Bota

Austri/ Masakër me armë zjarri në një shkollë në Graz, 10 të vdekur, 28 të plagosur! Mediat: Autori një ish-nxënës, ndihej i bullizuar (Foto+Video)

10 Qershor, 11:30| Përditesimi: 10 Qershor, 22:02

  • Share

Austri- Pak përpara orës 10, nxënësit studentët dhe mësuesit e institutit BORG në jug të qyteti të Grazit do të shihnin tmerrin me sy.

Brenda shkollës, u dëgjuan disa të shtëna: rreth 20, sipas një dëshmitari, moment në të cilin u dha alarmi. Pas ngjarjes pamje të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë momentet e tmerrit me zhurmën e të shtënave në sfond.

Policia konfirmoi të paktën 10 të vdekur edhe pse numri i saktë i tyre nuk është saktësuar nga Ministria e Brendshme, pasi bilanci mund të ndryshojë për shkak se në ngjarje u regjistruan edhe 28 të plagosur, shumë prej të cilëve u raportuan në gjendje të rëndë. Policia ka konfirmuar deri më tani vdekjen e 4 vajzave të klasës së pestë, 3 nxënësve në klasën e tretë një nxënëse tjetër që u qëllua jashtë godinës dhe të paktën një i rritur.

Policia u nidhmua nga forcat speciale në aksion ndërsa autori i dyshuar u gjet pa jetë me dyshimin e vetëvrasjes. Autori i sulmit identiteti i të cilit nuk është dhënë ende, sipas mediave lokale është një ish-student 22 vjecar i institutit. Trupi i tij u gjet nga Forcat Speciale në një nga banjot e shkollës ndërsa media austriake Kronen Zeitung shkroi se ai e konsideronte veten viktimë të bullizimit.

Gjithashtu mediat lokale ndërtuan edhe dinamikën e ngjarjes. Autori i dyshuar ka hyrë në të paktën 2 klasa dhe më pas ka dalë në ambientet e jashtme ku gjithashtu ka qëlluar me armë zjarri.

Kryetarja e bashkisë së Grazit, Elke Kahr, e quajti ngjarjen një "tragjedi të tmerrshme".

Kancelari Christian Stocker dhe ministrja e jashtme Beate Meinl-Reisinger anuluan takimet e tyre, përfshirë konferencën për shtyp të mëngjesit të sotëm për "100 ditët e qeverisjes".

"Të shtënat në një shkollë në Graz janë një tragjedi kombëtare që ka tronditur thellësisht të gjithë vendin tonë. Ky akt i papërshkrueshëm shkëputi papritmas të rinj nga jeta që kishin ende përpara. Nuk ka fjalë për dhimbjen dhe pikëllimin", shkroi Stocker në platformën X.

Në X, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Kaja Kallas shkroi se ndihej thellësisht e tronditur nga lajmi. Çdo fëmijë duhet të ndihet i sigurt në shkollë dhe të jetë në gjendje të mësojë pa frikë dhe dhunë, vijoi Kallas në reagimin e saj.

"Lajmet nga Graz-i na trondisin fort", tha Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, në shërbimin online X.

"Është e vështirë të durohet kur shkollat ​​bëhen vend vdekjeje dhe dhune".

Ora 22:01
Sulmi në Austri/ Kryetari i Vitisë shpreh ngushëllimet për humbjen e jetës së vajzës nga Kosova që ndodhej në shkollën e Graz

Një ngjarje e rëndë ndodhi sot në qytetin Graz të Austrisë, ku dhjetë fëmijë humbën jetën si pasojë e një sulmi të rëndë, mes tyre edhe një vajzë nga Kosova, Lea Bajrami, me origjinë nga Komuna e Vitisë.

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka reaguar në Facebook pas kësaj tragjedie duke shprehur dhimbjen e tij të thellë për humbjen e jetës së Leas dhe ka dërguar ngushëllime të përzemërta familjes Bajrami, e cila është me origjinë nga komuna që ai drejton.

“Lajmi për humbjen e jetës së vajzës suaj, Lea Bajrami, më ka tronditur dhe më ka prekur shumë. Humbja e një fëmije, e një shprese për të ardhmen, është një plagë e pashlyeshme për gjithë shoqërinë tone. Në emër të Komunës së Vitisë dhe qytetarëve tanë, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Bajrami dhe u lutemi që Zoti t’ju japë forcë e durim për të përballuar këtë dhimbje,” u shpreh ai.

 

Ora 17:10
Masakra në Austri/ Një prej nxënësve që ka humbur jetën nga sulmi në shkollë rezulton të jetë nga Vitia e Kosovës! Osmani: Lutemi për ta!

1749568467_policecaraustria01487x3961487x3601.jpg

Një sulm vdekjeprurës ndodhi mëngjesin e sotëm, në një shkollë në Graz të Austrisë. Është raportuar se në mesin e viktimave ishte edhe një nxënëse nga Kosova.
Burime të IndeksOnline pohojnë se viktima në fjalë është 15-vjeçare, me prejardhje nga Vitia.

Sipas informacioneve të siguruara nga IndeksOnline bëhet e ditur se nga kjo tragjedi pësuan me fatalitet 9 nxënës, një mësuese dhe personi që kreu aktin, i cili dyshohet të jetë vetëvrarë në banjon e shkollës.

Ndërkohë, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se ky sulm është i tmerrshëm dhe se shkollat nuk duhet të jenë vende dhune dhe terrori.

“Ne mendojmë për familjet që humbën të dashurit e tyre dhe qëndrojmë me popullin e Austrisë gjatë kësaj kohe të dhimbshme. Lutemi për shërim të plotë të të plagosurve dhe për shërim në ditët në vijim”, ka shkruar Osmani në platformën “X”.

Mediat austriake kanë raportuar se 30 persona kanë mbetur të plagosur në të shtënat, mëngjesin e së martës në Graz të Austrisë. I dyshuari për sulmin ishte ish-nxënës i shkollës./Indeksonline

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord me kërkesën e gjyqtarëve për rritje të pagës me 700 euro?