Politikë

Avokati i Popullit 'bën' 25 vjeç! Institucioni 3 vite me kryetare pa mandat! Politika s’gjen dot konsensus për 1 titullar

25 Qershor, 15:48| Përditesimi: 25 Qershor, 16:59

  • Share

TIRANE - 25-vjetori i themelimit të Avokatit të Popullit e gjen institucionin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në vend, me politikën të paaftë të gjejë konsensus për të zgjedhur titullaren, në një kohë kur Erinda Ballanca vazhdon në detyrë pa mandat prej 3 vitesh. Vetë Avokatja e Popullit argumentimin për këtë vonesë e gjen kështu:

“Proceset e përzgjedhjes së Avokatëve të Popullit po bëhen gjithnjë e më shumë politike dhe gjithë një e më tepër të vështira. Kjo vjen sepse institucionet e të drejtave të njeriut, roli i “ombudsman-ëve” po rritet shumë dhe duke u rritur roli i tyre, politika bëhet më e kujdesshme në përcaktimin e titullarëve, për të pasur një balancë edhe për ta, brenda fuqisë që po marrin këto institucione. Kjo lloj peshe politike e cila ekziston, është një sfidë e institucioneve tona, që duhet menaxhuar me kujdes në kuadër të pavarësisë së këtyre institucioneve”, tha Erinda Ballanca.

Ndërsa për kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, roli i Avokatit të Popullit është forcuar, gjë të cilën sipas saj e tregon përplasjet që mund të ketë me institucionet e tjera, si garant i mbrojtjes së qytetarëve nga arbitrariteti i pushtetit.

“Shëndeti i demokracisë sonë nuk matet me madhështinë e institucioneve apo me arkitekturën e komplikuar të ligjeve—por me mënyrën sesi trajtojmë më të dobëtit ndër ne. Dhe nëse Avokati i Popullit ndonjëherë ose shumë herë është i papëlqyer për pushtetin, kjo do të thotë se po e kryen misionin e tij siç duhet. “Mos kini frikë nga zëri i Avokatit të Popullit. Kini frikë heshtjen që do të ekzistonte pa të”, u shpreh Holta Zaçaj.

Garancinë e adresimit të shqetësimeve dhe raporteve që vijnë nga Avokati i Popullit, në emër të qeverisë e dha ministri i Drejtësisë Ulsi Manja.

“Për ne Avokati i Popullit është një pasqyrë ku shohim raportin tonë me qytetarin dhe rrugën që duhet të ndjekim për të përmirësuar veprimtarinë tonë institucionale. Rekomandimet e avokatit të popullit ne nuk i shohim si letra për arkivë por si sinjale alarmi, udhërrëfyes për një administratë më të ndjeshme dhe llogaridhënëse. Respektimi i tyre nuk është vetëm detyrim formal, është një akt përgjegjësie ndaj qytetarit, demokracisë edhe shtetit që ne përfaqësojmë me pozicionet tona”, theksoi ministri i Drejtësisë.

Në ceremoninë e kremtimit të 25-vjetorit të krijimit të herë të parë të institucionit të avokatit të popullit në Shqipëri, morën pjesë ambasadorë, drejtues të institucioneve të pavarura, përfaqësues të shoqërisë civile dhe partnerë ndërkombëtar.

G.M./SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Mergimtari: 25/06/2025 17:14

    Per aq kohe sa Avokati Popullit zgjidhet si kompromis nga politika,Ai institucion nuk mund te mbroj pa interesa partiake.Ne gjithe keto vite zeri i tij eshte pro forces qe e ka propozuar.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    NATO miraton rritjen e shpenzimeve me 5% për mbrojtjen, si e vlerësoni?