EKSKLUZIVE/ Autori i vrasjes së Behar Sofisë, Ernejt Shyti dëshmon në GJKKO: Porositësit do më paguanin 500 mijë euro për një vrasje tjetër në Gjermani! Paratë do m’i jepte ‘Bajlozi’

16 Mars 2023, 12:04| Përditesimi: 16 Mars 2023, 15:51

  • Share

Pasi vrau Behar Sofinë i njohur si “padron droge’, më 25 shkurt afër Piramidës në anë të Lanës, Ernejt Shyti, aktualisht në burg, do të ekzekutonte dhe një tjetër person në Gjermani. Pohimin 24 vjeçari e bëri në gjyq, ku tregoi për vrasjen e Sofisë, për të cilën iu premtuan 500 mijë euro, por që nuk i mori asnjehërë.

“Të njëjtët që më dhanë porosinë për të vrarë Behar Sofinë, të cilin e vrava, më afruan 500 mijë euro për të bërë një vrasje tjetër, jo në Tiranë, por në Gjermani”, trondit me rrefimin e tij Ernejt Shyti, i cili ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë. Shytit iu afrua kjo punë, nga i njejti grup që kërkoi eleminimin e Sofisë.

“Më thanë që viktima e ka shtëpinë buzë rrugës dhe ishte një 34-vjeçar. Pagesa që do të merrja për këtë vrasje ishte e majme, jo 50 milionë lekë të vjetra që nuk i mora asnjëherë për Behar Sofinë, por 500 mijë euro. Po ashtu më thanë se paratë do t’i merrja nga “Bajlozi”, vijoi më tej në GJKKO Shyti.

“Bajlozin” pretendon se nuk e njeh dhe nuk e di kush ishte, sikurse nuk kishte informacion nëse shenjestra ishte shqiptar apo shtetas i huaj. Në pjesën tjetër të seancës gjyqësore, Shyti rrefeu edhe njëhëre, dinamikën e ngjarjes ku mbeti i vrarë Behar Sofia. Pasi mori porosinë, Shyti bashkë me Xhuliano Vishën edhe ky i arrestuar, shkuan në pyll e Krrabës, për të mësuar të qellonin me pistoletë TT. Por çuditërisht i riu e vazhdon rrëfimin, duke thënë se shtinë vetëm dy herë, dhe gëzhojat i fshehën në pyll. Më pas miku i tij Visha i dha një “iPhone” me të cilin do të fliste në aplikacionin “Sky” me një tip që quhej “Lleshi”, i cili rezulton Leonard Xhixha, të cilin disa ditë më pas e takoi personalisht tek Sanatariumi. Pas Lleshit, një burrë që e therrinsin “Daja”, Skënder Vathi dhe një djal i ri, edhe këta në burg, i vihen në ndihmë Shytit, për të ekzekutuar Sofinë, të cilin e vëzhguan 20 ditë.

Për këto ditë ekzekutori thotë se mori vetëm 90 mijë lekë të vjetra, kurse 50 milionët të cilat do ti merrte mënjeherë pas vrasje tek Liqeni i Tiranë, nuk ia dhanë kurrë. Personat që do e paguanin nuk ishin në vendin e takimit. Dy javë më vonë Ernejt Shyti u kap në Mal të Zi, pas tij u arrestuan edhe Skënder Vathi, 54 vjeç, Leonar Xhixha, 30 vjeç, Xhuljano Visha, 28 vjeç, si dhe Bujar Leza. Jemin Shera dyshohet se ka qenë personi kyç që ka bërë porosinë e vrasjes së 66-vjeçarit.

66 vjeçari Behar Sofia, i njohur si "padron droge", u ekzekutua mëngjesin 25 shkurtit afër Piramidës në Tiranë, ndërsa vrasësi u largua me biçikletë. Autori pasi e ka ndjekur disa metra pranë shtëpisë së tij, i ka dalë para 66 vjeçarit dhe e ka qëlluar. I veshur sportiv, me kapele, syze e maskë anti-COVID pasi ka bërë atentatin ai është larguar dhe ka kaluar në këmbë urën e Lanës. Më pas ai ka marrë një biçikletë pranë kullave dhe është larguar drejt Kodrave të Liqenit.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?