Kryesocialisti dhe kryeministri Edi Rama shpalli sot vendimin për shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra e kryetarit të Bashkisë Tiranë. Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS, ai i kërkoi anëtarëve socialistë të Këshillit Bashkiak të kryeqytetit të aktivizojnë mekanizmin e shkarkimit të kryebashkiakut Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim prej 10 shkurtit të këtij viti.
Në lidhje me këtë çështje sot në 'Studio Live', ishte i ftuar avokat Arbër Hoxha. Teksa u pyet nga moderatori Ermal Qori rastet se kur kryeministri mund të shkarkojë një kryebashkiak Hoxha theksoi tre arsyet kryesore.
"Zoti Rama mund të jetë në të drejtën e tij politike por jo në të drejtën e tij ligjore për të marrë masa për të shkarkuar qoftë edhe kryetarin e bashkisë. Tre rastet kur kryeministri mund të shkarkojë një kryebashkiak janë: së pari për shkelje të rënda të kushtetutës; kur dënohet me një vendim të formës së prerë dhe së treti kur nuk paraqitet në detyrë për tre muaj rresht.
Ndaj zotit Veliaj ka vetëm një njoftim të akuzës madje nuk ka asnjë vendimarrje të gjyqtarit të seancës paraprake. Sipas kushtetutës vetëm pasi çështja kalon në gjykim dhe ka një vendimarrje të gjykatës, ky person do të quhet si pandehur. Veliaj ka një masë sigurimi që e detyron që të mosparaqitet në detyrë.
Për këto arsye Veliaj nuk mund të shkarkohet ligjërisht, pastaj politikisht i takon kryeministrit apo bashkisë. Në këto raste Veliaj sipas ligjit ka mundësitë për ta atakuar këtë vendimarrje në gjykatën administrative apo apo në gjykatën e apelit administrative", tha ndër të tjera Hoxha.
Komente
