Marrëveshja e udhëtimit pa karantinë ka mundësuar që familjet dhe miqtë të ribashkohen, pas shumë muajsh ndarje mes Australisë dhe Zelandës së Re duke na ofruar edhe njëherë pamje të një realiteti të largët.
Emocionet ishin të shumta të hënën ndërsa pasagjerët e ngazëllyer u nisën në fluturimet e para midis Australisë dhe Zelandës së Re si pjesë e të ashtuquajturës "flluske udhëtimi" pa karantinë, duke lejuar familjet e ndara prej pandemisë për t'u ribashkuar.
"Do të bërtas, dua të përqafoj këdo, ndjehem e lumtur - të gjitha këto emocione në të njëjtën kohë," i tha Denise O'Donoghue, një nga pasegjeret e para.
Marrëveshja nënkupton që pasagjerët mund të kryejnë fluturimin përtej Detit Tasman pa pasur nevojë të qëndrojnë në një karantinë të detyrueshme kur të arrijnë. Pamjet televizive treguan momente emocionale në aeroporte me familjet që bashkohen dhe dhjetëra pasagjerë që mbushin terminalet ndërkombëtare në aeroportet Australiane.
"Është hera e parë në 400 ditë që njerëzit mund të udhëtojnë pa karantinë dhe ne po shtojmë 16 fluturime shtesë në ditë në Zelandën e Re dhe ato janë të plota", tha Shefi Ekzekutiv i Qantas.
Turistët australianë, përbëjnë 40 % të totalit të vizitorëve që vizitojnë Zelandën e Re, me total prej 1.5 milion turistëve në vit.
Hapja e kufirit mori vëmëndje të madhe në media në të dy vendet, me raportime të drejtpërdrejta televizive nga aeroportet që ofrojnë azhurnime të rregullta mbi progresin e fluturimeve.
Australia dhe Zelanda e Re i mbyllën kufijtë e tyre për jo-shtetasit dhe banorët e përhershëm më shumë se një vit më parë, duke ndihmuar në mbajtjen relativisht të ulët të numrave të të infektuarve me COVID-19 krahasuar me disa vende të tjera të zhvilluara.