Avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, duke folur për periudhën pas çlirimit të Kosovës dhe nisjes së administrimit të Kosovës nga UNMIK-u, tha se krime mund të kenë ndodhur në nivel lokale me motive hakmarrjeje.
“Aktet e lokalizuara të dhunës individuale të nxitura nga zemërimi, urrejtja, mungesa e llogaridhënies ishin të pashmangshme”, tha Kehoe duke thënë se njerëzit që ishin kthyer nga dëbimi i gjetën pronat e tyre të djegura dhe të dëmtuara.
“Aktet e dhunës shpesh shkaktoheshin nga kriminelët, elementët keqbërës të UCK-së, njerëz që prezantoheshin si UÇK, mbanin uniforma të blera në rrugët e Prishtinës e gjetkë”, tha tutje avokati.
Ai prezantoi edhe një pjesë të intervistës dhënë në korrik të vitit 1999 të ish-gjeneralit të NATO-s, Wesley Clark lidhur me krimet hakmarrëse ndaj serbëve lokalë.
“Ka qindra e mijëra njerëz që po kthehen mbrapsht. Kanë ndodhur gjëra të tmerrshme, por ka edhe serbë që mendojnë se do të jenë fajtorë për shkak të etnicitetit të tyre. Ka përpjekje legjitime që pronat t’i kthehen pronarëve. Është periudhë që po merret hak, po lahen hesape”, është cituar të ketë thënë Clark.
Avokati i Thaçit tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës u formua nga grup vullnetarësh dhe ishte një forcë guerile.
Avokati Gregory Kehoe tha se fillimisht u krijuan njësi në nivelin vendor, por gjatë ofensivës serbe së verës së vitit 1998 këto njësi u shkatërruan dhe UÇK-ja më pas në nëntor të po këtij viti u riorganizua.
“Pas ofensivës, në nëntor 1998, UÇK konfirmon sërish Azem Sylën si komandant i përgjithshëm, jo Thaçin”, tha avokati.
Ai shtoi se Thaçi ishe një prej drejtorëve të nëntë drejtorive që kishte UÇK-ja.
“[Thaçi] Nuk kishte asnjë përgjegjësi komande për strukturat në terren”, theksoi Kehoe.
Lajmi kryesor:
Dita e dytë e Gjyqit në Hagë, ish-komandantët e UÇK njëzëri: Duam të bëhet drejtësi, jemi të pafajshëm! Bashkë do të triumfojmë
G.MO/ReportTv.al