Aishe Haklaj dhe Sali Berisha

Avokati i Aishe Haklaj në dhjetor 2022: Njerëzit e Berishës tentuan të ekzekutonin Muharrem Haklajn dhe Ajshe Haklajn, si shpëtuan për fije të perit nga goditjet me snajper

28 Prill 2023, 11:32| Përditesimi: 28 Prill 2023, 11:36

  • Share

1682674551_sgfs.JPG

Në dhjetor 2022 është zbardhur pjesa e fundit të kallëzimit penal të Muharrem Haklajt dhe Ajshe Haklaj, motra e madhe e Haklajve, të cilët kanë çuar ish-kryeministrin Sali Berisha para SPAK me akuzën se bashkë me bandën e tij të armatosur ka shfarosur familjarët e tyre në Tropojë. Avokati i tyre mbrojtës është Idajet Beqiri.

Ja si i shpëtoi atentatit Muharrem Haklaj, shkrim i botuar në gazetën SOT
Në kallëzimin penal thuhet se: “Në datën 14.08.2002 Muharrem Haklaj ishte duke lidhur një qen pranë shtëpisë së tij, jashtë murit rrethues. Ishte ora 06.30 e mëngjesit. Banda e Armatosur e Sali Berishës ka qëlluar tre herë ndaj tij me snajper. Më pas kanë qëlluar në drejtim të tij me automatikë dhe mitrolozë të lehtë. Falë Zotit dhe lëvizjeve të tij, ky person ka mbetur i gjallë, pa pësuar asgjë. Shenjat e plumbave të shumtë në murin rrethues të shtëpisë janë parë nga forcat e policisë, të cilat për 50 minuta kanë qenë në vendin e ngjarjes në shtëpinë e Muharrem Haklaj. Policia i ka bërë të gjitha veprimet hetimore, ka kqyrur dhe fotografuar vendin e ngjarjes, ka fiksuar gjurmët e plumbave në murin rrethues të shtëpisë dhe mbi çati. Në vendin ku ishte ngritur prita për të vrarë Muharrem Haklaj kanë shkuar forcat e policisë, por edhe vajza e Hamdi Haklaj, e quajtur Drenica Haklaj, e cila në vendngjarje ka parë sende ushqimore, një thikë buke, si dhe një letër të grisur në copa-copa, në një pjesë të së cilës ishte emri dhe mbiemri Përparim Hyka dhe nënshkrimi poshtë emrit dhe mbiemrit.

Kush ishin pjesëtarë të tentativës së vrasjes

Në vendin ku ishte ngritur prita ka patur edhe shenja gjaku, pasi ka mbetur i plagosur djali i Sejd Hasan Hoxhës, i cili atë ditë ka shkuar në Repartin e Kirurgjisë në Spitalin e Bajram Currit dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore. Në datën 14.08.2002 janë ngujuar në shtëpinë e Sejd Hasan Hoxhës  të tre djemtë e tij, Tahir Sejd Hoxha, Agim Sejd Hoxha dhe Selim Sejd Hoxha, çfarë tregon se ata kanë qenë pjesëtarë të tentativës së vrasjes për hakmarrje primitive të Sali Berishës kundër kryetarit të familjes Haklaj, Muharrem Haklaj. Ne pritën për vrasjen e Muharrem Haklaj kanë qenë dhe kanë qëlluar mbi të me armët snajper dhe automatike Guxim Qazim Byberi dhe një person tjetër anëtar i Bandës. Shtetasi Guxim Byberi është një ushtar besnik i Sali Berishës. Këta dy persona, Guxim Byberi dhe një person tjetër i paidentifikuar, kanë vazhduar të qëllojnë me armë nga mali edhe kur në vendngjarje kanë ardhur forcat e policisë. Policia nuk i ka ndjekur ata. Në krye të kësaj Bande të Armatosur për të vrarë Muharrem Haklaj ka qënë Miftar Lumneshi së bashku me dy vëllezërit e gruas së tij, të quajturit Out Sylejman Nezën dhe Sadri Sylejman Nezën.

Dëshmitarët e atentatit
Në këtë atentat të kësaj Bande të Armatosur kanë qenë si pjesëmarrës edhe 4 (katër) djem të rinj, të cilët nuk janë njohur nga dëshmitarët okularë, sepse nuk janë të Tropojës. Dëshmitarë okulare për këtë ngjarje, kanë qenë edhe dy mbesat e Muharrem Haklaj, të quajturat Bujana Sherif Basha dhe Drenica Hamdi Haklaj. Këto ishin në majë të Kullës Haklaj dhe me dylbitë që posedonin, kanë parë shumë mirë të gjitha veprimet e bandës vrasëse dhe kush ishin me emër dhe me mbiemër shumë prej tyre (Gjithsej 12 persona). Plumbat dhe gëzhojat e gjetur në vendngjarje janë të dala nga të njëjtat armë automatikë, mitrolozë të lehtë dhe snajper që ishin gjetur më parë në të gjitha vrasjet e tjera të kryera me armë ose të mbetura në tentativë.

Qëllohet me plumba kulla e Haklajve
Në datën 20 qershor 2006 është qëlluar me plumba Kulla e Haklajve. Denoncimi në Polici është bërë nga qiraxhiu që jetonte në katin e parë të shtëpisë, Manush Selivrada. Policia e Tropojës dhe Prokuroria kanë filluar procedimin penal për këtë çështje, por e kanë pezulluar. Në këtë kohë në banesë kanë qenë gruaja dhe fëmijët e Manush Selivradës, të cilët janë rrezikuar nga të shtënat. Në datën 18 korrik 2006 për herë të dytë, Kulla e Haklajve është qëlluar me breshëri armësh për të vrarë cilindo që ndodhej brenda saj. Plumbat i kanë kaluar fare pranë kokës së qiraxhiut. Dëshmitari Manush Selivrada ka bërë kallëzim penal për këtë akt terrorist në Policinë e Tropojës. Policia ka ardhur në vendngjarje dhe pas kqyrjes së vendit të ngjarjes, ka fiksuar gjurmët e këtij akti terroristë, si plumbat e gjetura nga armët automatike dhe snajperi, drejtimi i të cilave vinte nga kodra përballë shtëpisë së Haklajve. Akti terrorist më barbarë prej kësaj Bande të Armatosur të Sali Berishës është ai i datës 24 korrik 2006. Kulla e Haklajve goditet me predha artilerie. Njëra predhë bie në çatinë e kullës, duke shkaktuar dëme materiale, ndërsa predha tjetër u gjet e paplasur në ballkonin e kullës në katin e dytë të saj. Qiraxhiu që ishte brenda kësaj Kulle me fëmijët dhe gruan e tij nuk kanë pësuar gjë. Pas këtij sulmi barbar terrorist, ai së bashku me familjen e tij janëshpërngulur dhe banojnë në qytetin e Bajram Currit.

Si u hodh në erë kulla e Haklajve
E njëjta Bandë e Armatosur kriminale e drejtuar nga Sali Berisha, në datën 14 gusht 2006, kanë shkuar në Kullën e Haklajve dhe kanë kryer aktin tjetër terrorist, duke spërkatur me benzinë të treja katet e kësaj Kulle dhe duke i vënë flakën asaj. Kulla është shkrumbuar e gjitha, duke shkaktuar një dëm të rëndësishëm material, pasi ajo është kthyer në gërmadha, ndërsa jetë njerëzish nuk janë dëmtuar sepse nuk kishte asnjë person që të banonte atë ditë aty. Ndërsa në datën 16 shtator 2006 kjo Bandë e Armatosur, me Sali Berishën në krye, sot deputet i Kuvendit të Shqipërisë, e etur për gjak dhe për masakër të padëgjuar mbi Familjen Haklaj, me mjete lufte të rrezikut të madh, sikurse është eksplozivi C4, kanë kryer aktin e rëndë terrorist, duke e vënë këtë eksploziv C4 në të gjithë perimetrin rrethyes të Kullës, me sasira shumë të mëdha, duke e hedhur në erë Kullën e Haklajve në Kërrnajë të Tropojës dhe duke e rrafshuar atë plotësisht. Nga ky akt terrorist ka dëme të mëdha materiale, por jo njerëzore, sepse në Kullë nuk ka qenë askush për të banuar. Neni 230 i Kodit Penal parashikon sa vijon: “Kryerja e veprimeve të dhunshme ndaj jetës, shëndetit të njerëzve, lirisë vetjake nëpërmjet rrëmbimit të tyre apo të mjeteve të udhëtimit masiv, që kanë për qëllim turbullimin e rëndë të rendit publik dhe ngjalljen e frikës e të pasigurisë në masë, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.”

Tentativa për vrasje ndaj Ajshe Haklajt
Në korrik të vitit 2009, pak ditë se të udhëtonte për në Suedi, Ajshe Muharrem Haklaj ishte në qytetin e Bajram Currit. Ajo është përndjekur në mënyrë të vazhdueshme këtë ditë prej Medi Hoxhës për ta vrarë. Në momentin që Ajshe Haklaj ka pikasur rrezikun e vrasjes prej Medi Hoxhës, është futur në dyqanin ku shitëse ishte një grua me mbiemrin e burrit “Lomnica” dhe mbiemrin e saj të vajzërisë “Seci”. Ajshe Haklaj ka qenë e shoqëruar prej Luljeta Selivrada. Të dyja kanë pikasur Medi Hoxhën që donte të ngjitej pas Ajshe Haklaj dhe po nxirrte nga xhepi i tij pistoletën.Menjëherë Luljeta Selivrada i ka dal përballë Medi Hoxhës dhe ka mbuluar me trupin e saj Ajshe Haklaj. Në këtë kohë ka reaguar edhe shitësja e dyqanit dhe Medi Hoxha është larguar. Këtë ngjarje, si dhe kanosjen serioze për vrasje që Ajshe Haklaj i ka bërë Haki Hoxha, kjo i ka dënoncuar në Komisariatin e Policisë dhe te ish Ministri i Brendshëm, të cilët e morën kallëzimin penal, por organi i akuzës nuk ngriti kurrë akuzë kundër tyre.


Lajmi kryesor:

Krimet në Tropojë, Berisha nën akuzë për vrasje, krijim bande e terrorizëm, motra e madhe e Haklajve gati 12 orë dëshmi në SPAK: Kemi ende besim te drejtësia


B.K./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?