Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen, i ka kërkuar liderit të Partisë Popullore konservatore dhe kancelarit aktual, Karl Nehammer, që të formojnë një koalicion qeveritar, pavarësisht faktit që Partia e Lirisë, e ekstremit të djathtë, i ka fituar zgjedhjet e përgjithshme një muaj më parë.
Partia e Lirisë, parti kundër migrantëve dhe miqësore me Rusinë, ka dalë e para në zgjedhjet e shtatorit, duke siguruar rreth 29 për qind të votave dhe lideri i saj, Herbert Kickl, pati thënë se duhet të udhëheqë qeverinë e ardhshme.
Megjithatë, të gjitha partitë e kanë hedhur poshtë mundësinë e një koalicioni me këtë parti.
Pas bisedimeve të zhvilluara mes tri partive më të mëdha, presidenti, Alexander Van der Bellen, ka thënë se është e qartë se Kickl “nuk do të mund të gjejë partner për koalicion që do ta bënte kancelar”.
“Zgjedhjet parlamentare të 29 shtatorit nuk janë garë që përcakton se partia që e kalon e para garën, e formon edhe qeverinë”, ka thënë 80-vjeçari përmes një adresimi televiziv.
“Nëse një parti dëshiron të qeverisë vetë, duhet të fitojë mbi 50 për qind. Nuk është e mjaftueshme të fitosh, 10, 20 apo 30 për qind të votave”.
Van der Bellen ka thënë se i ka kërkuar kancelarit aktual, Karl Nehammer, partia e të cilit ka dalë e dyta në zgjedhje, me 26.3 për qind të votave, që të nisë negociatat për koalicion me Social-Demokratët, të cilët kanë dalë të tretët, me 21 për qind të votave.
Megjithatë, një koalicion në mes të konservatorëve dhe Social-Demokratëve do të siguronte shumicën me vetëm një votë.
Nehammer ka thënë se për të siguruar një shumicë parlamentare stabile, duhet të përfshihet edhe një partnere e tretë.
Herbert Kickl ka thënë përmes një postimi në Facebook se presidenti i ka thyer “proceset e testuara” të Republikës së Austrisë, duke mos i besuar fituesit të zgjedhjeve detyrën e formimit të Qeverisë.
“Kjo mund të duket si shuplakë në fytyrë për shumë prej jush”, ka thënë ai.
“Por, ju premtoj se fjala e fundit nuk është folur. Sot nuk është fundi i historisë”./ REL