Policia Austriake

Austri/ Arrestohet personi i tretë i dyshuar për organizimin e një sulmi në koncertet e Taylor Swiftit

9 Gusht, 18:08| Përditesimi: 9 Gusht, 18:10

  • Share

Autoritetet austriake njoftuan të premten për arrestimin e tretë në lidhje me komplotin e dështuar për sulm në koncertet e këngëtares Taylor Swift, tashmë të anuluara, ndërsa adhuruesit zhgënjyer magjepsën Vjenën duke tregtuar byzylykë miqësie dhe duke kënduar këngët e yllit të popit në rrugë.

I dyshuari kryesor, një 19-vjeçar, planifikoi të sulmonte shikuesit e mbledhur jashtë stadiumit Ernst Happel, deri në 30,000 çdo natë, me 65,000 të tjerë brenda stadiumit, me thika ose mjete shpërthyese artizanale. gjatë koncertit të enjten ose të premten. I dyshuari shpresonte të “vriste sa më shumë njerëz të jetë e mundur”, thanë autoritetet.

I dyshuari kryesor 19-vjeçar u mor në paraburgim të martën, së bashku me një 17-vjeçar, thanë zyrtarët. Të dy janë shtetas austriakë.

I dyshuari i tretë, një shtetas irakian 18-vjeçar, u arrestua të enjten në mbrëmje, tha ministri i Brendshëm të premten në një konferencë për shtypin.

Një 15-vjeçar është marrë në pyetje por nuk është arrestuar. Emrat e tyre nuk u publikuan, në përputhje me rregullat austriake të ruajtjes së privatësisë.

Këngëtarja Swift pritet të udhëtojë për në stadiumin Wembley të Londrës për pesë koncerte midis 15 dhe 20 gushtit.

Kryebashkiaku i Londrës Sadiq Khan tha se ndërsa i kuptonte arsyet e anulimit të koncerteve në Vjenë, "ne do të vazhdojmë tutje".

Megjithatë, komploti i Vjenës nxiti krahasime me një sulm të vitit 2017 nga një sulmues vetëvrasës në një koncert të këngëtares Ariana Grande në Mançester, që la pas vetes 22 të vrarë. Bomba shpërtheu në fund të koncertit ndërsa mijëra adhurues të rinj po largoheshin, duke e bërë atë sulmin më vdekjeprurës ekstremist në Mbretërinë e Bashkuar në vitet e fundit.

Grupi Coldplay është planifikuar të mbajë koncerte për katër net në të njëjtin stadium të Vjenës më vonë këtë muaj.

Autoritetet thanë se komploti ishte frymëzuar nga grupi Shteti Islamik dhe nga al-Kaida. I dyshuari kryesor, si dhe 18-vjeçari i arrestuar të enjten, “u betuan për besnikëri” ndaj Shtetit Islamik.

Hetuesit zbuluan materiale për prodhimin e bombave në shtëpinë e të dyshuarit kryesor, si dhe materiale të grupit të Shtetit Islamik dhe al-Kaidës në shtëpinë e 17-vjeçarit. Ky i fundit, që deri tani ka refuzuar të flasë, ishte punësuar pak ditë më parë në një kompani që ofronte shërbime në vendin e mbajtjes së koncerteve.

Edhe pse 18-vjeçari u betua dhe "vjen nga mjedisi shoqëror " i të dyshuarit kryesor, tha ministri i Brendshëm Gerhard Karner, ai nuk është i lidhur drejtpërdrejt me komplotin.

Ministria e Brendshme austriake, në një deklaratë për agjencinë e lajmeve Associated Press të premten, tha se “arrestimi i tij nënvizon shtrirjen e gjerë të hetimeve në vazhdim. Autoritetet po ndërmarrin veprime të vendosur kundër kujtdo që mund të përfshihet në veprimtari terroriste ose që shfaq tendenca radikale”.

Hetuesit po shqyrtojnë “rrjetet” e të dyshuarve, thuhet në deklaratë, dhe janë duke vlerësuar provat fizike dhe elektronike.

Shiraz Maher, një ekspert për ekstremizmin islamik në Departamentin e Studimeve të Luftës në King's College në Londër, tha në një deklaratë për AP se sulmuesit "i japin përparësi (numrit të) viktimave dhe për këtë arsye zgjedhin shënjestra të buta ku ata e dinë se do të mblidhet një numër i madh njerëzish”./ VOA

G.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?