Diku në vjeshtën e vitit 2004, rruga përballë ish-doganës së vjetër, në Liman, nisi sërish të hapej. Projekti apo tenderi i radhës këtë herë kishte për qëllim vendosjen e tubave të ujit. Kishte disa vite që rrugët e Sarandës hapeshin për të vendosur tela, tuba, fije e të tjera të ngjashme.
Ishte koha e tenderave. Një eskavator i vogël dhe i vjetër prishte asfaltin që ishte hedhur vetëm një vit më parë, duke krijuar një kanal të thellë dhe duke penguar seriozisht hyrjen e përditshme në zyrën tonë. Në një prej ditëve të bukura të vjeshtës, kur dielli shkëlqente por nuk ngrohte, dhe deti ishte aq i pastër sa shtëpitë e Korfuzit dukeshin shumë pranë, me një kafe në dorë po flisja me punëtorët që prej një jave po hapnin kanalin. Njëri prej tyre më tregoi se një ditë më parë kova e eskavatorit kishte nxjerrë disa gurë të bardhë.
— Ku janë? – pyeta.
Me dorë më tregoi. Të zhytura në baltë nuk dalloheshin dot nga gurët e tjerë. E ndihmova t’i nxirrnim nga kanali dhe bashkë kërkuam një kove me ujë. I futëm në kove dhe me një leckë i pastruam nga balta. Guri i parë, gati sa pëllëmba e dorës, ishte një mermer i bardhë ku dalloheshin disa germa të gdhendura me art. Gurët e tjerë i pastronte punëtori i kanalit dhe m’i dha në dorë. I mbështolla me një leckë të thatë dhe nga kanali i futa në zyrë.
I fotografova dhe po i shikoja me kureshtje. Të shkruara në greqishten e vjetër, kishin ndoshta mbi 2.000 vjet që flinin nën tokë, të harruara. Në fakt, vendi i kanalit ku dolën këto gurë ishte përballë Postës së Vjetër, vend ku dikur arkeologu Budina kishte zbuluar një mozaik paleokristian, ku një mbishkrim i rrallë dëshmonte për mundësinë e një kishe të hershme.
Prej disa kohësh, së bashku me Prof. Machiarella nga Universiteti Ca' Foscari i Venecias, po bisedonim për publikimin e një korpusi me mbishkrimet e Shqipërisë së Jugut. Prof. Machiarella dhe ekipi i tij kishin kohë që studionin zonën e Delvinës si një prej oazave historike dhe kulturore të Epirit, në kontekstin më të gjerë të zhvillimeve ballkanike.
Machiarella, i cili kishte qenë prej vitesh drejtor i Institutit Italian në Iran, ishte një prej mendjeve më të ndritura të arkeologjisë dhe historisë italiane. Interesimi i tij për një zonë pothuajse të harruar si Delvina ishte shumë i rëndësishëm për të shpjeguar ndikimet e kulturave Perëndimore dhe Lindore në Epir. Po atë mbrëmje i dërgova profesorit një email ku i përshkrova gjetjen rastësore të këtyre mbishkrimeve, të cilat, për mendimin tim, duhej parë me kujdes, nisur edhe nga vendi i gjetjes së tyre, shumë pranë rrënojave ntike të castrumit romak.
Mbishkrimi i parë
“Guri i parë,” – më shkruan Prof. Machiarella, – “qartësisht ka emrin e Perandorit Klaudius (Tiberius Claudius Drusus 41–54 pas Krishtit). Cilësia e mermerit dhe gdhendja me cilësi të lartë tregojnë për një mbishkrim të rëndësishëm, por për fat të keq nuk kemi asnjë të dhënë
tjetër, pasi pllaka është shumë e dëmtuar.” Perandori Klaudius, një admirues i kulturës helene, i cili sipas historianëve të kohës, Tacitus dhe Suetonius, qëndroi gjatë në Athinë dhe në vise të tjera të Greqisë antike. Por a mund te kemi pasur nje vizite Perandorake ne Onhezmin Antik? Nuk kemi asnjë burim për një hipotezë të tillë, por mbishkrimi, i cilësisë së lartë, mund të lidhet me një monument të dedikuar perandorit.( O.../...TON..../..YPOS../....OX...)
Nga burimet e kohës dhe në veçanti monedhat e gjetura në Butrint, dimë se nën sundimin e Klaudiusit, Butrinti, pak më në jug të Onhezmusit, pati një zhvillim të vrullshëm, ku themelimi i kolonisë së veteranëve, një program i nisur që në periudhën e Cezarit, duhet të jetë finalizuar nën Perandorin Klaudius. Monedhat e prera të kësaj periudhe me inicialet CCIB (Colonia Civium Iulia Buthrotum), të cilat zëvendësojnë monedhat e mëparshme të Colonia Augusta Buthrotum, na tregojnë për këto zhvillime.
Por në një hipotezë të dytë, ndryshe nga Prof. Machiarella, i cili mendon se ky mbishkrim i dëmtuar rëndë i përket Perandorit Klaudius, fakti që mbishkrimi që u gjet shumë afër qendrës së qytetit, vetëm pak metra nga Mozaiku i Sarandës, ( sot Muzeu Arkeologjik ngjitur me Posten) i cili na le të besojmë për ekzistencën e një kishe të hershme buzë detit , mund të hedhë tezën se mbishkrimi mund të jetë nje mbishkrim i lidhur me një personalitet shumë të rëndësishëm të krishtërimit në brigjet epirote.
Peshkopi Κλαδέου᾿Αγχιασμοῦ – Klaudius of Ankhiasmos.
Peshkopi i Onhezmusit Klaudi, ( Κλαδέου᾿Αγχιασμοῦ), për të cilin nuk kemi burime të hershme kishtare, është një prej firmëtarëve të dokumentit final të Sinodit të Shenjtë të Kalkedonit, njëri nga katër Sinodet më të rëndësishme ekumenike që vendosën natyrën e Krishtit. Në dokumentin e botuar në 1933 të origjinalit të këtij Sinodi, shikojmë emrin dhe firmën e
Klaudius që është e dyqinta dhe ndiqet nga firma e peshkopit Peregrinos të Fenikisë (Finiqit ).
Mbishkrimi i dytë
Mbishkrimi i Galias: Një vajzë e Dionisit dhe gjurma e parë e një Teatri Shqipëruar si më poshtë:
Galia, Thymele, bija e Bakikut, vjeç 14, lamtumirë!
(Mbishkrimi është shqipëruar nga prof. Machiarella dhe Prof. Neritan Ceka ) Mbishkrimi i dytë, qartësisht një pllakë funerare, na sjell disa detaje shumë të rëndësishme. Të dy profesorët e nderuar që patën mirësinë të shqipëronin tekstin mendojnë se emri i vajzës së ndjerë, të cilës i dedikohet ky mbishkrim, duhet të jetë i lidhur me një prej kulteve më të hershme të botës antike: Kulti i Dionisit. Galia, bija e Bakikut, e cila ka ndërruar jetë në moshë të re, me shumë mundësi ishte një prej vajzave që shërbenin në tempujt e Dionisit. “Ndajshtimi Θυμέλη është i pazakonshëm dhe lidhet me altarin e sakrificave, por edhe me altarin e Dionisit në teatër” – shkruan Prof. Ceka mbi interpretimin e emrit të vajzës, e cila me shumë mundësi mund të ketë origjinë nga Galia antike (Franca e sotme).Sipas prof. Machiarella-s, “Galia duhet me patjetër të ketë një lidhje të fortë me Tempullin e Dionisit. Zbulimi i një tempulli të tillë – shkruan Machiarella – do të thotë se diku në Onhezmusin e lashtë duhet kërkuar
Teatri Antik.” Një mbështetje mbi mundësinë e një tempulli të Dionisit në Sarandë na e jep edhe emri i të atit të Galias, Bakikos, i cili lidhet me Bakun romak apo Dionisin helen. Me shumë mundësi kemi një familje e cila i është dedikuar shërbimit të tempullit të Baku-Dionisit. Pra nje familje e lidhur for me Teatrin apo sherbesat fetare ne Altarin e Teatrit. Formula e njohur ΧΑΙΡΕ na përcakton edhe datën e këtij mbishkrimi, shek. II–III pas Krishtit, në periudhën romake. Kohë kjo e cila daton edhe mozaikun e Sarandës që gjendet në anën e djathtë të Postës. (zbuluar nga Dh. Budina)
Po çfarë ishte një Θυμέλη? Θυμέλη ishin altare flijimi në qendër të një teatri të periudhës helenistike. Tradicionalisht përdorej në ritualet kushtuar Dionisit, perëndisë së verës, festivaleve dhe teatrit. Θυμέλη ishte simboli i origjinës së teatrit grek, i cili kishte lindur nga ritet e adhurimit të Dionisit dhe evoluoi nga festimet dionisiake tek ajo që ne njohim si arti i aktrimit. Në periudhën antike, tempujt e Dionisit ishin të lidhur fizikisht dhe shpirtërisht me teatrot, dhe Θυμέλη mbeti një kujtesë e shenjtë e rrënjëve të ritualeve të teatrit. Por në gjirin e Onhezmusit antik (Saranda moderne) deri më sot arkeologjia nuk ka hasur në ndonjë strukturë të lidhur me teatrot e hershëm. Kjo na jep një përfytyrim të një porti që kishte përdorim tregtar për kryeqendrën epirote Finiqin dhe më vonë për karvanët që penetronin qendrat malore të prapatokës epirote.
Zbulimi i këtij mbishkrimi me një rëndësi të madhe historike dhe mundësia e një teatri në Sarandën antike në fakt më solli ndër mend një bisedë të kahershme me Prof. Dhimosten Budinën. Diku në fillimet e vitit 1999, përballë Hotel Butrintit, pashë figurën e profesorit, i cili prej kohësh jetonte në Moskë. Ndalova dhe u përshëndetëm. Nuk njiheshim, por ai dinte që në Butrint kishte ardhur një djalë i ri që, në një farë mënyre, kishte pasuar punën e tij prej dekadash në mbrojtje të qytetit antik. Një ish-koleg i kishte premtuar të qëndronte në shtëpinë e tij, por kishte disa orë që ai nuk dukej dhe profesori nuk dinte ku të qëndronte atë natë.
Me një kënaqësi shumë të madhe e ftova në shtëpinë time, ku ai qëndroi disa ditë. Kishte ardhur nga Moska për të parë edhe një herë vendet ku kishte punuar i ri dhe sigurisht Butrintin. Ndër shumë prej rrëfimeve, Prof. Budina më tregoi se, diku në vitet ’70, në qendër të Sarandës kishte hasur struktura që ai mendonte se mund të ishin pjesë e një Odeoni*. Për ironi të fatit, mbi ato rrënoja në atë kohë kishte filluar ndërtimi i Qendrës Kulturore të Sarandës. Profesori nuk kishte mundur të kryente nje sondazh arkeologjik në këtë vend, por shënimet e tij per keto germime më tha – i kishte në arkivin e tij në Moskë.
Nuk u takuam më, dhe kjo bisedë më erdhi ndër mend vetëm pasi lexova shënimet e Prof. Machiarella-s se me shumë mundësi Onhezmusi antik duhej të kishte pasur një teatër. Hipoteze kjo e sjelle nga mbishkrimi i Galia Thymeles nje vajze e vogel ardhur nga Galia antike dhe e varrosur ne Gjirin e Sarandes Antike. Mbishkim ky i cili dëshmon për një kult të Dionisit dhe me shumë mundësi na jep dëshminë e parë për mundësinë e një Teatri- Odeoni në qendrën e gjirit të Onhezmusit antik.
Mbishkrimi nr. 3
Dëshmia e parë për Kishën e Shën Gjergjit
ΦΑΝΟΣ ΠΡΕΣΒ(ΥΤΕΡOΣ) S. ΓΕΟΡΓΙΟΥ
Shqipëruar: Fani (Stefani), prifti i Shën Gjergjit.
Sipas Prof. Cekës: “Vendosja e kryqeve majtas dhe në fund të mbishkrimit tregon se kemi të bëjmë me një gur varri. Ligatura e O me Y në gjinoren e Georgios është një tregues i kohës së mbishkrimit, sepse shfaqet që në shek. VI në një mbishkrim të periudhës së Justinianit në Apolloni, por bëhet e zakonshme në shek. IX–XI. Me interes është forma e kryqit latin majtas, si edhe vendosja e S(anctus) në vend të A(gios), para Georgios. Duhet të ketë pasur një kishë të Shën Gjergjit aty pranë, pasi guri vjen nga varreza e kishës.” Mbishkrimi i priftit Fanos është me një interes të madh historik. Nga të gjitha burimet antike dhe kërkimet arkeologjike në Sarandë deri më sot, nuk kemi asnjë gjurmë të një kishe paleokristiane të dedikuar Shën Gjergjit.
Kisha më e hershme në qendër të Sarandës, e ndërtuar mbi ndërtesën e quajtur “Sinagoga e Sarandës”, e gërmuar nga arkeologu Kosta Lako, dhe më vonë nga arkeologët izraelitë të Universitetit të Jeruzalemit në bashkëpunim me Prof. Etleva Nallbani në fillimin e viteve 2000, nuk ka ndonjë gjurmë të emrit të saj. Kisha e vetme me përmasa të mëdha, nga e cila mori emrin Gjiri i Onhezmusit antik, e njohur si Manastiri i 40 Shenjtoreve, është ndërtuar lart në kodër. Nuk kemi asnjë gjetje arkeologjike apo burime të hershme kishtare që konfirmojnë prezencën e një kishe paleokristiane në Sarandë me emrin Shën Gjergj.
Ky mbishkrim ploteson historinë eklisiastike të Sarandës, duke na treguar per nje Kishe teresisht e pa njohur e ndertuar ne te njejten periudhe kohore me Manastirin i 40 Shenjtoreve. Gurvarri i gjetur disa metra larg qendrës së qytetit të sotëm na bën të mendojmë se themelet e kësaj kishe në Sarandë janë diku prane Limanit te vjeter ngjitur me mozaiku e gjetur në zonën e Postës së sotme. Mozaik I cili flet per nje presbyter që me shumë mundësi ka dhuruar këtë mozaik. A mund të jetë Fani ky prift i cili ka ndërruar jetë dhe është varrosur shumë pranë kishës për të cilën dhuroi mozaikun?
Hipoteza se ndoshta prifti Fanos mund të ketë qenë prift i manastirit të Shën Gjergjit në hyrje të gadishullit të Ksamilit duket shumë e vështirë për t’u pranuar, pasi edhe nëse do të kishte ndërruar jetë në Gjirin e Sarandës, ai do të varrosej pranë kishës së tij ku kishte shërbyer. Një prift nuk mund të varrosej jashtë varrezave kishtare dhe varri i tij nuk mund të ishte në Sarandë nëse nuk kishte një kishë aty pranë. Mbishkrimi i priftit Fanos, i cili fati na e solli të padëmtuar na plotëson me tej historinë kishtare të Sarandës antike.
Komente
