Bota

Automjeti përplasi turmën e tifozëve të Liverpool/ 47 të plagosur, përfshirë 4 fëmijë! Autoritetet: Ngjarja s’po trajtohet si terrorizëm (VIDEO)

27 Maj, 07:32| Përditesimi: 27 Maj, 10:20

  • Share

Katër fëmijë janë në mesin e dhjetëra personave të plagosur nga ngjarja e një dite më parë, ku një automjet hyri mes turmës së tifozëve në Liverpool. 27 persona u dërguan në spital, dy prej të cilëve, përfshirë një fëmijë, pësuan lëndime të rënda. 20 persona të tjerë me lëndime të lehta u trajtuan në vendngjarje.

Autoritetet thanë se incidenti nuk po trajtohet si terrorizëm. Në pranga është vënë drejtuesi i automjetit, një 53-vjeçar britanik.

"Ajo që mund t'ju them është se ne besojmë se ky është një incident i izoluar dhe se në këtë kohë nuk po kërkojmë askënd tjetër të lidhur me këtë”, u shpreh zyrtari i policisë Jenny Sims.

Ngjarja ndodhur teksa mijëra njerëz ishin mbledhur në rrugë për të festuar fitoren e Liverpoolit në Premier League. Kryeministri Keir Starmer tha se skenat ishin të tmerrshme ndërsa falënderoi shërbimet e emergjencës për reagimin e shpejtë.

“Pamjet që vijnë nga Liverpool-i janë tronditëse. Jam pranë të plagosurve dhe të gjithë atyre të prekur nga kjo ngjarje. Dua të falënderoj policinë dhe ekipet e ndihmës për ndërhyrjen e menjëhershme në këtë ngjarje shokuese. Jam në kontakt me autoritetet dhe u kërkoj të gjithëve të lënë policinë dhe hetuesit të bëjnë punën e tyre”, tha ai.

Në një deklaratë të postuar në rrjetet sociale, Liverpool FC tha: “Jemi në kontakt të drejtpërdrejtë me policinë e Merseyside në lidhje me incidentin në Ëater Street që ndodhi drejt fundit të paradës së trofeve. Mendimet dhe lutjet tona janë me ata që janë prekur nga kjo ngjarje e rëndë. Ne do të vazhdojmë t'u ofrojmë mbështetjen tonë të plotë shërbimeve të emergjencës dhe autoriteteve lokale që po merren me këtë incident."

Një dëshmitare okulare, e cila banon në rrugën e qendrës së Liverpool-it ku ndodhi incidenti, tha për Sky News:

Njerëzit dukeshin të dëshpëruar. Pamë nga dritarja dhe pashë se makina kishte përplasur disa persona. Pastaj njerëzit nisën të vraponin drejt makinës për ta ndaluar shoferin dhe u përpoqën të dëmtonin automjetin. Policia bëri çmos për të ndalur dhe shpërndarë turmën”.

Matt Cole, një gazetar i BBC-së që ndodhej në paradë me familjen e tij, i tregoi rrjetit publik britanik:

“Isha atje me familjen. Sapo kishim parë fishekzjarrët dhe festimet, autobusi i Liverpool-it kaloi pranë nesh në rrugën kryesore të Strand-it. Dëgjuam britma përpara nesh dhe papritur një makinë e errët u fut në turmë. Nuk ndalonte. Arrita të kap vajzën time që ishte me mua dhe të hidhem anash. Na kaloi vetëm pak centimetra larg”.

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rama paralajmëron ndryshime në parti e qeveri, si e vlerësoni?