Avokati i Popullit ka reaguar për Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypi, ku thotë se liria e shprehjes mbetet themel i një shoqërie demokratike.
Në reagimin për mediat Avokati i Popullit njofton se “në vëmendje të respektimit të lirisë së shtypit dhe parandalimin e shkeljes së të drejtave në ushtrimin e profesionit të gazetarit por edhe më gjerë, Avokati i Popullit, do të hedhë për diskutim në fillim e javës së ardhshme një Raport Përgjithësues.”
Reagimi i plotë i Avokati i Popullit
Në ditën e Lirisë së Shtypit, duhet të mbajmë në vëmendje se e drejta e shprehjes mbetet themel i një shoqërie demokratike. Avokati i Popullit, nënvizon rëndësinë e mbrojtjes së kësaj lirie thelbësore, në një moment kur gazetarët përballen me sfida për të mbrojtur dhe ruajtur këtë vlerë të çmuar, me qëllim informimin e publikut.
Përsa më sipër, në vëmendje të respektimit të lirisë së shtypit dhe parandalimin e shkeljes së të drejtave në ushtrimin e profesionit të gazetarit por edhe më gjerë, Avokati i Popullit, do të hedhë për diskutim në fillim e javës së ardhshme një Raport Përgjithësues.
Ky Raport Përgjithësues i Avokatit të Popullit, një mjet institucional mjaft i rëndësishëm, bazohet mbi trajtimin e ankesës së gazetarit Elton Qyno, për të cilin është vlerësuar se ndërhyrja në sferën e të drejtave të Nenit 8 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, nuk ka qenë proporcionale dhe as e domosdoshme.
Në referim të këtij raporti, Avokati i Popullit thekson se çdo veprimtari shtetërore, duhet të ushtrohet duke pasur në qendër të drejtat e njeriut. Mbajtja në konsideratë e gjetjeve të këtij raporti, në ushtrimin e aktivitetit institucional dhe veprimeve procedurale, do të ishte tregues i vullnetit për të zbatuar standarde të larta të drejtësisë dhe lirisë së shprehjes në vend.
Avokati i Popullit shpreh besimin se institucionet do të angazhohen në mënyrë konstruktive për të ruajtur dhe siguruar lirinë e shtypit në shoqërinë tonë. Le të bashkëpunojmë për të mbrojtur dhe për të avancuar këto vlera thelbësore për të gjithë qytetarët dhe për të garantuar që gazetarët të kenë mundësinë dhe sigurinë për të ushtruar detyrën e tyre me integritet dhe liri.
Lajmi kryesor:
Raporti i 'Reporterëve pa Kufij' për lirinë e medias, Rama: Marrim masa për të përmirësuar mjedisin mediatik dhe të drejtat e gazetarëve
SI.E./ReportTv.al