Avokatja e Mesino Denaros, bosit të ‘Cosa Nostrës', e cila është edhe mbesa e tij, ka vënë në dyshim përkujdesjen mjekësore që i bëhet atij në burgun L'Aquila. Por mjekët burgut e kanë mohuar këtë! Sipas mjekëve që po trajtojnë Matteo Messina Denaron, gjendja shëndetësore e bosit më të madh të ‘Cosa Nostrës’ është e mirë. Sqarimi vjen pasi Lorenza Guttadauro, avokate e besuar Denaros, tha se gjendja e tij shëndetësore është e rënduar.
Për avokaten, “qelia nuk krahasohet me përkujdesjen që i bëhet në spital, nuk e di nëse po e trajtojnë mirë”. Megjithatë, burime nga ministria e Shëndetësisë dhe nga burgu u përgjigjën duke thënë se ajo që u raportua nga avokati “nuk përputhet me gjendjen e tij klinike”.
I sëmurë nga kanceri në zorrën e trashë, Messina Denaro, po lufton kundër sëmundjes, ndërsa po kryen seancat e kimioterapisë në një klinikë të ndërtuar përballë qelisë së burgut të sigurisë maksimale në L'Aquila, ku mbahet nën regjimin 41bis.
Avokatja foli për situatën e bosit mafioz në lidhje me marrjen në pyetje e cila u zhvillua më 13 shkurt, në të cilën prokurori Maurizio De Lucia e gjeti të burgosurin "të kthjellët, të qetë dhe me gjithë kujdesin e nevojshëm". Edhe shefja e klinikës ku po kurohej Messina Denaro foli për sëmundjen e tij. ‘Ju ka mbetur pak për të jetuar’, tha Alessia Randazzo, duke e ftuar Messina Denaron të “rrëfejë sa më parë” krimet e tij.
Kur u mor në pyetje, Matteo Messina Denaro nuk zgjodhi heshtjen. Për më shumë se një orë ai iu përgjigj pyetjeve të prokurorit Maurizio De Lucia, i cili kishte ardhur nga Palermo për të marrë në pyetje bosin e arrestuar më 16 janar në klinikën La Maddalena.
Shëndeti i tij monitorohet nga një ekip onkologësh nga spitali L'Aquila. Për të ndihmuar Denaron ka gjithmonë një infermiere, një onkolog dhe një anestezist, përveç stafit të institucionit të vuajtjes së dënimit.