Autoritetet amerikane të mjekësisë: Rezultatet e testeve serologjike nuk duhet të justifikojnë rihapjen e shkollave

8 Shtator 2020, 17:40| Përditesimi: 8 Shtator 2020, 17:42

  • Share

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe Shoqata Amerikane Mjekësore kanë deklaruar sot se ‘derisa të mësojmë më shumë për saktësinë e testeve të antitrupave, rezultati i tyre nuk duhet të përdoret si justifikim për të rihapur shkollat apo aktivitetin ekonomik”.

Në muajin prill, në kulmin e masave izoluese kundër koronavirusit, ekspertë të shëndetësisë në administratën Trump shprehën entuziazëm për një test që do të konfirmonte nëse një person ishte prekur më parë nga ky virus dhe mund të kishte imunitet ndaj tij në të ardhmen.

Testi i antitrupave do të tregonte “imunitetin e mrekullueshëm, shumë të bukur” tha Presidenti Trump duke shtuar se kjo do të mundësonte rihapjen e ekonomisë.

Në periudhën që pasoi u bë e qartë se këto teste nuk ofrojnë garanci për amerikanët që duan të kthehen në normalitet, thotë Dr. Jennifer Rakeman e Laboratorëve të Shëndetit Publik në Nju Jork.

Organizmi krijon antitrupa për të luftuar virusin kur shfaqet infeksioni. Testi zbulon praninë e këtyre antitrupave, por shkencëtarët ende nuk dinë se çfarë mase imuniteti ofrojnë këto antitrupa ndaj koronavirusit.

Faktikisht, “nuk është diçka që vërtetohet lehtë,” në rastin e imunitetit, thotë Marc Jenkins, pedagog në Universitetin e Minesotës. Për të matur imunitetin tek kafshët apo njeriu, nevojiten studime afatgjata. Kjo zakonisht bëhet nga Institutet Kombëtare të Shëndetit apo universitete të ndryshme, por aktualisht këto institucione janë më të preokupuara me punën për të zhvilluar një vaksinë.

Por testet kanë vlerë për studime të gjera për të analizuar përhapjen e koronavirusit dhe për të identifikuar ata që mund të dhurojnë plazëm për të kuruar personat e sëmurë me COVID-19.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?