U la në burg për aferën e privatizimit të klubit 'Partizani', Malltezi ankimon në Apel masën e arrestit

27 Tetor 2023, 12:04| Përditesimi: 27 Tetor 2023, 18:38

  • Share

Jamarbër Malltezi ka bërë ankim në Gjykatën e Apelit të Posaçëm kundër vendimit të shkallës së parë e cila më 20 tetor vendosi arrest me burg ndaj tij për hetimet e SPAK mbi privatizimin e ish-klubit Partizani. Avokati Klodian Skënderi kërkon të shfuqizohet masa ndaj dhëndrit të ish-kryeministrit Berisha, pasi sipas tij dosja e prokurorisë nuk ka prova për korrupsion, çka pas-sjell rënien edhe të akuzës së dytë për pastrim parash.

Në dosjen “Partizani” Jamarbër Malltezi dhe Fatmir Bektashi akuzohen për “korrupsion” dhe “pastrim parash”, ndërsa Sali Berisha vetëm për “korrupsion pasiv”.  Malltezi dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me vjehrrin e tij Sali Berisha, duke shfrytëzuar pushtetin e tij si kryeministër, duke përfituar nga privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, nga ndryshimi i destinacionit nga zona sportive në zona banimi, shuma të konsiderueshme në cilësinë e investuesit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar në të, si dhe përfitime të marra para se të deklarohej si bashkortak në këtë shoqëri.

Ndërsa në bashkëpunim me ndërtuesin Fatmir Bektashi, Malltezi dyshohet se ka kryer pastrim të produkteve të veprës penale, duke u paraqitur si investitor në punimet për ndërtimin e bllokut të banesave, ndërkohë që nuk rezulton të ketë investuar, duke kryer veprime financiare, transaksione të copëzuara, apo në cash, për të fshehur origjinën dhe për të përfituar në mënyrë të paligjshme shuma deri mbi 5 milionë euro.

Nga ana tjetër edhe Bektashi dyshohet se ka kryer korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë në bashkëpunim me Malltezin, duke i dhënë atij përfitimeve të paligjshme në shuma të mëdha, me qëllimin e përbashkët për të bërë ndërtime në terrenet sportive. Ai dyshohet se në bashkëpunim me Malltezin kanë kryer pastrim të produkteve të veprës penale teksa kanë fshehur origjinën e vërtetë të përfitimeve monetare të parregullta të Malltezi, duke i paraqitur ato si të ardhura te ligjshme nga biznesi.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?