Korea e Jugut do të dërgojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës një nga kutitë e zeza të Boeing 737-800 që u rrëzua më 29 dhjetor 2024 në Mueang, duke vrarë 179 nga 181 personat në bord.
Lajmin e bëri të ditur Ministria e Transportit, raporton CNN.
Informacioni që përmban “regjistruesi i të dhënave të fluturimit- i cili është dëmtuar, sot (1 janar 2025) u vendos që të transferohej në Shtetet e Bashkuara për analiza në bashkëpunim me hetuesit amerikanë”, tha zëvendësministri i aviacionit civil i Seulit, Joo Jong-wan.
Ndërkohë ende nuk dihet sesa do të zgjasë procesi i hetimit.
Si ndodhi ngjarja?
Avioni po përpiqej të kryente një ulje emergjente, sipas agjencisë së lajmeve Yonhap, pasi kishte dështuar në një tentativë të parë për shkak të një defekti në rrotat e uljes. Megjithatë, Boeingu nuk arriti të ngadalësohej, doli nga pista dhe u përplas me një mur, duke shpërthyer në flakë pasojë e goditjes..