës së kundërajrorëve.
Shumë afër këtyre punimeve, drejtori i shkollës 8-vjeçare, Halil Shabani, një mësues i ri dhe arkeolog amator i zonës, kishte vizituar disa herë bashkëfshatarin e tij, oficerin që mbikëqyrte punimet, Meleq Muka nga fshati Shalës. Ai e kishte porositur oficerin e ri që, nëse shihte objekte qeramike, t’i mblidhte dhe ta njoftonte ate menjehere.
Një ditë - rrëfen Halili - Meleqi vjen në oborrin e shkollës dhe, pasi dola për ta takuar, më dorëzon një bohçe me copëza qeramike të mbledhura përgjatë transhesë ne vendin ku ndodhet nje Kisheze e vjeter dhe disa rrenoja mesjetare me toponimin Gumurava, ushtaret kishin hasur ne copeza qeramike
“Njëra prej enëve ishte e lyer me vernik të zi dhe menjëherë pashë se ishte një copeze ene që datohej në shekullin II ose III para Krishtit. E pieta Meleqin nëse kishte gjetur ndonjë gjë tjetër” kujton Haliti. Oficeri pasi u përtyp pak, më tha: “Kemi gjetur edhe një “bicimsez” prej hekuri”.
Me instinktin e një arkeologu përballë një zbulimi të mundshëm, Halili mbaroi orën e mësimit dhe, së bashku me fshatarin e tij ushtarak, u drejtua menjëherë për në Postën Kufitare të Bogazit. Atje, në parvazin e dritares, ishte një objekt i vogël, rreth 17–20 cm i gjatë, i mbuluar me baltë.
“E mora - thotë Halili - dhe sapo u ktheva në shtëpi, e futa në lëng limoni. Të nesërmen në mëngjes, objekti prej bronzi, në gjendje të përsosur, u shfaq me gjithë bukurinë e vet të ardhur nga antikiteti i hershëm.”
Ishte një figurë e mrekullueshme antike me dorën lart dhe me organin mashkullor në ereksion. Me shumë gjasë, për këtë arsye oficeri i Brigadës së Delvinës e kishte quajtur atë me një term perbuzes të ardhur nga fjalori otoman “bicimsëz”, që mund të shqipërohet si “një figurë e përbuzur nga publiku”, një lloj “outcast” i shoqërisë.
Për disa muaj me radhe, objekti antik qëndroi në shtëpinë e mësuesit të Shalësit. Ai, duke shfletuar literaturën e pakët që gjendej në bibliotekën e shkollës, shkroi një artikull të shkurtër ku mendonte se objekti i zbuluar nga ushtarët e Brigadës së Delvinës mund të ishte një statuete e Perëndisë Pan.
Artikulli u botua në vitin 1981 në gazetën Bashkimi, por nuk tërhoqi vëmendjen e askujt , ose kështu mendoi Halil Shabani, mësues në një fshat të humbur kufitar të jugut. Por nuk kaloi më shumë se një muaj, kur një “Gaz” i Komitetit të Partisë së Sarandës ndaloi në oborrin e shkollës. “Nga makina - kujton Halili - zbriti prof. Selim Islami, një figurë shumë e respektuar e arkeologjisë shqiptare, dhe pas tij Sekretari i Partisë për problemet ideologjike,
Thanas Vaso, një autoritet lokal prej të cilit kishin frikë të gjithë intelektualët e fshatrave të rrethit” .“Profesori më përqafoi - rrëfen Halili. ndërsa Sekretari, me një ton që buronte nga fuqia e Partisë, më urdhëroi që urgjentisht të dorëzoja ‘Bicimsëzin’, për të cilin kishte shkruar gazeta Bashkimi. Pasi e mbështolla me një rrobë të pastër, ia dorëzova atë profesorit.”
Kaloi shumë kohë dhe në fshatin e largët, askush nga autoritetet e arkeologjisë nuk u kujtua të dërgonte qoftë edhe një përshëndetje apo një telegram falënderimi për mësuesin që kishte bërë të mundur gjetjen e një prej statueteve antike më të rëndësishme në territorin tonë Perëndinë Pan, ose siç u quajt më vonë, Pani i Butrintit.Teksa jeta vazhdonte me ritmin e ngadaltë të një fshati të largët në kufirin e jugut, një ditë të vitit 1986 Halilin e kërkuan në Postën Kufitare të zonës, aty ku ndodhej i vetmi telefon që lidhej me Tiranën. Në linjë ishte prof. Dhimosden Budina, i cili e njoftoi se “Pani i Butrintit”, ose “Bicimsezi”, kishte qenë pjesë e ekspozitës arkeologjike shqiptare në Valdeshtainjt te Gjermanise Perendimore, ku jo vetëm kishte marrë vëmendjen kryesore nga studiuesit dhe publiku gjerman, por ishin shkruar edhe disa artikuj që e cilësonin si një kryevepër të antikitetit dhe një prej objekteve më të rralla të zbuluara në territorin e Epirit antik.
Siç duket, ky vlerësim i madh në Gjermani ndikoi që autoritetet shqiptare të ndryshonin qëndrim ndaj këtij artefakti të veçantë dhe t’i dedikonin madje edhe një emetim pullash postare. Ndërkohë, që nga mbërritja e “Bicimzezit” në Tiranë më 1981 e deri në ekspozitën gjermane të vitit 1986, në rrethet shkencore të arkeologjisë shqiptare kishte pasur një debat të gjatë e të nxehtë për fatin e Panit.
Arsyeja? Organi mashkullor i figurës, në pozicion ereksioni, binte jashtëzakonisht në sy, duke e kthyer statueten në një problem shtetëror.
A mund të ekspozohej kjo figurë në Muzeun Kombëtar?
A mund të shihej nga publiku shqiptar?
A binte ndesh me “moralin e lartë komunist” një statujë e tillë që paraqiste një organ mashkullor në ereksion?
Një nga debatet më të rëndësishme mbi fatin e “Bicimzezit” u zhvillua rreth vitit 1985 në ambientet e Akademisë, mes arkeologëve më të njohur të kohës dhe përfaqësuesve të Partisë së Rrethit.
Pas një sërë prezantimesh, ku arkeologët sollën shembuj nga muzetë botërorë, sugjerimi i Partisë ishte:
“Gjymtimi i Bicimzezit” pra, prerja e organit mashkullor nëse do të prezantohej për publikun. Vetëm ndërhyrja e një personaliteti të kohës arriti ta shpëtonte Panin nga gjymtimi, duke na sjellë sot një nga objektet më të bukura të zbuluara në territorin shqiptar “Panin e Butrintit”.
Kulti i Panit në Butrint
Gjatë periudhës së sundimit të Perandorit Tiberius (14–37 pas K.), sipas shkrimtarit të kohës Plutark, Perandori mori një lajm mbi vdekjen e Perëndisë Pan në Butrint. Perënditë ne mitologji nuk vdesin, prandaj ky lajm i vdekjes se Panit u mor shumë seriozisht nga Perandori, i cili thirri dijetarët e oborrit për ta interpretuar këtë ndodhi.
Ja si e përshkruan Plutarku këtë ngjarje:
“Babai i oratorit Emiliani, të cilin disa prej jush e keni dëgjuar, quhej Epitherses mësuesi im i gramatikës. Ai tregonte se, njëherë, kur po udhëtonte me anije drejt Italisë, era u fashit pranë ishujve Ekinade dhe anija u afrua pranë Paksit.
Ndërsa nata po binte, nga ishulli u dëgjua një zë i fuqishëm që thërriste ‘Thamus!’ I cili ishte timonieri egjiptian i anijes.
Zëri e thirri dy herë dhe ai nuk u përgjigj; herën e tretë, kur u përgjigj, thirrësi i tha: ‘Kur të arrish përballë Palodit, thuaj se Pani i Madh ka vdekur.’Udhëtarët u habitën dhe u fjalosën mes tyre se çfarë të bënin. Thamusi vendosi që, nëse do të frynte erë, të vazhdonte në heshtje, por nëse deti do të ishte i qetë, do ta shpallte me të madhe lajmin.
Kur mbërritën përballë Palodit (Liqeni i Butrintit), deti ishte i qetë dhe Thamusi thirri nga kuverta: ‘Pani i Madh ka vdekur!’
Ende pa mbaruar fjalinë, u dëgjua një klithmë e madhe vajtimi jo nga një zë, por nga shumë zëra të shtojzovalleve dhe zanave të Liqenit.
Lajmi i vdekjes së Panit u përhap shpejt në Romë, ku Tiberi e thirri Thamusin, e pyeti dhe i bindur për vërtetësinë e ngjarjes , urdhëroi një hetim. Dijetarët në oborrin e tij përfunduan se Pani ishte biri i Hermesit dhe Penelopës.” *
Kulti i Panit (Πάν) mendohet të ketë origjinën në rajonin malor të Arkadisë në Peloponez, një peizazh pastoral që i ngjan shumë atij të Epirit Antik. Sipas Robert Graves, një prej studiuesve më të rëndësishëm të mitologjisë antike, emri i tij rrjedh nga forma dorike-arkadike Páōn, që do të thotë “bari”.
Pani ishte hyu i natyrës në të gjitha format e saj një hyjni e bukurisë së egër, që jetonte në hijet e pyjeve dhe shkurreve dhe endet në kodrat e larta e në malësi. Ai mishëronte jetën e atyre që banonin në këto peizazhe të ashpra barinjve si dhe shoqëruesve të tij, shtojzovalleve.
Artistët e lashtë e paraqisnin Panin në dy mënyra kryesore:
në njërën, ai shfaqet me pamje te eger me këmbë dhie, brirë të mëdhenj, thundra të ndara, trup të mbuluar me qime, mjekër të dendur dhe fytyrë dhie;
në tjetrën siç shihet në statuetën e Panit nga Butrinti, figura e tij është më njerëzore, me këmbë dhie dhe brirë të vegjël.
Këto ndryshime ndoshta pasqyrojnë aspekte të ndryshme të karakterit dhe kultit të tij. Pani paraqitej shpesh duke vallëzuar, duke luajtur në fyellin e tij (syrinx), ose duke ndjekur dëshirat e trupit i shoqeruar nga Shtojzavallet. Në disa raste shfaqet me organin mashkullor në ereksion simbol ky i pjellorisë dhe i forcës së natyrës.
Si shenjë e jetës baritore, Pani lidhej ngushtë me Dionisin, perëndinë e verës dhe defrimit ku shpesh ne imazhet antike paraqitej në shoqërinë e tij.
Kjo përfytyrim mitik e ka origjinën që në tekstet më të hershme antike që fillojnë me Homerin. Në Himnin kushtuar Panit thuhet se Dionisi i dha Panit emrin e tij sepse foshnja solli gëzim për të gjithë perënditë.
Transformimi i Panit nga një perëndi e natyrës dhe pjellorisë në periudhën antike në personifikimin e të keqes djallëzore, i shpallur nga etërit e hershëm të Kishës me themelimin e krishterimit si fe zyrtare, është një histori e gjatë dhe shumë intriguese por që nuk është objekt i këtij shkrimi.
Historia e zbulimit të Panit të Butrintit dhe lidhja e tij me një prej legjendave antike më të rëndësishme, treguar nga Plutarku, mishëron më së miri thellësinë dhe rëndësinë e madhe që kishte Kulti i Panit në Butrint kult ky i përhapur në të gjithë territorin e Epirit Antik.
Zbulimi i statuetes në Malin e Miles dhe historia e mësuesit të Shalësit, Halil Shabani, lidhur me këtë zbulim, është një histori e panjohur dhe fatkeqësisht e pavlerësuar nga arkeologjia shqiptare por jo vetëm nga ajo.
Në vitin 2020, një artikull i botuar në revistën britanike Archaeology nga autorët Richard Hodges dhe kubanezi David Hernandez përshkruan figurën e Panit të Butrintit, si dhe interpretimin e tij lidhur me qytetin antik.
Por, me një sjellje tipike neokolonialiste, ata nuk përmendin fare as historinë e mësuesit Halil Shabani dhe as kontributin e tij në zbulimin dhe botimin e artikullit të parë mbi Panin e Butrintit.
Në vitin 2005, Richard Hodges dhe ndihmësja e tij Louise Schofield, pasi bindën Halil Shabanin t’u tregonte vendin e gjetjes së statuetes së Panit, e morën me vete në një sondazh të shkurtër arkeologjik me shpresën e një zbulimi shkencor. Pa rezultat, por bindshëm duke e ditur jo vetëm kontributin e tij, por edhe faktin se ishte pikërisht ai Halil Shabani që kishte bërë të mundur, me ndihmën e oficerit të Divizionit të Delvinës, zbulimin e një prej kryeveprave antike të gjetura në territorin tonë: Panin e Butrintit.
Referenca
1. Kujtimet e Halil Shabanit per gjetjen e Statuetes se Panit te Milese
2. (Plutarku i Keroneas, rreth 46–120 pas Krishtit, “De defectu oraculorum”, kap. 17, paragrafët 419B–420A)
3. Selim Islami Pani i Milise Illiria 1986
4. Fotot nga Arkivi personal I Halil Shabanit
5. Foto nga Arkivi i Fondacionit Butrintit
Komente
