Kosova & Rajoni

Autoritetet në Mal të Zi nisin hetime për shenjën rrugore që paraqiste Pejën si pjesë të Serbisë

7 Prill, 19:30| Përditesimi: 7 Prill, 19:33

  • Share

Ministria e Transportit e Malit të Zi ka urdhëruar më 7 prill Inspektoratin e Rrugëve që të hetojë rastin e vendosjes së një shenje rrugore në Plavë, ku qyteti i Pejës, që ndodhet në Kosovë, ishte shënuar si pjesë e Serbisë, konfirmuan për Radion Evropa e Lirë nga kjo ministri.

Shenja u hoq më 6 prill, por nuk dihet saktësisht kur ishte vendosur.

Ministria nuk ka dhënë përgjigje se kush dhe kur ka urdhëruar vendosjen dhe më pas heqjen e shenjës kontestuese në vendbanimin Murinë, që i përket Komunës së Plavës, në veri të Malit të Zi, afër kufirit malazezo-kosovar.

“Drejtoria e Transportit është përgjegjëse për vendosjen e sinjalizimit rrugor përgjatë rrugëve magjistrale dhe rajonale. Ministria është në dijeni për rastin në fjalë dhe kemi urdhëruar Inspektoratin që të dalë në terren dhe të veprojë në përputhje me gjendjen faktike dhe ligjin”.

Fotografia me këtë shenjë rrugore u shpërnda të dielën në rrjetet sociale. Të njëjtën e ndau edhe artistja nga Plava, Kaltrina Hoti.

Në një video përballë shenjës, Hoti shihet bisedon me punëtorët e kompanisë që, siç dëgjohet, e kishin vendosur tabelën.

“Është urdhëruar nga Podgorica, nga Drejtoria e Transportit. Unë jam vetëm punëtor dhe vendos shenjat sipas dokumentacionit që marr”, tha njëri nga punëtorët, duke treguar një letër që nuk shihet qartë në video.

Kur Hoti përsëriti se udhëzimet për vendosjen e shenjës kishin ardhur nga Ministria malazeze, punëtori e pohoi këtë.

Në kamionin që shihej në video ishte i shkruar emri i kompanisë “Signal”. Kjo kompani, me seli në Sombor të Serbisë, sipas faqes zyrtare të internetit, është e specializuar për prodhimin dhe vendosjen e sinjalizimit rrugor. Ata nuk iu përgjigjën pyetjes së REL-it se kush i kishte angazhuar.

Nga komuna fqinje e Rozhajës i thanë REL-it se, ndryshe nga disa pretendime në rrjete sociale, nuk ka pasur përpjekje për vendosjen e tabelave të ngjashme në atë qytet./REL

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Produktet e kontaminuara, si e vlerësoni sigurinë ushqimore në Shqipëri?