Kreu i PD-së Lulzim Basha i rrethuar nga qytetarë

Opinion

Aventurieri politik Lulzim Basha, që beson tek teoria 'e treta e vërteta'

21 Qershor 2021, 12:06| Përditesimi: 21 Qershor 2021, 12:09

  • Share

Partia Demokratike ka nisur analizën në bazë për shkaqet e humbjes më 25 prill 2021. Ajo po e shtrin analizën që nga zgjedhjet e vitit 2009 deri në vitin 2021, pra për plot 12 vjet kalendarikë ose katër palë zgjedhje parlamentare. Nuk kuptohet se përse duhet që të shkohet kaq gjatë në kohë, por kjo është çështje e saj e brendshme.

Megjithatë, po të bazohemi tek këto periudha zgjedhore mbi të cilat PD-ja po ndërton analizën e saj të humbjes, na duhet t’i vëmë në dukje se në zgjedhjet e vitit 2021 kjo parti tejkaloi me vetëm 11724 vota, vitin e saj më të mirë zgjedhor sipas sistemit elektoral rajonal, atë 2009. Pra, iu deshën 12 vjet për të pasur një rritje kaq modeste, ndonëse numri i zgjedhësve në vitin 2021 u rrit me 58941 votues më shume sesa në vitin 2009. Dy vitet e ndërmjetme zgjedhore, 2013 e 2017 as nuk duhen përmendur sepse janë katastrofë politike për PD-në.

Partia Socialiste jo vetëm që ka qenë gjithnjë më e madhe në numër votash sesa PD-ja, por po të marrim si bazë krahasuese po këtë periudhë zgjedhore, ajo ka qenë në rritje edhe me vetveten. Në zgjedhjet e vitit 2021 PS mori 3384 vota më shumë sesa në zgjedhjet e vitit 2017 që është rezultati i saj më i lartë. Kurse diferenca PS – PD  në zgjedhjet e fundit është 146 mijë vota në favor të PS-së.

Partia Demokratike humbi dy mundësi të arta që iu ofruan gjatë vitit 2019 dhe 2020 për të qenë protagoniste politike në dy çështje më rëndësi kombëtare.

E para, ishte refuzimi që i bëri ftesës së kryeministrit Rama për të qenë pjesë e procesit të rindërtimit pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019.

E dyta, ishte refuzimi për të qenë pjesë e sistemit në zgjidhjen e problemit të pandemisë Covid-19.

Ajo i ra shkurt duke i thënë jo të prerë kryeministrit Rama, duke besuar se ai do të dështonte në të dyja rastet dhe kësisoj ajo nuk do të donte që të ishte pjesë e dështimit i cili, sipas logjikës së saj, do të përdorej nga Rama për të shpërndarë përgjegjësinë me opozitën.

Për fatin e mirë të kryeministrit Rama, të dyja proceset e vështira dolën me sukses për të dhe qeverinë e tij. Në këto kushte, elektorati pati mundësinë që të vlerësojë me votë ata të cilët i dolën për zot popullit të tyre dhe ata që i bën bisht përgjegjësisë nga frika se mos ishin pjesë e dështimit. Pra, vunë interesin personal të partisë së tyre, mbi fatet e vendit.

Partia Demokratike i humbi zgjedhjet jo se pati “masakër elektorale”, por vetëm për faj të kryetari të saj, Lulzim Basha, i cili nuk krijoi frymë fituese për të nxjerrë masivisht elektoratin në zgjedhje. Më 25 prill 2021, morën pjesë në zgjedhje 4033 zgjedhës më pak sesa në vitin 2017 dhe 146 mijë zgjedhës më pak sesa në vitin 2013. Figura e kryetarit të opozitës nuk ngjiti në popull si një lider të cilit i duhen besuar çelësat e qeverisjes.

Është pikërisht kjo arsyeja se përse ai duhet të merrte përsipër përgjegjësinë e humbjes dhe të jepte dorëheqjen nga drejtimi i partisë. Është pikërisht kjo arsyeja, të cilën ai e njeh shumë mirë, por që nuk do ta pranojë duke iu imponuar partisë së tij për një mandat të ri në krye të saj. Ndërkohë, kujton se kësisoj do t‘i imponohet sërish shqiptarëve në zgjedhjet e radhës.

Kur populli të refuzon dy herë me votë për kryeministër; kur partia në zgjedhjet e dyta të tij kap shifrat e përpara 12 viteve po ku diferenca me PS-në atëherë ishte vetëm 10 mijë vota e sot 146 mijë vota; kur popullin nuk e motivon që të dalë në votime; ku e gjen Lulzim Basha të drejtën morale e politike që ta vendosi popullin në provë që ta besojë sipas teorisë “e treta e vërteta”?! Vetëm një aventurier politik si Lulzim Basha mund të guxojë kaq shumë. Për fatin e keq të partisë së tij dhe opozitës në tërësi.

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?