Autostrada Tiranë-Durrës me pagesë? ARRSH e mohon: Nuk do të ketë tarifë për përdoruesit, po zgjerohet me paratë e buxhetit të shtetit

25 Janar, 13:35| Përditesimi: 25 Janar, 13:58

  • Share

Autostrada Tiranë-Durrës nuk do të bëhet me pagesë pas zgjerimit të saj me katër korsi, për të cilën punimet pritet të nisin këtë vit. Autoriteti Rrugor Shqiptar sqaron për Report TV se kjo autostradë financohet me fondet e buxhetit dhe nuk do ketë tarifë për kalimin nga qytetarët.

Ndërsa referuar dokumentit për urat, ku flitet edhe për investimin e Urës së Beshirit, që është përgjatë aksit Ndroq-Plepa, parashikohet tarifë për këtë aks, ARRSH, thotë se ai draft lidhet me opsionet e marra në shqyrtim nga studimi i fizibilitetit të urës për 50 vitet e ardhshme. Kështu që me këtë zgjerim që do të bëhet nuk do të aplikohet pagesa.

Punimet për zgjerimin e autostradës do nisin në mars të këtij viti me lotin e parë që përfshin 5.8 kilometra nga kthesa e Kamzës deri tek Nyja Kasharit që pritet të kushtojnë 20 milionë euro dhe përfundon në vitin 2026. Ndërsa kostoja totale e zgjerimit të autostradës prej 31 kilometra sipas ARRSH-së do të jetë 170 milionë euro.

Pas zgjerimit autostrada do të ketë gjerësi 35.1 metra 18.6 metra që është aktualisht, dhe shpejtësia e lejuar parashikohet deri në 140 km në orë.

Kjo nuk është hera e parë që kjo rrugë përflitet se do të bëhet me pagesë, pasi në vitin 2018, qeveria mori një propozim të pa-kërkuar për ta marrë me koncesion këtë autostradë për ta zgjeruar dhe më pas do të bëhej me pagesë.

Më pas Ministria e Transportit u tërhoq nuk pranoi këtë propozim, dhe njoftoi se në vjeshtën e vitit 2019 do të hapej gara për ta dhënë me koncesion, dhe se pagesa do të zbatohej vetëm pasi të kishte përfunduar edhe rruga nga Ndroqi.

Por pas shumë debatesh u vendos që ky aks me ndikim të madh ekonomik dhe me trafik të lartë automjetesh do të zgjerohet dhe rehabilitohet me fondet e buxhetit të shtetit.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?