Avokati shqiptar në Britani, Naim Hasani, ishte i ftuar ditën e sotme në “Studio Live” me Ermal Qorin në Report Tv, ku foli për rolin e komunitetit shqiptar dhe të vërtetën mbi përfshirjen e tyre në veprimtari kriminale.
Fillimisht, Hasani bëri një përshkrim të deputetit Nigel Farage, i cili prej kohësh akuzon komunitetin shqiptar në Britani si motor të kriminalitetit në vend, dhe bën thirrje për deportimin e tyre në Shqipëri.
“Në radhë të parë do të doja të portretizoja pak Nigel Farage, se kush është ai për ata që nuk e njohin në Shqipëri. Eshtë një politikan i ekstrimit të djathtë, një politikan i partisë Reform Uk, përpara kësaj ishte ideatori, orkestruesi dhe zbatuesi për daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian. Në vitin 2016, kur Britania votoi për daljen nga Bashkimi Europian, ishte Nigel Farage që festoi sikur Britania ishte e pushtuar me një birrë përpara parlamentetit. Ishte një fotografi që bëri xhiron e botës. Nigel ka vazhduar politikën e tij pavarësisht se Brexit ishte një projekt i dështuar edhe ekonomikisht. Padyshim ishte dhe partia konservatore ajo e cila e vuri në jetë këtë projekt dhe në fund të gjithë ata ministra dhe përfaqësues të Partisë Konservatore të cilët ishin në pushtet dhe bënë Brexit, të gjithë kanë rënë në shpatën e tyre, të gjithë u larguan nga politika. Nigel Farage i ka qëndruar politikës, me pikëpamjet e tij populiste duke i bërë thirrje një pjesë të elektoratit britanik që është kundër emigrantëve dhe të huajve. Manisfestimi i fundit i partisë së Nigel Farage, Tony Roberson, një nga politikanët më të rëndësishëm i cili është dëniuar disa herë për racizëm në Britani, të dy bashkë kanë bashkuar forcat që të krijojnë një lloj fronti të djathtë kundër emigrantëve”,- tha Hasani.
Më tej, avokati shqiptar tha se shqiptarët e inkriminuar në Britani janë shumë të paktë në krahasim me përmasat reale të komunitetit shqiptar në atë vend.
“Përsa i përket qytetarëve shqiptarë, argumentat e Nigel Farage janë tërësisht të devijuara nga realiteti, sepse kemi mbi 100 mijë të burgosur në burgjet britanike dhe nga këta kemi 10 mijë të huaj që janë aktualisht duke vuajtur dënimin dhe nga këta 1273 janë të burgosur shqiptarë që vuajnë dënimin. Pra i bie 1.3% e popullatës së burgjeve”,- tha Hasani.
“Në Britani ka të paktën 150 mijë qytetarë shqiptarë, nëse 1273 nga 150 mijë shqiptarë janë në burgje, llogarit sa është përqindja e atyre që kanë bërë veprat kriminale. Pjesa më e madhe e qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Britani, sidomos ata që kanë ardhur pas viteve 1990, janë në çdo fushë të jetës, ekonomike, politike, sociale, ligjore, kulturore, janë taksapagues, qytetarëve të barabartë mes të barabartëve”,- shtoi ai.
Komente
