Skicë e kampit të Tepelenës

Autoriteti i Dosjeve sot raporton në Kuvend për Memorialin e Tepelenës

17 Prill 2018, 08:07| Përditesimi: 17 Prill 2018, 08:12

  • Share

Çështja e një memoriali kushtuar Kampit të të të Internuarëve në Tepelenë, pasi është bërë debat publik përgjatë një muaji rresht, do të trajtohet sot në Parlament. Kështu ka deklaruar për “Shqiptarja.com”,  kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Mara Sula.

Debatet për projektin e një memoriali në Kampin e Tepelenës janë “ndezur” pas një deklarate të historianit Pëllumb Xhufi në një intervistë televizive, që u shpreh kundër ngritjes së tij. Deklaratat e Xhufit kanë shkaktuar zemërimin e ish të internuarëve, sepse historiani ka mohuar edhe faktet e përmendura në raportet e CIA-s për SHBA-në dhe vdekjen masive të fëmijëve në Kampin e Tepelenës. Xhufi ka deklaruar se “Ky kamp nuk ka qenë aspak shfarosës dhe ka pasur ambiente goxha të mira ”. Gjithashtu ai ka deklaruar se “shumica e personave që ishin aty, qenë familjarë të personave që sponsorizoheshin nga jugosllavët për veprime sabotuese në territorin shqiptar”

Pas këtyre deklaratave dhe shumë të tjerave, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit ka reaguar duke bërë publik faktin se projekti për Memorialin kushtuar Kampit të të Tepelenës është në proces  pune dhe do të përfundojë në periudhë trevjeçare.

Puna ka nisur me mbjelljjen e 300 qiparisave në kujtim të 300 fëmijëve të vdekur nga uria, kqtrajtimi dhe sëmundjet në Kampin famëkeq të Tepelenës.  Autoriteti i Dosjeve ka deklaruar zyrtarisht se projekti për muzealizimin e kampit, parashikon rikthimin në identitet, si kamp dëbimi të një prej kapanoneve, vendosjen e stendave me dëshmi (fotografi dhe dëshmi arkivore) për kampet e dëbim – internimit, dizenjimin, pozicionimin si dhe mbjelljen e disa fidanëve (qiparisa) për përkujtimin e fëmijëve që kanë humbur jetën nga kushtet e vështira në kampin e Tepelenës dhe janë pa një vendvarrimi.”

Sipas këtij institucioni, Ndërtimi i këtij Memoriali shënon vetëm hapin e parë për transformimin e të gjithë kompleksit në një Muze të Kampeve të Punës së Detyruar të Diktaturës Komuniste. Ndërkohë që po mblidhen dokumentat dhe faktet për Memorialin Autoriteti i Dosjeve  do të raportojë sot në Parlament për ecurinë e punës,  si janë konceptuar vendet e kujtesës si Kampi i Tepelenës, arritjet e fushatës së komunikimit ‘Edhe muret kanë veshë’ zbatuar nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit me mbështetjen e PNUD Shqipëri dhe qeverisë së Italisë, e në gjerë.

Autoriteti, bën me dije se fushata do të shtrihet në mbarë vendin, duke mbledhur dëshmi të të mbijetuarve të dënuar gjatë periudhës komuniste dhe dëshmi të solidaritetit që qytetarët e Tepelenës treguan ndaj viktimave.
Në Kampin e Tepelenës u internuan 3380 persona, nga të cilët: 973 burra të moshuar, 1254 gra dhe 1163 fëmijë.

Sula pohon se “projektideja e Memorialit në kampin e dëbim-internimit të Tepelenës është ende në zhvillim. Autoriteti është i hapur për bashkëpunim me të gjithë aktorët e faktorët, në mënyrë që kampi i Tepelenës, si dëshmi e kampeve të punës së detyruar në diktaturë, të përfaqësojë një vend reflektimi për të rinjtë, studentët, qytetarët dhe të nderojë sakrificën e dinjitetin njerëzor të mijëra vetave, burra, gra e fëmijë, që u keqtrajtuan në kampet e punës së detyruar në të gjithë vendin.”. Për projektin po bashkëpunohet edhe me Bashkinë e Tepelenës e institucionet shtetërore. Sipas deklaratës së këtij institucioni:  

“Shqiptarët kanë nevojë për vende të tilla të kujtesës për të dënuarit e ndërgjegjes, si institucionet e burgimit apo internimit, që e kaluara të mos harrohet, të shërbejë për të kuptuar të tashmen e për të ndërtuar të ardhmen në baza më solide. Sa i takon sistemit të dëbim-internimeve, kampi i Tepelenës spikat për disa arsye:

– Ky kamp mbart qindra histori të dhimbshme njerëzore. Për shkak të situatës ekstreme të jetës, ai është përmendur në mënyrë të posaçme nga qeveria amerikane në vitin 1955, si pjesë e ankesës së saj në Kombet e Bashkuara për shkeljen e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe për përdorimin e punës së detyruar si ndëshkim.

– Ai pasqyron më së miri tipologjinë e kampeve të rrethuara me tela me gjemba, të cilat nuk kanë qenë fenomen i përhapur në Lindjen Komuniste dhe mund të krahasohen vetëm me gulagët sovjetikë.”, shkruhet në raportin mbi ecurinë e projektit për Memorialin e Tepelenës, për të cilin priten informacione të reja sot në Parlament nga drejtorsha e Autoritetit të Dosjeve Gentian Sula.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?