Presidenti i PL-së Ilir Meta ka ankimuar masën e sigurisë në Apelin e Posaçëm të GJKKO. Ankimi është dorëzuar nga avokati i tij mbrojtës Kujtim Cakrani në sekretarinë e shkallës së parë, teksa pritet që në ditët në vijim të caktohet data për shqyrtimin e kësaj kërkesë.
Në 19 shtator, Ilir Metës iu rrëzuar kërkesa për ndryshimin e masës së sigurisë nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila nuk pranoi kërkesën e ish-presidentit.
Ilir Meta ndodhet i arrestuar që prej 21 tetorit 2024. Ish-Presidenti Meta ka bërë rekurs edhe në Gjykatën e Lartë dhe kërkesa e tij do të shqyrtohet më 9 tetor. Ai ka bërë ankimim për masën arrest në burg, të caktuar prej rreth 1 viti nga GJKKO dhe të lënë në fuqi nga Apeli.
Ndërkohë që, Irena Gjoka do të jetë edhe gjyqtarja e seancës paraprake më 25 shtator në ngarkim të Ilir Metës, Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhit, Ema Çokut dhe Pirro Xhixhos, që janë marrë të pandehur nga SPAK.
SPAK mbylli hetimet për dosjen ‘Meta’ më 28 korrik, ndërsa e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një; aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror. Meta dhe Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Ndërsa Fatime Kryemadhi akuzohet për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun.
Komente
