Autoriteti italian: Vatrat e vogla të ‘prushit’ Covid dhe ‘thëngjijtë’ asimptomatikë mund të shndërrohen në zjarre masive...

23 Korrik 2020, 13:22| Përditesimi: 23 Korrik 2020, 13:26

  • Share

Prej disa javësh eminentët mjekë klinikë në Itali kanë pretenduar se sëmundja e shkaktuar nga Sars-CoV-2 ka ndryshuar, ashpërsia e infeksionit është zvogëluar dhe se virusi është më pak agresiv (“më i mirë").

Teza gjerësisht e përhapur mbështetet te vëzhgimet te virologëve, të cilët flasin për ulje të ngarkesës virale në nazofaringun e subjekteve të infektuar, në krahasim me atë që është vërejtur në fazën akute të epidemisë.

Ata janë shprehur për një adaptim progresiv të virusit te njerëzit me infeksion paucizimptomatik dhe mbase të vazhdueshëm (si ai i koronavirusëve të tjerë njerëzorë), por pa vuajtur shumë prej tij. Pothuajse një lloj kolonizimi. Një virus që është pajtuar me trupin tonë, me mbrojtjen tonë imune.

Profesori Antonio Cassone, i Qendrës së Inovacionit të Gjenomikës, Gjenetikës dhe Biologjisë (Polo GGB), në Siena, thotë se “Sidoqoftë, është e drejtë të pyesim veten se cilat janë shkaqet e beninitetit të fituar prej sëmundjes, sepse natyra dhe shtrirja e masave të kontrollit dhe kontrollit të epidemisë që duhet të mirëmbahen, modifikohen ose madje dhe shfuqizohen, varet nga kjo.

A ka ndryshuar virusi, a kanë ndikuar te kjo subjektet dhe metodat e transmetimit viral?

Dëshmi dhe vëzhgime të forta

Cassone gjithashtu pyet se a ka ndonjë provë apo vëzhgim të fortë që Covid ka ndryshuar aq shumë sa është bërë më pak agresiv se më parë, për të justifikuar një pamje kaq të ndryshme klinike?

“Përgjigja, për momentin, është qartësisht jo, nuk ka asnjë studim që sugjeron dhe më pak se kurrë dëshmon se Sars-CoV-2 është bërë më pak agresive. Nëse shkaku i kësaj mirësie nuk është virusi, shpjegimi duhet të kërkohet te pacientët dhe / ose në mënyrën e transmetimit. Ne e dimë me siguri se subjektet e moshuar me sëmundje të tjera të mbartura, (hipertension, tumore, patologji kronike të frymëmarrjes etj etj) përfaqësojnë pothuajse të gjitha rastet serioze të Covid-19 dhe se në rreth 80% të të moshuarve të infektuar dhe pa këto bashkë-sëmundje shoqëruese, Covid ka qenë gjithmonë beninjë, te një pjesë e madhe e njerëzve plotësisht asimptomatikë. Ne gjithashtu e dimë se familjet, spitalet dhe shtëpitë e të moshuarve kanë qenë në qendër të zhvillimit të epidemisë në Itali, si dhe gjetkë. Është e arsyeshme të mendosh që organizimi, hapësira dhe përdorimi i pajisjeve të sigurisë tani po mbrojnë këtë segment të popullatës që është shumë e ndjeshme ndaj sëmundjeve serioze. Por nëse grupmosha me sëmundje të tjera bashkëshoqëruese tani është më e mbrojtur nga infeksioni, tani Covid ka ulur moshën mesatare të atyre që prek”.

Duke folur për ndjeshmërinë e Covid ndaj temperaturave të larta, Profesori Antonio Cassone tha se ekzistojnë raporte të ndryshme që tregojnë ndjeshmëri të lartë të virusit ndaj temperaturave të larta dhe ekspozimit ndaj rrezeve ultravjollcë.

“Se sa ndikon kjo në përhapjen e sëmundjes, megjithatë nuk është përcaktuar. Por ne gjithashtu shohim numrat. Në një javë, deri më 20 korrik, në Itali ka patur rreth 200 raste dhe rreth pesëmbëdhjetë vdekje. Në krahasim me periudhën e vështirë dhe ‘të pastër’ të pandemisë, kata numra janë gjë e vogël dhe dëshmojnë për malinjitet më të vogël të sëmundjes, por edhe se virusi nuk është zhdukur. Ne jemi duke kaluar një fazë me dhjetëra shpërthime të epidemive, të shkaktuara shpesh nga hyrja në Itali e njerëzve nga vendet fqinje, në të cilat Sars-CoV-2 ‘po lulëzon’. Ata janë pothuajse të gjithë mesatarisht të rinj me infeksione të buta ose asimptomatikë.

Nëse virusi gjen më pak njerëz për t’u infektuar për shkak të masave paraprake që kemi marrë dhe transmetimi gjatë temperaturave të larta është më pak i lehtë për tu zhvilluar, është e besueshme që virusi tani ka një ngarkesë më të ulët virale.

Por kush e di me saktësi se cila është marrëdhënia midis ngarkesës virale në faring apo hundë dhe ngarkesës virale në organet e trupit apo inde?

Cassone u shpreh se Italia është e rrethuar nga vende ku virusi është jashtë kontrollit dhe ka disa të tilla si tani Spanja, Irani, India, Shtetet e Bashkuara dhe Brazili ku vdekshmëria është e lartë, siç ishte në periudhën më të keqe të pandemisë.

“Ne e kemi provuar depërtueshmërinë e lartë ndërkufitare dhe përhapjen e këtij virusi. Ne akoma nuk kemi terapi me të vërtetë efektive dhe vaksinat, nëse do ti kemi, do të jenë për vitin e ardhshëm, dhe nuk thuhet ende nëse ato do të na mbrojnë nga ri-infeksionet për një kohë të gjatë nëse virusi vazhdon të qarkullojë në mënyrë të përhapur”.

Si përfundim, është shumë e vërtetë që Covid-19 nuk është më si më parë, por mbase ne e bëmë të tillë me masat e marra. Por akoma nuk ka ardhur koha për të bërë një monument për Covid që po sillet kaq urtë...

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?